Si do të jetë Albini në qeveri, dështim apo sukses??

Politika

Si do të jetë Albini në qeveri, dështim apo sukses??

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 21 tetor 2019 Në ora: 12:43
Albin Kurti

Që nga 6 tetori, ku edhe u konfirmua se opozita në Kosovë kishte fituar bindshëm ndaj PAN-it, entuziazmi i qytetarëve është rritur si asnjëherë më parë. Kjo është e kuptueshme deri në një masë të caktuar, megjithëse jo të tejkalohen pritjet. Me keqqeverisjen e PAN-it qytetarët filluan të largohen nga vendi, pasi varfëri ishte në rritje dhe shpresa po tkurrej, andaj fitorja e VV dhe LDK është krejtësisht e kuptueshme se ka ekzaltuar qytetarët. Natyrisht se qeveria në ardhje me gjasë VV-LDK ka shumë përgjegjësi mbi supet e saja, pasi pritjet janë shumë të mëdha, pastaj edhe gjendja është shumë serioze sa që duhet ndërhyrje e menjëhershme. Njëri ndër dy figurat kryesore të entuziazmit është Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Në këtë rast dua të ndalem tek portreti i Albin Kurtit, si njeri që u ka qëndruar besnik parimeve të tija. Kjo edhe i ka siguruar atij që të jetë njeriu më i votuar në Kosovë ne zgjedhjet e 6 tetorit, si shpresë për ndryshim të kursit qeverisës. E kuptoj që qytetarë presin shumë nga z.Kurti, megjithatë hiperbolizimi i figurës së tij, vënia epiteteve si “Hasan Prishtina apo Skënderbeu”, nuk janë krejtësisht të qëndrueshme, për më tepër edhe janë të dëmshme për vet z. Kurti.

Të dëmshme mund të jenë pasi do e vënë z.Kurti në një pozitë të vështirë, duke qene se pritjet janë shumë të mëdha dhe mundësitë për ndryshim aq drastik janë të vogla, në këtë situatë vihet në pah pastaj non sensi i krahasimit. Jam i bindur se edhe vet Albini nuk e krahason veten me figurat të mëdha historike, të cilat kanë vepruar në kohë dhe periudha të ndryshme, dhe për më tepër kanë qenë të sporvuara. Pavarësisht se Albini ka treguar konsistencë të qëndrimeve jashtë qeverisë, pra në opozitë, ne ende nuk e kemi parë si qeveris z.Kurti. Andaj , së pari duhet ta zhveshim Albinin nga të gjithë etiketimet, ta lëmë të qetë dhe të lirë të dëshmoj se meriton të etiketohet me epitet të tilla. Kemi shumë raste,ku njerëz që janë pritur me entuziazëm të madh kanë bërë dështimet më të mëdha në histori. Marrim rastin e z.Tsipras, ish kryeministrit të Greqisë, i cili u prit me shumë shpresë se do shpëtonte Greqinë nga falimentimi, gjë që nuk ia arriti. Erdhi me shumë premtimeve, por në fund dështoi. Dihet se Albini për ironi edhe e ka mik z.Tsipras, me shpresën që mos të ketë një fund të ngjashëm. Kur ka pritje të mëdha edhe dështimet janë të mëdha, në shumicën e rasteve, kjo ndodh sepse: Pritjet e qytetarëve janë më të mëdha së mundësitë objektive, si dhe ngarkesa e madhe që u bëhet personave të tillë.

Ne, duhet ta lëmë të qetë Albinin, dhe qeverinë në ardhje, që të punojnë pa pritur që të bëjnë mrekulli. Qeveria që po ikën, ka lënë aq shumë dëme të mëdha sa duhen vitet të tëra për tu rregulluar. Nuk pajtohem as me ata që e konsiderojnë Albinin gjeni, që edhe mund të jetë. Qeveritë janë vende nga ku njerëz të zgjedhur duhet të punojnë për interesa të qytetarëve, dhe këta njerëz nuk duhet medoemos të jenë gjeni, eruditë etj. Për njerëz me dije të lartë janë akademitë, ndërsa në qeveri duhen tri komponentë t’i ketë një kryeministër, ministër apo punëtor i rëndomtë : të jetë i ndershëm, të ketë vizion të mirë për vendin si dhe të jetë i përgjegjshëm për veprimet e tij. Kemi shumë raste në histori të njerëzimit ku njerëz të dijshëm me pushtetin e tyre kanë bëre gjëmën botës, andaj është e pamjaftueshme vetëm gjenialiteti. Mos të harrojmë se ish ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher ishte me shkollë të mesëm, por që bëri punë të mrekullueshme. Duhet të kuptojmë se në qeveri duhen njerëz të thjeshtë por që bëjnë gjëra të jashtëzakonshme. Albinin, s’duhet ta mveshim me epitete, nuk kemi nevojë për gjeni por njerëz që bëjnë punë të mira. Puna e tij në qeveri i vë vendin Albinit në histori të vendit, në mes të suksesit dhe dështimit, varet ku Albini do e vendos veten me veprimet e tija. Deri atëherë të presim..andaj heshtni, ta lëmë Albinin të punojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat