Ardhja e Albin Kurtit në qeveri frikëson akterët e krimit të organizuar institucional

Politika

Ardhja e Albin Kurtit në qeveri frikëson akterët e krimit të organizuar institucional

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 17 tetor 2019 Në ora: 08:28
Fotografi ilustruese "Bota sot"

Instituti GAP ka publikuar të dhëna për shpenzimet e ministrave e ministrive dhe zyrtarëve të kabineteve të tyre për mëditje, telefona mobil. Reprezentacion dhe karburante për vetura për vitin 2018.

Sipas raportit vjetor financiar 2018 të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2018, të gjitha institucionet publike kanë shpenzuar në total rreth 20 milionë euro për reprezentacion, përdorim të telefonave mobil, karburante për vetura si dhe mëditje për udhëtimet brenda dhe jashtë vendit.

Në një komunikatë për media të Institutit GAP thuhet se secila nga këto kategori ka pasur rritje nga viti 2017, ku shpenzimet për mëditje janë rritur për 45 për qind, për reprezentacion për 18 për qind, për telefona mobil për 30% si dhe për karburante për 1 për qind.

“Për disa vite me radhë, Instituti GAP ka publikuar të dhëna për shpenzimet e ministrave e ministreve dhe zyrtarëve të kabineteve të tyre për mëditje, telefoni mobile, karburante dhe reprezentacion. Të dhënat për këto shpenzime janë mbledhur përmes kërkesave zyrtare në institucionet përkatëse ngase ato nuk publikohen në faqet zyrtare të institucioneve. Në të shumtën e rasteve, një numër i konsiderueshëm i ministrive vazhdojnë të mos përgjigjen në kërkesat tona si për shembull, Zyra e Kryeministrit në tri vitet e fundit është përgjigjur vetëm për shpenzimet e vitit 2017; Ministria e Punëve të Jashtme nuk na është përgjigjur për tri vite me radhë, Ministria e Administratës Publike për dy vite me radhë, Ministria e Arsimit, Shkencës, dhe Teknologjisë është përgjigjur pjesërisht apo nuk është përgjigjur fare.

Duke u bazuar në postet drejtuese, në institucionet për të cilat kemi të dhëna, këshilltarët politikë kanë shpenzuar më së shumti për mëditje dhe përdorim të telefonave mobil, kurse zëvendësministrat/et kanë shpenzuar më së shumti për reprezentacion dhe për karburante për vetura”, thuhet në komunikatë.

E gjithë këto shpenzime nga an a e qeverisë në largim  të drejtuar nga Ramush Haradinaj, po konsiderohen të panevojshme. Madje,  njohës të rrethanave politike në vend, sugjërojnë që të bëhen edhe hetime rreth këtyre shpenzimeve.

Burjani: Duhet të ketë procedurë hetimore dhe auditimi

Image
Blerim Burjani

Kështu, Blerim Burjani, njohës i cështjeve juridike, për gazetën  “Bota sot” ka thënë se duhet të ketë një procedurë hetimore për këto shpenzime të panevojshme.

“Duhet të ketë procedurë hetimore dhe auditimi, pra është me rendësi të gjinden faktet për aktet e paligjshme të shpërdorimit të parasë publike. Ka shumë gjëra me të cilat duhet të merren organet e rendit, shpenzimet e pa nevojshme janë vepra penale kundër buxhetit të qytetarëve, përplot raste janë të tilla dhe duhet po ashtu të hapen hetime për mënyrën e shpenzimit të rezervave shtetërore. Ka edhe procese tjera që duhet të hetohen, skandalet e vendimeve me konflikt interesi, kjo duhet te ndodhë nëse veç duan rend dhe ligj”, ka thënë Burjani.

Krasniqi: Arsyeja më e qartë pse i ka kapur paniku i ardhjes se Albin Kurtit në krye të qeverisë

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, analisti Faik Krasniqi, tha për gazetën “Bota sot” se paraja e qytetarit të Kosovës është keqpërdorur shumë.

Ai bën thirrje që kjo të ndalen njëherë e përgjithmonë.

“Paraja e qytetarëve të Kosovës, prej pas luftës është keqpërdorur në mënyrën më të tmerrshme nga pushtetarët. Luksi i tyre ka qenë jashtë çdo norme. Përveç keqpërdorimit të përditshëm të makinave zyrtare, për çdo fundjave këto makina janë përdorur për pushimet e tyre në bregdetin shqiptar. Pa llogaritur këtu edhe përdorimin e celulareve dhe mëditjet e shumta. Kjo dukuri e keqpërdorimit të parasë së qytetarëve duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, u shpreh Krasniqi.

Ai tregon se ku duhet të shfrytëzohen ato para.

“Ato para duhet të shfrytëzohen për gjëra më të mençura, për investime të projekte të qytetarëve që hapin vende të reja të punës dhe zhvillojnë ekonominë. Arsyeja më e qartë pse i ka kapur paniku i ardhjes se Albin Kurtit në krye të qeverisë, sepse të gjitha partitë tjera duan të vazhdojë kjo gjendje, hajnia dhe krimi i organizuar institucional”, theksoi ai.

Duhanaj: Pothuajse në të gjitha qeveritë kemi pasur problemin e keq menaxhimit

Image
Leon Duhanaj

Edhe analisti Leon Duhanaj, tha për “Bota sot” se ka keq-menaxhim të parasë publike, madje ai thotë se kjo ka ndodhur në çdo qeveri.

“Pothuajse në të gjitha qeveritë kemi pasur problemin e keq menaxhimit përkatësisht keqpërdorimit të parasë publike. Kush më pak e kush me shumë, por secila ka qenë e zhytur në këtë fenomen të shëmtuar. Në ketë segment të keq menaxhimit, natyrisht se zënë vend edhe shpenzimet marramendëse administrative, të cilat nëse do të përfshiheshin në punë të sinqertë për vendin, do të përparonte Kosova në hapa marramendës”, pohoi ai.

Duhanaj thekson se do të jetë e vështirë që kjo dukuri të mënjanohet lehtë.

“Për fat të keq, kjo dukuri, ka marrë përmasa shqetësuese dhe, se do të jetë vështirë mënjanohet lehtë. Kjo ngase tashme dukuritë e shëmtuara, janë shndërruar në norma standarde të sjelljes në administratën e shtetit. Do të duhet goxha kohë për ta ndryshuar ketë qasje . Dhe, kjo vetëm nëse do të kemi qeverisje me njerëz të sinqertë dhe të pa kompromis ndaj së keqes, gjë që është vështirë të besohet”, është shprehur ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat