Tomë Gashi kërkon arrestimin e personave përgjegjës në rastin e Astrit Deharit

Politika

Tomë Gashi kërkon arrestimin e personave përgjegjës në rastin e Astrit Deharit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 tetor 2019 Në ora: 14:09
Tomë Gashi

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari vdiq në rrethana misterioze brenda qendrës së paraburgimit në Prizren në vitin 2016. Që nga atëherë hallka zingjirore e drejtuesve të institucioneve dhe mjekësisë lgjore, në raportet e tyre e kanë cilësuar rastin si vetëvrasje.

Me këtë konstatim nuk ishte pajtuar asnjëherë Lëvizja Vetëvendosje, familja e Deharit dhe Avokati Tomë Gashi. Për rrjedhojë shteti i Kosovës ia aprovoi atyre kërkesën që ekspertiza për vdekjen e Astritit të bëhet në ndonjë institut ndërkombëtar. Ata zgjodhën Institutin e Mjekësisë ligjore me qendër në Lozanë të Zvicër, ekspertiza e të cilit u publikua së fundi.

Ekspertiza zvicerane konfirmoi në raport se në vdekjen e Astrit Deharit, mund të ketë marrë pjesë edhe një palë e tretë. Me këtë u përjashtua opsioni i vetëvrasjes ndërsa, po kërkohet që njerëzit përgjegjës në institucione të hetohen e bashkë me këtë të zbardhet mënyra se si Astrit Dehari ndërroi jetë.

Gashi: Përgjegjësia do të duhet të kërkohet nga gjithë zingjiri i atyre që kanë qenë të involvuar

Image
Tomë Gashi

Avokati në rastin Dehari, Tomë Gashi për gazetën “Bota sot” ka thënë se, përgjegjësinë duhet të imponohet, pasi sipas tij, këta që e kanë vra Astritin nuk kanë ndjenja, janë shtazë me shpirt të zi.

“Si vritet një djalë i ri shqiptar, student i cili ka pas vetëm edhe dy provime për t’u bërë mjek, si vritet vetëm për shkak të përkatësisë partiake, vetëm që ishte aktivist i zellshëm i Vetëvendosjes, si vritet duke tentuar të marrin deklarata vetë fajësuese për ta shpallur pastaj Lëvizjen Vetëvendosje organizatë terroriste. Si vritet për ta mbuluar krimin e akuzimit të anëtarëve të Vetëvendosjes për sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës të cilën ata kurrë nuk e kanë bërë”, shprehet Gashi.

Sipas tij përgjegjësia do të duhet të kërkohet nga gjithë zingjiri i atyre që kanë qenë të involvuar në hetimin e qëllimshëm dhe pa asnjë provë të vetme për aktivistët e VV-së kinse për gjuajtje të parlamentit të Kosovës në gusht 2016.

“Pastaj duhet arrestuar prokurorin e atij rasti së bashku me gjyqtarin që e caktoi paraburgimin për Astritin pa asnjë provë. Pastaj të gjithë hetuesit që e kanë hetuar rastin e vrasjes së Astrit Deharit e të cilët për 3 vite tentuan që ta mbyllin si vetëvrasje e që e dinin se ishte vrasje sepse trupi i Astritit tregonte qartas dhe pa mëdyshje se ishte vrarë. Dhe duhet arrestuar ata që i manipuluan provat në tentim të fshehjes së të vërtetës makabre të vrasjes së Astritit nga shteti. Dhe duhet arrestohen edhe të gjithë zinxhirin komandues të burgjeve të Kosovës , posaçërisht të burgut të Prizrenit që tentuan ta manipulojnë të vërtetën të cilët e dinë më së miri se çka ka ndodhur për 87 ditë me Astrit Deharin në burgun e tyre. Dhe në fund duhet të merret lënda nga prokuroria e Prizreit dhe të kalojë në prokurori speciale në Prishtinë”, ka potencuar Gashi.

Më tej, avokati Gashi thotë se asnjë hetues, asnjë prokuror, asnjë gjykatës, asnjë gardian burgu e asnjë zyrtar që ka qenë i implikuar në çfarëdo mënyrë në rastin e vrasjes, fshehjes së vrasjes dhe në dezinformim të opinionit, të mos ketë të drejt të ndërmarr asnjë veprim në rastin e hetimit të vrasësve dhe përgjegjësve për fshehjen e vrasjes së Astrit Deharit, i cili u vra për shkak së në trup e me mendje ishte Vetëvendosje.

“Duke kërkuar drejtësi për Astritin ne kërkojmë drejtësi për veten tonë nëse na ka mbet edhe pak ndjenjë njerëzore. Drejtësia për Astritin është drejtësia për Kosovën, pa drejtësi për Kosovën nuk ka qetësi dhe nuk ka shtet këtu ku jetojmë ne”, përfundoi Gashi .

Miftaraj: PSRK duhet të siguroj hetim profesional, të bazuar në ligj dhe procedurë

Image
Ehat Miftaraj

Ehat Miftaraj drejtor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, për gazetën “Bota sot” thotë se, në radhë të parë duhet që lënda lidhur me vdekjen e Astrit Deharit të merret nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe t’i ndahet një prokurori me integritet, të paanshëm, të pavarur dhe pa të kaluar të dyshimtë.

“PSRK duhet të siguroj hetim profesional, të bazuar në ligj dhe procedurë, duke përfshirë të gjitha gabimet apo ndërhyrjet eventuale që mund të kenë ndodhur në ketë rast. Sikurse, në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim nuk guxon që personat e përfshirë në çfarëdo kapaciteti në ketë rast të linçohen dhe persekutohen nga kushdo qoftë”, përfundoi Miftaraj.

Burjani: Në këtë rast kërkohet një super ekspertizë për të nxjerr të vërtetën

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike dhe politike në vend Blerim Burjani, për “Bota sot”, ka thënë se kjo çështje është për organet e sigurisë, organet korrektuese dhe Ministrisë së Drejtësisë.

“Pra këto çështje janë ekskluzivisht të organeve politike nuk ka nevojë për komente politike, por për komente profesionale eskpertizë, në këtë rast kërkohet një super ekspertizë për të nxjerr të vërtetën”, ka thënë Burjani.

Sipas tij duhet një qartësim i radhës dhe përfundimtar, pra që kjo ekspertizë është përfundimtare duhet të bëhet për të nxjerr një përfundim

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat