Koalicioni i LDK-së me LVV-në nuk ka alternativë, çdo vendim tjetër do ta dërgonte përfundimisht në histori

Politika

Koalicioni i LDK-së me LVV-në nuk ka alternativë, çdo vendim tjetër do ta dërgonte përfundimisht në histori

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 21 tetor 2019 Në ora: 10:38
Agim Veliu, Isa Mustafa dhe Lutfi Haziri

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë përafrime për një koalicion të mundshëm për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës. Kjo shihet edhe nga takimet e bëra nga zyrtarët e këtyre partive. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti është takuar fillimisht me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, dhe pastaj edhe me kandidaten për kryeministre nga LDK-ja Vjosa Osmani. Gjatë kësaj, kanë zhvilluar takime edhe grupet punuese nga këto dy parti.

Por, jo të gjithë janë pro koalicionit ndërmjet këtyre dy partive. Dy njerëzit më të fuqishëm të LDK-së pas Isa Mustafës, Agim Veliu dhe Lutfi Haziri nuk është se e kanë mirëpritur një koalicion ndërmjet këtyre partive.

Veliu ,sipas deklaratave të tij nuk del shumë i kënaqur me zgjedhjet e 6 tetorit përkatësisht rezultatin e LDK-së në këto zgjedhje.

Gazeta “Bota sot” ka tentuar që të marr nga një deklaratë nga të dy partitë, por nuk kanë dashur që të komentojnë rreth kësaj çështje.

Krasniqi: Tek elektorati është krijuar një ndjenjë pasigurie

Image
Faik Krasniqi

Analisti politik, Faik Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se Haziri dhe Veliu janë njerëzit më të fuqishëm brenda LDK-së, me deklarata e tyre po japin sinjale që nuk janë shumë të interesuar që të bëjnë koalicion me LVV për të formuar Qeverinë

“Lutfi Haziri dhe Agim Veliu janë dy njerëzit me të fuqishëm brenda LDK-se. Mbajnë postet e nënkryetarëve të kësaj partie. Pesha e tyre është shumë e madhe brenda partisë. Me deklaratat e tyre të fundit, po japin sinjale që nuk janë shumë të interesuar që të bëjnë koalicion me LVV për të formuar Qeverinë”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot”.

Sipas tij, kandidatja për kryeministre nga LDK-ja duhet të deklarohet për këto deklarata pasi që tek elektorati është krijuar një ndjenje pasigurie.

“Zonja Vjosa Osmani duhet të deklarohet rreth deklaratave të tyre, sepse tek elektorati është krijuar një ndjenjë pasigurie rreth arritjes së një koalicioni të shumë pritur mes të dyja partive, për ta udhëhequr Kosovën në 4 vitet e ardhshme”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, Krasniqi ka paralajmëruar pasojat që do të shkaktoheshin nëse nuk do finalizohej ky koalicion.

“Nëse vazhdohet me këtë gjuhë nga ana e tyre, ka shumë pak shpresë që do të kemi një koalicion qeverisës mes LVV dhe LDK-së. Kosova është në një gjendje shumë të rënde në çdo aspekt. Nëse këto dy parti nuk bëhen bashkë për ta qeverisur Kosovën, ky vend do të zbrazet!”, ka potencuar Krasniqi për “Bota sot”.

Ahmeti: Është e rrugës që LDK-ja si parti me tradita institucionaliste të pushoj zëra të tillë

Image
Hidajet Ahmeti

Në anën tjetër, analisti tjetër politik, Hidajet Ahmeti ka komentuar deklaratat e nënkryetarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliut dhe Lutfi Hazirit rreth deklaratave kundër koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosjes.

Ai është shprehur se deklaratat e tyre janë personale se sa qëndrime të LDK-së dhe se janë të pritshme që të ketë deklarata të tilla.

“Po besoj që deklaratat e tyre me shumë janë personale se sa qëndrime të LDK-së dhe është e kuptueshme që njerëzit të cilët kanë pasur ambicie për të parin e partisë dhe njëkohësisht për kandidaturën për kryeministër të jenë kundra çdo përpjekje tjetër e cila minon autoritetin e tyre politik”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai është shprehur se LDK-ja si parti me tradita institucionaliste të pushoj zëra të tillë.

“Është e rrugës që LDK-ja si parti me tradita institucionaliste të pushoj zëra të tillë, pasi nuk i ndihmojnë bashkëpunimit me VV-në e posaçërisht t'i ndihmoj ndryshimit që është i domosdoshëm”, ka deklaruar Ahmeti për “Bota sot”

Haziri: Taktikë të LDK-së për të rritur pazarin në bisedime

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, analisti tjetër politik, Nexhat Haziri në një bashkëbisedim për “Bot sot”, deklaratat e Hazirit dhe Veliut i sheh si një taktikë të LDK-së për të rritë pazarin në bisedime me LVV-në për ta formuar qeverinë e re.

“Është e vërtetë se në opinion deklaratat e nënkryetarëve të LDK-së , z. Haziri dhe z. Veliu që nuk përkojnë shumë me frymën e krijuar tashmë në vend për një koalicion të mundshëm në mes LVV-së dhe LDK-së, po lënë të kuptohet si fraksionim i LDK-së sa i përket shkuarjes apo jo në koalicion me LVV-në. Por unë e shohë më shumë si një taktikë të LDK-së për të rritë pazarin në bisedime me LVV-në për ta formuar qeverinë e re, për vet faktin se LDK-ja është në një situatë që nuk i krijon shumë komoditet në këtë momentum të ri krijuar politik në Kosovë, pas zgjedhjeve të 6 tetorit.”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai është shprehur se përveç koalicionit të LDK-së me VV-në nuk do t`i shkonte përshtatë asnjë opsion tjetër.

“E them këtë se çdo opsion tjetër për LDK-në, përveç koalicionit me LVV-në, nuk do t’i shkonte përshtati LDK-së, as zgjedhjet e jashtëzakonshme e as një koalicion eventual me PDK-së, që partinë më të vjetër në Kosovë LDK-do ta dërgonte përfundimisht në histori”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ka shtuar se në LDK, pas zgjedhjeve është krijuar një momentum i ri brenda saj në përkrahje të Vjosa Osmanit dhe për këtë janë të vetëdijshëm edhe nënkryetarët e LDK-së Haziri dhe Veliu.

Haziri, për më tepër është shprehur optimist se do të ketë marrëveshje, koalicion dhe qeveri të re që do të përbëhet nga LVV-ja dhe LDK-ja.

“Përtej kësaj duhet flasim edhe për një momentum të ri të krijuar edhe brenda LDK-së, sidomos me kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre, e cila edhe pse nuk fitoi në zgjedhje, ka krijuar një përkrahje jo vetëm brenda strukturave të LDK-së por edhe të elektorati i saj, dhe për këtë janë të vetëdijshëm edhe nënkryetarët e LDK-së z. Haziri dhe z. Veliu, dhe unë mendoj se këta të fundit më nuk e kanë fuqinë politike për të imponuar zgjedhje në LDK, të tipit “Ose këtë ose hiq”. Unë jam optimist se do të ketë marrëveshje, koalicion dhe qeveri të re që do të përbëhet nga LVV-ja dhe LDK-ja”, ka deklaruar Haziri për “Bota sot”

Krasniqi: Znj. Osmani ka përkrahjen e mbi 80% të elektoratit dhe besimin e kryetarit aktual të LDK-së

Image
Islam Krasniqi

Analisti tjetër politik, Islam Krasniqi, shprehet për “Bota sot” se bisedimet ndërmjet LDK-së dhe VV-së shihen si një shpresë për qytetarët për të shpëtuar vendin nga kapësit e shtetit.

Sa i përket deklaratave të dy nënkryetarëve të LDK-së, Lufti Hazirit dhe të Agim Veliut, Krasniqi ka theksuar se po e vënë mjegull mbi një koalicion.

“Zgjedhjet e 6 tetorit u pritën si një shpresë për qytetarët e Kosovës të cilët patën vrarë ëndrrat nga keqqeverisjet e kaluara, të cilët edhe oksigjenin u munduan t’ua shesin, duke ju vështirësuar jetën për të jetuar në Kosovë. Bisedimet në mes të VV-së, dhe LDK-së u pa nga qytetarët si një shpresë për të shpëtuar vendin nga kapësit e shtetit, mirëpo deklaratat e dy nënkryetarëve të kësaj partie Veliu dhe Haziri, të pa matura po e vënë mjegull mbi një koalicion”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Por, ai nuk beson se mund të ndikojnë në marrëveshje me VV-së, pasi që kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani e ka përkrahjen e kryetarit të partisë Isa Mustafës dhe të elektoratit.

“Nuk besoj së do të mund të ndikojnë në një marrëveshje apo koalicion me VV-në, pasi që Znj. Osmani ka përkrahjen e mbi 80% të elektoratit dhe besimin e kryetarit aktual të LDK-së që deklaratat e dy nënkryetarëve nuk kanë ndonjë rendësi”, ka theksuar Krasniqi.

Po ashtu, ai ka cekur se çfarë do të ndodhte në qoftë se ndodh bllokimi i koalicionit të mundshëm të VV-së dhe LDK-së.

“Mos harrojmë të cekemi se VV-ja dhe LDK morën përkrahjen nga qytetaret për ta quar qeverinë në opozitë dhe gabimi apo bllokimi i njërës do to kushtojë me ndëshkim në rast së vendi shkon në zgjedhje”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat