Uragani i Gjykatës Speciale përfshin Kosovën, publikimi i aktakuzave të para çështje javësh

Politika

Uragani i Gjykatës Speciale përfshin Kosovën, publikimi i aktakuzave të para çështje javësh

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 21 tetor 2019 Në ora: 08:08
Gjykata Speciale

Gjykata Speciale ditëve të fundit ka ndezur motorët e saj. Vetëm nga e premtja e javës së kaluar në Kosovë kanë ardhur mbi 20 ftesa për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët janë ftuar për t’u intervistuar nga kjo gjykatë.

Mirëpo, përkundër ftesave të shumta që janë dërguar nga Holanda në Kosovës, edhe me tej Specialja nuk e ka ngritur edhe një të vetme aktakuzë, shkruan gazeta “Bota sot”.

Avokati i njohur konsideron se vetëm Zyra e Prokurorit Special është institucioni i vetëm i cili mund ta dijë saktësisht nëse janë ngritur aktakuzat në Gjykatën Speciale.

Ndërsa, analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend, janë të mendimit se me largimin e krahut të luftës nga skena politike, edhe Gjykata Speciale ndihet më komode që të fillojë edhe arrestimet, të cilat sipas tyre përfliten se mund të ndodhin së shpejti.

Avokati Gashi: Ja kush mund ta dijë se kur do të ngritën aktakuzat e para

Avokati i njohur, Tomë Gashi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se vetëm Zyra e Prokurorit Special është institucioni i vetëm i cili mund ta dijë saktësisht se a janë ngritur aktakuzat në Gjykatën Speciale në Hagë.

Image
Tomë Gashi

“Vetëm Zyra e Prokurorit Special është institucioni i vetëm i cili mund ta dijë saktësisht a janë ngritur aktakuzat në Gjykatën Speciale në Hagë apo jo deri më tani. Duke pas parasysh që në bazë të dispozitave ligjore as zyra e Prokurorit Special e as Gjykata Speciale nuk e ka obligim ligjor që t’i bëj publike ngritjen e aktakuzave të para besoj se kjo mbetet edhe për një kohë çështje e Speciales në Hagë”, ka thënë Gashi.

Tutje, avokati i njohur ka theksuar se deri më tani janë intervistuar më shumë se 100 persona si të dyshuar dhe mbi 800 dëshmitarë.

“Normalisht se aktakuza do ketë dhe nuk do vonohen paskajshmërisht pasi që tani kemi tri vite prej formimit të Speciales dhe kemi më tepër se një vit e gjysmë që ajo është funksionale në tërësi me gjithë infrastrukturën ligjore. E dimë që më tepër se 100 persona janë ftuar deri më tani dhe janë marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarve ndërsa mbi 800 dëshmitarë deri më tani janë marrë në pyetje nga Specialja. Kështu që është vetëm çështje e javëve kur do të bëhen publike aktakuzat e para, diçka tjetër mund të jetë spekulim sepse informata të sakta askush nuk ka”, është shprehur Gashi.

Alarmon analisti, zbulon kohën kur do të ngritën aktakuzat e para

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se aktakuzat e para do të ngritën në momentin që krahu i luftës nuk do të jetë pjesë e skenës politike.

Image
Faton Mehmeti

Ai shprehet se largimi i ish-komandantëve nga pushteti i ka dhëne hapësirë të mjaftueshme Speciales.

“Me largimin e krahut të luftës nga skena politike, edhe Gjykata Speciale ndihet më komode që të fillojë edhe arrestimet, të cilat përfliten se mund të ndodhin së shpejti. Largimi i ish-komandantëve nga pushteti, e të cilët edhe pritet të jene cak i arrestimeve, i ka dhëne hapësirë të mjaftueshme Speciales për të nisur arrestimet, duke mos penguar aspak proceset politike të vendit”, është shprehur ai.

Sipas tij, arsyeja se pse deri tani arrestimet s’kanë ndodhur, është se pasi ish-komandantët loznin me kartën e dialogut me Serbinë, për çka ai mendon se mund të sillte ndërlikimet.

“Kështu, që zhveshja e tyre nga pushteti i ka dhënë komoditet Speciales që të punojë më lirshëm, pa presione dhe me qetësi. Kjo është diçka e mirë për vendin, që njerëz që kanë bërë krimet edhe të marrin përgjegjësin, flas kryesisht për krime kundër shqiptarëve të cilët janë vrarë vetëm se kanë qenë pjesë e LDK-së. Andaj, secili të merr dënimin e merituar, kjo edhe është synimi i Kosovës, që të jetë shtet i liri dhe ku askush nuk është mbi ligj”, ka shtuar mes tjerash Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Maxharraj: Brenda këtij muaji mund të arrijnë aktakuzat e para

E, njohësi tjetër i politikës ka kritikuar krerët e vendit, për mos angazhim rreth kësaj çështje.

Image
Binak Maxharraj

Ai ka deklaruar se derisa Serbia alarmonte krejt botën së nuk ka bërë masakra në Kosovë, krerët e vendit nuk ishin në gjendje t’i kundërvihen Serbisë me argumente dhe fakte, por zbritën në terrenin e hajnisë dhe plaçkitjes së Kosovës.

“Që dy vite Gjykata Speciale ka ftuar në intervista shumë luftëtarë, komandantë në cilësinë e të dyshuarit dhe të dëshmitarit. Shumë njerëz janë thirr, bile pa masë sikur të lë përshtypjen së Kosova ishte ajo që bëri gjenocid në Serbi dhe jo anasjelltas. Derisa Serbia alarmonte krejt botën së nuk ka bërë masakra në Kosovë, këta tanët ishin dhanë jo t’i kundërvihen Serbisë me argumente dhe fakte, por zbritën në terrenin e hajnisë dhe plaçkitjes së Kosovës. Kjo ishte për këta komandantet tanë më e rëndësishmja. Nuk do mend se Gjykata Speciale kohët e fundit i ka intensifikuar dinamikën e ftesave për intervistim të personave të caktuar, e sidomos këto ditë kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme Parlamentare dhe janë kah fundi i certifikimit të rezultateve”, ka thënë ai.

Maxharraj gjithashtu ka thënë se Gjykata Speciale për krime lufte do të fillojë ngritjen e akuzave shumë shpejtë.

“Pse Gjykata Speciale e ka intensifikuar dinamikën e punës së saj është e qartë se ajo dëshiron që kjo Gjykatë të fillojë edhe pjesën tjetër të punës së saj, t’i fillon edhe gjykimet. Kjo nënkupton se Gjykata Speciale për krime lufte do të fillojë ngritjen e akuzave shumë shpejtë, bile mund të ndodhin edhe brenda këtij muajt tetor, që në Kosovë të arrijnë edhe akuzat e para për të dyshuarit për krime lufte”, ka theksuar Maxharraj.

Ai në fund nuk ka lënë pa kritikuar edhe kryetarin e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucatin, për një kërkesë rreth kësaj gjykate, të lëshuar së fundi.

“Është e turpshme dhe anakronike kur këto ditë kryetari i të ashtuquajturës OVL-së, Hysni Gucati nuk kishte turp, kur si “njeri i dijshëm që është”, doli haptas se gjoja detyra e parë e Qeverisë se re të Albin Kurtit duhet të jetë shfuqizimi i kësaj gjykate, sepse na qenka e dëmshme për Kosovën. Por, Albin Kurti sikur do t’i thoshte Gucatit se, “Gjykatën Speciale për krime lufte nuk ua solla unë, atë e gjeta ne mesin tuaj””, ka thënë Maxharraj.

Njohësi i çështjeve juridike paralajmërohen arrestime

Image
Blerim Burjani

E, për të folur rreth shtimit të ftesave nga ana e prokurorisë së Specializuar për krime të luftës në Kosovë, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar edhe njohësin e çështjeve juridike, Blerim Burjani.

Ai në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se deri në fund të vitit pritet të ngritën pesë aktakuzat e para.

Sipas tij, intervistimet e shumta që po bëhen kanë për qëllim të përmbylljes së procesit dhe ngritjen e aktakuzave të para.

“Deri në dhjetor priten të ngritën pesë deri në shtatë aktakuza, kjo falë e intervistimeve pritet të përfundojë shumë shpejt. Pra, faza e mbledhjes se provave dhe klasifikimi i tyre tash është dashur të bëhet, dëgjimi i dëshmitarëve të shumë apo intervistimet e shumta bëhen me qëllim të përmbylljes së procesit dhe ngritjen e aktakuzave të para”, është shprehur Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai ka deklaruar se aktakuzat e para pritet të bëhen ndaj individëve për të cilat janë dyshuar që nga koha e UNMIK-ut.

“Pritet që të ketë aktakuza ndaj individëve për të cilat janë dyshuar që nga koha e UNMIK-ut dhe mbledhja e provave për Tribunal të Hagës”, ka thënë mes tjerash njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat