Zogiani: Nëse Nisma/AKR kalon pragun, rrezikon të prishet koalicioni LDK-VV

Politika

Zogiani: Nëse Nisma/AKR kalon pragun, rrezikon të prishet koalicioni LDK-VV

Nga: V.R Më: 17 tetor 2019 Në ora: 17:19
Avni Zogiani

Avni Zogiani, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, për “Bota sot”, ka deklaruar se nuk ka asnjë argument që i është dhënë publikut për të arsyetuar rinumërimin.

Sipas tij, kjo është një përpjekje e KQZ-së për ta futur Nisma-n dhe AKR-n në lojë.

“Nuk ka asnjë argument qe i është dhënë publikut për këtë rinumërim. Ajo që është duke ndodhur është një përpjekje e kqz për ta futur Nisman-Akr. Për mendimin tim kjo kërkon një hetim serioz duke qenë se po rinumërohen kuti pa asnjë argumentim dhe thjeshtë për hatër të një koalicioni. Kjo nuk është duke ndodhur kot”, tha ai.

Zogiani, deklaroi se nëse e kalon pragun Nisma dhe AKR, atëherë rrezikon të ndrroj situata.

“Futja e Nismas-Akr në këtë mënyrë ndryshon pakëz situatën me koalicionin qeverisës, por futja në këtë mënyrë është sinjal se punët janë keq me institucione”, tha ai.

Ndryshe, Qendra për Numërim dhe Rezultate (QNR) i ka dhënë rekomandime Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për rinumërimin e 530 vendvotimeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Më herët KQZ kishte vendosur të rinumëronte 314 vendvotime të cilat tashmë kanë përfunduar, mirëpo, sipas KQZ-së, në rinumërim duhet të shkojnë edhe 530 vendvotime tjera.

Në mbledhjen e KQZ-së sot u tregua se disa nga arsyet e këtij vendimi janë problemet teknike në formularë, mungesa e faqeve në formularë, mospërputhja e fletëvotimeve me atë të rezultateve, e tjera.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka bëri të ditur se rinumërimi mund të fillojë që sot. Ajo i bëri thirrje Policisë dhe Prokurorisë të jenë të pranishëm në QNR për të marrë përsipër provat, “sepse në këto vendvotime që po rinumërohen janë bërë manipulime”.

Numërimi i votave me postë ka përfunduar mbrëmë në QNR. Nga 13.224 fletëvotime që u verifikuan dhe u llogaritën, Lëvizja Vetëvendosje ka mbetur e para me 7.030 vota, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 2.158 vota, Partia Demokratike me 2.139 vota, Nisma-AKR me 916 vota dhe koalicioni AAK-PSD me 555 vota.

Lëvizja Vetëvendosje me numërimin e votave me postë tani ka rritur epërsinë ndaj LDK-së. VV tani ka gjithsej 210.082 vota ndërsa LDK tani ka 199.860 vota.

Rreth 3.700 vota të ardhura nga Serbia nuk janë numëruar deri më tani, pasi ende po hetohet rasti i prekjes së zyrtarëve të QNR-së të dielën nga kundërmimi i zarfeve që ndikoi negativisht në shëndetin e tyre.

KQZ në mbledhjen e sotme bëri të ditur se votat me kusht do të numërohen ditët në vazhdim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat