Posti i presidentit, në tavolinën e bisedimeve LDK-Vetëvendosje

Politika

Posti i presidentit, në tavolinën e bisedimeve LDK-Vetëvendosje

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 tetor 2019 Në ora: 15:45
Isa Mustafa, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, foto ilustrim nga "Bota sot"

Aktualisht president i vendit është Hashim Thaçi, me të cilin opozita e deritanishme nuk është pajtuar për shumë çështje dhe e ka kundërshtuar haptas.

E tani kur pritet të formohet Qeveria nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dëshirën për të qenë president i vendit në mandatin tjetër, e ka shprehur kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Por, ai ka thënë se aktualisht kjo nuk është tema kryesore në negociatat midis Lidhjes Demokratike të Kosovës që e drejton vet dhe Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit.

“Është një nder i veçantë që dikush me mbyll karrierën e vet politike me një përgjegjësi ndaj qytetarëve të republikës së Kosovës, mirëpo nuk jam unë ai që mund ta bëjë veten president, e as që do ta imponoj veten si president të vendit”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, marrëveshja mes VV-së dhe LDK-së nuk mund të arrihet nëse ka kushtëzime nga ana e VV-së.

Por, sa janë shanset që Isa Mustafa të jetë president i Kosovës në të ardhmen?

Lepaja: Besoj se posti i presidentit është në tavolinë

Image
Fadil Lepaja

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se kjo mund të bëhet nëse ai i siguron votat që i nevojiten për të shkarkuar presidentin, ose të pres derisa atij t’i skadojë afati.

“Po, gjithsesi, nëse Mustafa ka garancione se i siguron votat shtesë të cilat nevojiten për të shkarkuar presidentin ose të pres derisa mandati i presidentit të skadojë. Posti i presidentit është atraktiv për kryetarin e LDK, për të përmbyllur karrierën dhe për të lëshuar vendin më të rinjve duke ruajtur ende ndikimin aty”, është shprehur ai.

Ndërsa sa i përket VV-së, Lepaja thotë se orientimi i tyre është nga ekzekutivi fillimisht, derisa shton se posti i presidentit është në tavolinë në negociatat mes të dyja partive.

“Në anën tjetër Vetëvendosje nuk duket se ka ndonjë pretendues për këtë post, sepse orientimi i tyre është në radhë të parë nga ekzekutivi.Në këtë kontekst, në negociatat për bashkëqeverisje dhe krijim të baraspeshës së re, besoj se posti i presidentit është në tavolinë”, ka deklaruar ai.

Zogaj: Isa Mustafa do të ishte një president jo i rastësishëm

Image
Skënder Zogaj

Kurse, publicisti Skënder Zogaj, ka deklaruar se kryetari i LDK-s Isa Mustafa, në mënyrë jashtëzakonisht të qartë e të saktë shprehu pikëpamjet e tij për veten, për partinë që përfaqëson por edhe për gjendjen politike dhe të gjithëmbarshme aktuale në Kosovë!

“Intervista e Kryetarit të LDK-s, akademikut Isa Mustafa ishte e nivelit më të lartë të një burrështetasi të mirëfilltë dhe të plot kuptimtë, gjë që, ata që e dëgjuan jam i bindur se, e ndjenë keqardhjen që Isa Mustafës iu ndërpre mandati i kryeministrit dhe që më rrëzimin e Qeverisë së tij e pagoi shtrenjtë i gjithë populli i Kosovës! Shikuar nga ky prizëm dhe me pikëpamjet e pastra vizionare që i shprehu në intervistë, Isa Mustafa në fakt shfaqi profilin e tij ekselent si president fuqiplotë, me të folur dhe qëndrim të lakmueshëm, që jo vetëm LDK por edhe spektri i gjerë politik do të duhej ta ketë në vëmendje! Pse jo, nëse punët shkojnë mirë dhe kah e mbara, Isa Mustafa do të ishte njē president jo i rastësishëm!”, ka thënë Zogaj.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se posti i presidentit në Kosovë është çështje e pazareve politike mes partive të koalicionit.

“Në Kosovë posti i presidentit është çështje e pazareve mes partive politike. Respektivisht mes dy partive më të mëdha të koalicionit. Çdo politikan ka ambicie”, ka thënë ai.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Nëse LDK e synon edhe postin e presidentit, duhet ta ul pazarin për hisen e saj në qeverisje me LVV

Sa i përket ambicies së Isa Mustafës, Krasniqi thotë që nuk është e sigurt që të kemi një president me probleme shëndetësore si Mustafën.

“Z. Mustafa dy vitet e fundit nuk gëzon shëndet të mirë. Nuk është e sigurt sa është produktive që të kemi një president me probleme shëndetësore. Uroj që këto probleme shëndetësore t'i kalojë”, ka vlerësuar Krasniqi.

Ndërsa, sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje, ai thotë se ajo kurrë nuk ka shfaqur ambicie, e që sipas tij posti i presidentit mund të jetë pjesë e marrëveshjes mes dy partive, derisa shton se nëse LDK e dëshiron atë post, duhet ta ul pazarin për qeverisje në Vetëvendosje.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shfaqur kurrë ambicie që ta ketë postin e presidentit. Ka mundësi që posti i presidentit të bëhet pjesë e marrëveshjes mes LVV dhe LDK. Nëse LDK e synon edhe postin e presidentit, duhet ta ul pazarin për hisen e saj në qeverisje me LVV. Po të pyetesha unë presidenti duhet të zgjidhet me votën e popullit, dhe jo përmes pazareve politike”, ka deklaruar Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat