Lajm i keq për Behgjet Pacollin, a e kaloi pragun NISMA-AKR?

Politika

Lajm i keq për Behgjet Pacollin, a e kaloi pragun NISMA-AKR?

Nga: N.H Më: 19 tetor 2019 Në ora: 22:06
Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli

Edhe me tej partia e Fatmir Limajt është me shpresa të mëdha se do të jetë pjesë e legjislaturës së shtatë në Kuvendin e Kosovës, shkruan gazeta “Bota sot”.

Kjo shpresë e tyre po mbahet ‘gjallë’ me rinumërimin e 530 vendvotimeve në të cilat u evidentuan parregullsi.

Nga kjo parti, në kushte anonimiteti, kanë thënë për gazetën “Bota sot”, se besojnë fuqishëm se partia e tyre do te jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës edhe në legjislaturën e ardhshme.

Ata për “Bota sot”, thonë se konfirmimi do të ndodhë së shpejti, pas rinumërimit të 530 vendvotimeve.

“Nisma Socialdemokrate me gjasë dhe sigurt do të kalojë pragun zgjedhor”, ka thënë burimi.

Ndërsa, i pyetur për raportimet e medieve se 3 nga deputetë do t’i takojnë AKR-së së Behgjet Pacollit, ky burim i ka thënë gazetës se vetëm kryetari i kësaj partie deri më tani ka votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet.

“Jo nuk e besoj. Në bazë të informative që kemi, nga AKR vota të mjaftueshme ka vetëm lideri i kësaj partie, Behgjet Pacolli”, ka thënë ky burim brenda Nismës Socialdemokrate në kushte anonimiteti për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, deri në orën 16:00, janë rinumëruar 33% e këtij numri të vendvotimeve.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai ka thënë se numri i tërësishëm i vendvotimeve që janë rinumëruar deri në këtë kohë është 175.

“Deri në orën 16:00 të ditës së shtunë janë rinumëruar 175 vendvotime nga 530 sa është numri i përgjithshëm i tyre që pritet të rinumërohen. Pra, deri më tani janë rinumëruar 33% e vendvotimeve të parapara”, ka thënë ai.

Kujtojmë, se procesi i rinumërimit të votave është duke u monitoruar nga Policia e Prokuroria.

Kjo me kërkesë të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka në mbledhjen e fundit ku edhe u miratuan rekomandimet e QNR-së për të shkuar në rinumërim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat