“BE-ja dështoi me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”

Politika

“BE-ja dështoi me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”

Nga: D. B Më: 21 tetor 2019 Në ora: 15:18
BE

Vendimi negativ i BE-së karshi hapjes së negociatave për anëtarësim ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është një dështim i vet BE-së që të shpërfaqë politikë unike, karshi problemeve që kërkojnë zgjidhje.

Kështu ka vlerësuar analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se në Shqipëri, do ta kishin të mundur ndonjë alibi, kinse për shkak të mungesës së unitetit politik, përkatësisht problemeve me opozitën.

Sipas tij, në Maqedoni, nuk kanë as me të voglin argument dhe Maqedonia, përpos që nuk ka probleme, ajo e ka bërë edhe një kompromis të madhe duke ndryshuar emrin vetëm e vetëm duke u bazuar në premtimet e BE-së për t'i hapur dyert integruese.

“Kjo tregon qartazi brishtësinë dhe problemet e shumta të brendshme me të cilat përballet BE. Kemi rritje të dy ekstremeve politike, qoftë të majta apo dhe të djathta të cilat ndikojnë negativisht në vendimmarrjen e disa qeverive. Pos kësaj, kemi edhe një shpërfaqje të shumë problemeve me shtetet të cilat tashmë janë anëtare të BE-së, por që në fakt janë integruar me shumë bazuar në vendime të ndikuara politikisht, se sa që kanë qenë edhe të gatshme falë kritereve (shih bllokun e lindjes)”, ka thënë analisti politik Leon Duhanaj.

Ai konsideron se Kosova ka edhe më shumë pengesa, pasi që ka problemi e mosnjohjes nga 5 shtetet anëtare, të cilat në çdo kohë mund ta bllokojnë rrugëtimin integrues.

“Megjithatë, Kosova por as vendet fqinjë, nuk duhet të dekurajohen nga ky fakt. Sepse çdo arritje në zhvillimin e rregullave të mirëfillta demokratike siç janë zbatimi i ligjshmërisë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe dukurive të tjera negative, nuk sjellë asnjë dëm, përkundrazi veç.se e ngritë mirëqenien dhe mirëbesimin”, është shprehur analisti politik Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat