Daku thotë se Kosova i ka plotësuar kushtet, tregon nga kush varet liberalizimi i vizave

Politika

Daku thotë se Kosova i ka plotësuar kushtet, tregon nga kush varet liberalizimi i vizave

Nga: G.B Më: 17 tetor 2019 Në ora: 12:13
Selim Daku

Shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se dy kushtet për liberalizim të vizave janë luftimi i krimit dhe korrupsionit.

Këto dy kushte janë prej kohësh ndaj Kosovës nga BE.

Por, sa ka shpresë që udhëheqja e re e Kosovës t’i përmbushë këto dy kushte?

Selim Daku, drejtor i Qendrës kosovare për diplomaci, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ky proces nuk varet nga institucionet e Kosovës, por është në dorë të vendeve anëtare të BE-së.

“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës tashmë është shndërruar në një telenovelë që nuk po i dihet fundi. Sipas mendimit tim, ky proces nuk varet nga institucionet kosovare. Ai është në dorë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat në rastin e Kosovës kanë ngecur në procedura dhe kanë tejkaluar të gjitha parashikimet e pritshmëritë”, ka thënë Daku.

Ai vlerëson se kushtet që janë vendosur, luftimi i krimit dhe korrupsionit, nuk janë kritere që pengojnë liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Sa i përket kushteve për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, konsideroj se ato nuk janë procese që vazhdojnë dhe nuk janë kritere që pengojnë liberalizimin e vizave për Kosovën. Këtë e ka theksuar edhe Komisioni Evropian në raportin për zbatimin e standardeve për liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka vlerësuar Selim Daku për “Bota sot”.

Sipas Dakut, që nga viti 2016 qytetarët e Kosovës po mbahen padrejtësisht të izoluar dhe për këtë fajtor funksionimi kompleks i mekanizmave të Bashkimit Evropian.

“Qytetarët e Kosovës që nga viti 2016, padrejtësisht mbahen të izoluar. Për këtë fajtori i vetëm është funksionimi kompleks i mekanizmave të Bashkimit Evropian. Kosova që atëherë ka plotësuar kushtet për të fituar të drejtën e lëvizjes pa viza, veçanërisht në vitin 2018 kur janë plotësuar edhe kushtet shtesë si ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi dhe forcimi i arritjeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër, politikanët vazhdimisht kanë dhënë deklarata për afate kohore në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

E për këtë, Daku thotë se ato janë të panevojshme dhe ngjallin neveri, e nuk kanë peshë as karakter politik.

“Deklaratat se liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodhë së shpejti, janë tepër të panevojshme dhe ngjallin neveri. Ato më nuk kanë as peshë e as karakter politik. Deklaratat e tilla, kanë tejkaluar çdo pritshmëri qytetare saqë edhe nëse nesër ndodhë, ai nuk do të bëjë bujë të madhe tek opinionin publik”, ka përfunduar Selim Daku për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat