Misteri i tmerrshëm që po e mbajnë institucionet e Kosovës për vdekjen e Astrit Deharit

Politika

Misteri i tmerrshëm që po e mbajnë institucionet e Kosovës për vdekjen e Astrit Deharit

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 18 tetor 2019 Në ora: 19:05
Fmilja Dehari

Ishte 5 nëntori i vitit 2016, kur lajmi i zi doli nga qendra e paraburgimit në Prizren dhe shokoi të gjithë shqiptarët anë e mbarë globit.

5 nëntori ishte dita e kobshme për familjen Dehari. Astriti në rrethana misterioze vdiq brenda qendrës së paraburgimit në Prizren.

Ai ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij, vdekje kjo që ngjalli shumë dyshime e reagime.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari së bashku me disa aktivistë të kësaj partie politike ishin arrestuar me 30 gusht të po këtij viti si të dyshuar se kanë kryer një sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës më 3 gusht po atij viti dhe po mbahej në paraburgim në burgun e Prizrenit, derisa u gjet i vdekur.

Dehari i cili kishte kaluar ditët e fundit në paraburgim aty ai e kishte marr edhe lajmin më të gëzuar ndoshta në jetën e tij, se do të bëhet baba.

Për vdekjen e Astritin, janë bërë ekspertiza ku u konstatua që ka kryer vetëvrasje në qelin e tij, megjithatë diçka të tillë nuk ka pranuar familja e as Lëvizja Vetëvendosje.

Së fundmi në Kosovë kanë ardhur rezultatet e një ekspertize të kryer nga Qendra Universitare i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës. Mirëpo, rezultatet e saj akoma nuk janë bërë të ditura dhe Prokurori i Shtetit ka njoftuar se ato do t’i dërgohen familjes Dehari, pasi të përkthehët.

“Sot me datë 17 tetor 2019, nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, ka pranuar raportin përfundimtar të ekspertizës nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit. Për hir të informimit të drejtë, Prokurori i Shtetit me të pranuar këtë raport, do ta dërgoj atë për përkthim në gjuhën shqipe, pasi që ky raport është pranuar në një nga gjuhët zyrtare të shtetit të Zvicrës, dhe në momentin që raporti të përkthehet dhe analizohet nga prokurori i rastit, konform dispozitave ligjore do t’i dërgohet avokatit të familjes Dehari, si dhe do të bëhet publik për opinionin”, thuhet në komunikatë.

Por, ndodhi ajo edhe që pritej të ndodhë. Familja e Astrit Deharit nuk arriti akoma që të marrë në dorën e tyre rezultatin e kësaj ekspertize, pasi Prokuroria e Prizrenit ashtu sikurse në Prishtinë, nuk janë duke bashkëpunuar për arsye që vetëm ata dhe pushteti mund që t’i dijë.

Familjarët sot kanë akuzuar dhe kanë hedhur dyshimet e tyre me të drejt ndaj Prokurorisë.

Babai i Astrit Deharit, Avni Dehari thotë se pas arritjes së raportit të ekspertizës nga Lozana e Zvicrës, për rastin "Dehari", janë detyruar që sot të shkojnë tek prokuroria në Prizren, që si familjarë të tij, të kenë një kopje të këtij raporti, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

"Ne sot kemi qenë në Prizren, kryeprokurori i Prizrenit nuk më ka kthyer përgjigje. Me të marrë lajmin që raporti ka arritur, jam këshilluar që t’i drejtohem këshilltares së kryeprokurorit Merita Gashi. Ajo në mënyrë arrogante më tha ‘nuk e kam numrin’. U detyrova t’i them se mos të thotë që nuk ka numrin... Pas një kohe brenda ditës Merita Gashi më shkruan dhe më thotë se për raportin t’i shkruaj kryeprokurorit në Prizren. Kurrfarë përgjigje nuk ktheu. Sot ishim atje pa termin. Na pranuan brenda dhe na mbajti ligjëratë, që avokati dhe mediat po e politizojnë rastin. Kur i kërkova qe të na jap raportin origjinal, më thanë ‘nuk e kemi’. Njerëzit që i kanë dyert e përlyera dhe e kanë vrarë Astritin mundohen t’ia hedhin fajin dikujt tjetër. Si t'i besoj një kryeprokurori që thotë që nuk e ka një kopje në zyre. Nuk ka normë juridike që e arsyeton. Ne jemi detyruar që të kërkojmë ekspertë të jashtëm, e mira do të ishte të bëhet këtu, por nuk kemi pasur besim", ka thënë Dehari.

"Për neve është vrasje e dytë. Vrasja e parë ka ndodhur në nëntor 2016, vrasja e dytë po ndodhë tash", shtoi ai.

Kurse, Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit, gjatë konferencës për media ka ndarë edhe disa detaje kur është arrestuar djali i saj, dhe një bisedë që ajo pretendon ta ketë pasur me një hetues që i kishte shkuar për t’ia kontrolluar makinën e Astritit në shtëpi pas arrestimit. Sipas saj, ai hetues i kishte thënë se “E dimë që Vetëvendosje s’ka të bëjë me këtë, por që jemi të detyruar”.

“Me arrestimin e djalit unë e di çka ka ndodhë. Hetuesi në garazh kerrin tu e kontrollu më ka thënë se e dimë që Lëvizja Vetëvendosje s’ka të bëjë me këtë, po na kanë detyru. Kur të doje le të dal ia them në sy”, ka thënë ajo.

Ndër të tjera, ajo ka thënë 3 javë para se të ndodhte incidenti në qendrën e paraburgimit në Prizren, në një takim që e kishte pasur me Astritin, thotë që djali i saj tashmë i ndjerë t’i ketë thënë se në rast se e telefonon dikush natën dhe i thotë se “Astriti është i sëmurë”, ta dijë që Astritin janë duke e nxjerrë jashtë nga burgu natën.

Ndërkohë thotë se menjëherë pas vizitës së të enjtes, të premten në mbrëmje e ka telefonuar gruaja e Naser Makollit, dhe i ka thënë që Astriti është i sëmurë.

“Tri javë para se me e mbyt Astritin në burg. E enjte ka qenë se të enjten kemi shku për vizitë. Nanë nëse vjen naj telefonatë që thonë se Astriti është i smut , dije që më marrin më qesin prej burgut. Të premten ka thirrë gruaja e Naser Makollit që e mbyten edhe atë nburg, më ka thënë Astriti është i smutë. Në atë moment e ka marrë vajza telefonin, e u hup vajza, kur i tha se Astriti është i smutë.. kcejke nëpër dhomë.. Oj nanë kanë me na e mbyt Astrititin. E kam në vesh atë fjalë. Tri javë përpara, tha nëse iu thirrë gruaja e Naserit”, ka thënë Xhemile Dehari.

Tutje ajo ka thënë se kanë kërcënuar Astrit Deharin që do ta dërgojnë edhe në Kumanovë, duke qenë se familja e tij e kishte prejardhjen nga Maqedonia.

Bashkëshortja e Astritit, Arta Dehari tha se është e papranueshme se çfarë po ndodhë gjatë këtyre ditëve.

Kurse, avokati Tomë Gashi edhe një herë ka përsëritur se rasti "Dehari" ka pasur konotacion politik, dhe se për këtë çështje sipas tij edhe është vrarë. Ai thotë se nuk është njoftuar për përmbajtjen e raportit të ekspertizës, së Astrit Deharit.

Ndërkohë, nuk duhet harruar se në ditët e para kur edhe ndodhi vdekja e Astrit Deharit, në organet e drejtësisë në Kosovë, që nga dikasteri më i lartë Ministria e Drejtësisë, Gjykatat, Prokurorët dhe Policia e Kosovës, kemi pasur deklarata kontradiktore të tyre.

Edhe pse, akoma deri më tani nuk e kemi të qartë, se a ka vdekur në burg, apo rrugës për në spital, deklaratat nga vet organet e drejtësisë ishin të kundërta.

E për vdekjen e Astritit, askush deri më sot nuk e ka marrë përgjegjësinë edhe pse kjo ndodhi në duart e shteti të Kosovës.

Në atë kohë, në krye të Ministrisë së Drejtësisë ishte Dhurata Hoxha, e cila kishte thënë se, po i përcjell me vëmendje zhvillimet e fundit rreth rastit të humbjes tragjike të jetës së Astrit Deharit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren dhe se “është duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet për zbardhjen e rastit”.

“Çdo deklarim para marrjes së raporteve zyrtare nga institucionet përkatëse, është në dëm të procesit dhe në dëm të zbardhjes së të vërtetës. Me këtë rast ju bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga deklarimet që paragjykojnë rezultatin e hetimeve. Ju premtoj se do të vazhdoj të ofroj dhe të kërkoj transparencë në çdo hap të zbardhjes së këtij rasti, por edhe ju lus që të mos nxitohemi me deklarime dhe të gjykojmë para se institucionet e vendit tonë të bëjnë punën e tyre”, ka thënë Hoxha.

Mirëpo, me këtë deklaratë ministrja e atëhershme Dhurata Hoxha, kishte kërkuar të mos ketë deklarime paragjykuese, por, vetë organet e drejtësisë kanë paragjykuar me vdekjen e Astritit, duke lënë dyshime se ministrja Hoxha nuk garanton një proces të pavarur dhe pa ndërhyrje.

E kjo edhe pas tre viteve po dëshmohet se në organet e drejtësisë, gjithmonë ka pasur ndërhyrje. Kjo edhe u vërtetua sot kur Prokuroria nuk ia dha asnjë përgjigje familjes Dehari, madje as një kopje të ekspertizës e cila ka ardhë në Kosovë që sa ditë.

Për fund, urojmë që të ndriçohet ky rast, dhe shumë e shumë raste të tjera të cilat kanë ndodhur, por që fatkeqësisht nuk po zbardhën përshkak të ndërhyrjeve politike në sistemin e drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat