Zmbrapsja e qëllimshme e Haradinajt nga aplikimi në Interpol

Politika

Zmbrapsja e qëllimshme e Haradinajt nga aplikimi në Interpol

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 20 tetor 2019 Në ora: 08:02
Asambleja e 88-të e Interpolit, foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, ditë më parë ka kërkuar shtyrjen e votimit për anëtarësim në organizatën ndërkombëtare të policisë INTERPOL, për vitin e ardhshëm, pikërisht në kohën kur mbahet mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të organizatës së sigurisë INTERPOL.

Në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit, thuhet se kjo ka ardhur si rezultat i rekomandimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, pasi kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për shkak të rrethanave të krijuara, dhe bazuar në kompetencat e tij si kryeministër në detyrë dhe nga rekomandimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka kërkuar shtyrjen e votimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL për vitin e ardhshëm”, thuhet në komunikatë.

Duhet kujtuar se Kosova kishte aplikuar për pranim në INTERPOL në janar të këtij viti dhe kërkesa e saj ishte pranuar nga Komitetit Ekzekutiv i Interpolit. Dhe ndonëse vendi ynë i kishte plotësuar edhe kriteret operacionale dhe teknike për të qenë pjesë e kësaj organizate policore, megjithatë problemi kryesor në këtë rast për Kosovën do të jetë beteja politike për të siguruar votat e dy të tretave të anëtarëve të INTERPOL-it, të nevojshme për anëtarësim, që nënkupton votat e 120 deri në 126 vendeve.

Kosova edhe këtë vit kishte bërë përpjekje në anëtarësimit në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL), Asambleja e Përgjithshme e së cilës, mban punimet prej 15 deri më 18 tetor në Kili. Nikoqiri i sivjetmë i Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate, ditë më parë ua ka dërguar ftesat zyrtarëve të Kosovës, për të marrë pjesë në takimin vjetor të 88 të vendeve të kësaj organizate.

Por, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se tërheqja e kërkesës për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL nga Haradinaj është e qëllimshme, kjo për faktin se duke parë Ramush Haradinajt iu zbeh edhe dëshira për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Sipas tyre, pasi Ramush Haradinaj u dëshpërua nga zgjedhjet e 6 tetorit, nga dëshpërimi vrapoi për tërheqjen, për t'ia lënë si barrë politike Qeverisë së re të Kurtit.

Mehazi: Haradinaj e Pacolli iu frikësuan dështimit të radhës

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi, ka thënë se tërheqja e kërkesës për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL nga Haradinaj është e qëllimshme, ai duke parë fitoren e thellë të dy partive opozitare LVV e LDK e humbjen e partisë së tij AAK, iu zbeh dhe dëshira e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

“Haradinaj nuk e ka tërhequr kërkesën nga frika se Kosova do pranohet apo nuk do pranohet në INTERPOL, gajle s'ka pasur dhe herën e parë kur INTERPOLI e refuzoi Kosovën, po inati i tij politik e ka detyruar ta tërheq kërkesën për anëtarësim për në INTERPOL. Pasi u dëshpërua me zgjedhjet e 6 tetorit, Haradinaj, nga dëshpërimi vrapoi për tërheqjen, për t'ia lënë si barrë politike Qeverisë së re të Kurtit, e si parti opozitare të zë alibi për ta kritikuar qeverinë e re për mos anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Me një fjalë, të kota e të pafuqishme tani e tutje do jenë lëvizjet politike të Ramush Haradinaj, veprimet e tij politike tani e tutje më si ha pazari i qeverisë Kurti”,ka thënë njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi.

Kadriu: Qeverisja Haradinaj ishte një qeveri jo serioze, dhe një qeveri e pa koordinuar

Image
Kushtrim Kadriu

Analisti politik Kushtrim Kadriu, ka thënë se Qeverisja Haradinaj ishte një qeveri jo serioze, dhe një qeveri e pa koordinuar.

“Ministria e Punëve të Jashtme ishte një ministri jo aktive, dhe duke u bazuar në performancën e saj, Qeveria e Kosovës u tërhoq nga ky proces duke e ditur qartë se Kosova do të pësonte prapë dhe z. Pacolli e Haradinaj nuk kishin kohë të merreshin me popullin e tyre, por u morën me mbijetesën e tyre politike” ka thënë analisti politik Kushtrim Kadriu.

Krasniqi: Anëtarësimin duhet ta kërkojmë përmes miqve tanë ndërkombëtarë

Image
Faik Krasniqi

Nga ana tjetër, politologu Faik Krasniqi, ka pohuar se Kosova fatkeqësisht prej vitesh është duke dështuar që të anëtarësohet në INTERPOL dhe UNESCO.

“Nuk është mire te insistohet për anëtarësim kur s'ke vota te mjaftueshme, sepse çdo dështim i bën keq shtetësisë së Kosovës. Ne nuk kemi fuqi t'i bindim shtetet e botës që të votojnë pro-anëtarësimit të Kosovës në këto organizata. Anëtarësimin duhet ta kërkojmë përmes miqve tanë ndërkombëtarë, shteteve të fuqishme të botës si SHBA, Gjermania, Britania e madhe etj. Në të kundërtën anëtarësimi në këto organizata na ngelet vetëm një ëndërr e parealizueshme”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Hertica: Shtyrja e votimit të anëtarësimit mund të rrezikojë qytetarët e Kosovës

Image
Ali Hertica

Kurse, analisti politik Ali Hertica ka pohuar se tërheqja e kërkesës në INTERPOL, është për shkak të disa pengesave, dhe frikës së dështimit të radhës, e cilat ende pa u futur në proces të votimit ia vështirësonin Kosovës rrugën drejt kësaj organizate.

Kjo ka bërë që dështimi në anëtarësim të jetë opsioni më i pritshëm.

Sipas tij, tërheqja u bë për të shmangur një debakël të ngjashëm me përpjekjen e dështuar për anëtarësim në UNESCO, para dy vjetësh.

Ai konsideron se, shtyrja e votimit të anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL nga kryeministri Ramush Haradinaj është një vendim që mund të rrezikojë qytetarët e Kosovës për shkak të flet arresteve që Serbia i ka lëshuar në këtë mekanizëm ndërkombëtar.

“Pa dyshim se marrja e këtij vendimi nuk ndikon direkt negativisht për sigurinë e përgjithshme të Kosovës, megjithëse vlerëson së anëtarësimi në INTERPOL është i një rëndësie të veçantë. Nuk do kishte far pasoja të theksuara për sigurinë shtyrja e anëtarësimit, sepse Kosova është pjesë edhe e organizmave të tjera ndërkombëtare, pasi ka bashkëpunime me EULEX-in dhe KFOR-in. Vendi ynë ka bashkëpunim të mire me organizata të ndryshme të policisë, me ato rajonale dhe ndërkombëtare”, ka thënë analisti politik Ali Hertica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat