Gjykatat me njerëz të korruptuar dhe kriminal, alarm për “Vetting” të përgjithshëm

Politika

Gjykatat me njerëz të korruptuar dhe kriminal, alarm për “Vetting” të përgjithshëm

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 1 nëntor 2019 Në ora: 08:09
Fotografi ilustruese

Kosova shumë herë është kritikuar për sistemin e drejtësisë, derisa luftimi i krimit dhe korrupsionit është një nga kushtet themelore për liberalizimin e vizave.

E të mërkurën në Prishtinë, Ambasada Britanike, përmes partnerëve zbatues – AxiomInternational dhe Agencia – lidhën Memorandumin e Bashkëpunimit me Këshillin Gjyqësor i Kosovës, për zbatimin e projektit "Forcimi i Sistemit të Drejtësisë në Kosovë".

Ky projekt synon të rrisë llogaridhënien, transparencën dhe integritetin, duke zhvilluar sisteme të qëndrueshme dhe në pronësi vendore, me fokus në proceset e rekrutimit, emërimit, avancimit dhe transferimit të të gjithë gjyqtarëve.

Ambasadori Nicholas Abbott tha se ky projekt dëshmon angazhimin e shtetit të tij për një sistem të pavarur të drejtësisë në Kosovë. Për të arritur këtë, ai tha se duhet të merren parasysh meritokracia dhe transparenca brenda sistemit gjyqësor.

“Çdo shtet demokratik dhe funksional ka për bazë dhe shtyllë kryesore sundimin e ligjit në përgjithësi dhe një sistem të pavarur gjyqësor në veçanti. Shteti im ka interes të mbështesë në këtë rrugëtim. Kjo do të mundësonte që pas 20 vjetësh investitorët tanë të mos hezitojnë të vijnë të investojnë në Kosovë. Si e tillë, kjo paraqet interes reciprok për të cilin ne kemi gatishmëri. Për të arritur te një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshme transparent dhe llogaridhënës. Ne vlerësojmë se janë tri çështje që duhet të bëhen në mënyrën e duhur. E para rekrutimet, e dyta emërimet e stafit udhëheqës dhe kryetarët e gjykatave dhe e treta vlerësimet e performacës. Që të tri proceset duhet të kenë për bazë meritokracinë dhe vlerësimin e transparencës. Projekti ka për qëllim që të sigurojë dhe të mbështesë Këshillin Gjyqësor të Kosovës pikërisht në këtë tri procese”, tha ambasadori Abott.

Miftaraj: Absorbimi i ndihmës varet nga vullneti i Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial

Image
Ehat Miftaraj

Se sa ka mundësi që përmes këtij projekti të forcohet sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe që ky projekt të ndihmojë edhe në plotësimin e kushtit për liberalizimin e vizave, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial që nga ndarja e tyre në vitin 2011 kanë përfituar nga shumë projekte dhe është viti i dytë që Ambasada Britanike jep mbështetje të madhe për sistemin gjyqësor në Kosovë.

“Si Këshilli Gjyqësor ashtu dhe ai Prokurorial që nga ndarja e tyre në vitin 2011, kanë përfituar nga një numër i madh i projekteve dhe asistencës si nga Britania e Madhe, Bashkimi Evropian, Ambasada Amerikane por edhe shtete tjera. Projekti britanik i cili është në vitin e dytë të zbatimit por edhe Ambasada Britanike janë duke i ofruar mbështetje jashtëzakonisht të madhe dhe të çmuar sistemit gjyqësor dhe prokurorial në drejtim të ngritjes së llogaridhënies, transparencës, integritetit dhe efikasitetit”, është shprehur ai.

Miftaraj vlerëson se varet nga vullneti i Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial për të pranuar ndihmën e këtij projekti.

“Sidoqoftë, se sa sistemi gjyqësor dhe prokurorial do të jetë në gjendje të absorbojë ndihmën dhe asistencën e projektit sigurisht se varet nga vullneti i Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial për të pranuar ekspertizën dhe ndihmën e ofruar nga vet projekti”, Ehat Miftaraj për “Bota sot”.

Gashi: Ky projekt do të ndihmojë shumë institucionet e drejtësisë së Kosovës

Image
Tomë Gashi

Ndërsa, avokati Tomë Gashi, duke folur për këtë çështje ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave përmendet vetëm në kohë fushate, duke shtuar se kemi mbetur të mbyllur për faj të politikanëve.

“Tek ne që gati një decenie flitet për liberalizim të vizave. Kjo posaçërisht bëhet temë thuajse kyçe gjatë fushatave parazgjedhore por pastaj harrohet krejtësisht kjo temë. Ne kemi mbetur i vetmi vend në Evropë hermetikisht të mbyllur për fajin e politikanëve tanë të deritanishëm”, ka deklaruar Gashi.

Sipas tij, ky projekt do të ndihmojë sistemin e drejtësisë.

“Dhe përfundimisht ky projekt do të ndihmojë shumë institucionet e drejtësisë së Kosovës dhe do ta ndihmojë Kosovën në imponim të sundimit të ligjit”, është shprehur avokati Tomë Gashi për “Bota sot”.

Smaka: Është e nevojshme që të riorganizohet struktura e gjykatave dhe e prokurorive

Image
Riza Smaka

Në anën tjetër, profesori Riza Smaka, njohës i çështjeve juridike, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ndihma e Ambasadës Britanike do të prodhojë efekte të mira në fuqizimin e sistemit të drejtësisë, por jo ta bëjë atë më efikas në standard të BE-së.

“Pa dyshim se synimi i Ambasadës së Britanisë së Madhe është i qëlluar dhe do të prodhojë efekte të mira në drejtimin e fuqizimit të sistemit të drejtësisë por kurrsesi jo në nivelin e nevojshëm për ta bërë atë efikas,eficient deri në stadin e standardeve të EU-së”, është shprehur ai.

Sipas Smakës, që të arrihet ai stad, paraprakisht duhet të bëhen disa gjëra që kërkohen.

“Për të arritur atë stad paraprakisht është kërkesë imediate të riorganizuar plani e programi i studimeve të shkencave juridike në radhën e parë duke i aplikuar studimet profesionale të profilizuara. Poashtu duhet të reformohet përbërja e procedura e dhënies së provimit të juridikaturës duke e kombinuar me studimet profesionale të profilizuara dhe të realizuar nëpërmjet orëve teorike e praktike gjatë tërë studimeve. Po ashtu është e nevojshme që të riorganizohet struktura e gjykatave dhe e prokurorive.Ndër të tjera duhet të themelohen gjykatat administrative dhe Gjykata Supreme Administrative. Në këtë kontekst është e domosdoshme që ekzekutivi dhe legjislativi referuar gjykimeve të lëndëve juridike të sanksionoheshin për interferime e intervenime të shpeshta e vulgare çfarë ishin dhe janë aktualisht. Ndryshe pa funksionim efikas e eficient të sistemit të drejtësisë jo që nuk mund të luftohet korrupsioni, nepotizmi, krimi i organizuar pos as që do të mund të flitej për shtetin e së drejtës", ka deklaruar profesor Riza Smaka.

Kelmendi: Sistemi i tillë pa VETTING kurrë nuk rregullohet

Image
Muhamet Kelmendi

Kurse, profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi vlerëson se kjo që po bën Ambasada e Britanisë ndikon deri në një masë, por nuk mund ta shërojë sistemin plotësisht, duke shtuar se me këtë Britania tregon se kemi gjykata e njerëz të korruptuar.

“Ambasada e Britanisë së Madhe është duke u përpjekur që brenda sistemit të ndikojë në shndërrimin e tij në sistem ligjor. Kjo formë e punës ndikon deri në një masë, por nuk mund të shëron sistemin e tillë përfundimisht. Me këtë Britania e Madhe qartë po tregon se kemi në Prokurori, në Gjykata njerëz të korruptuar dhe kriminal. Përndryshe nuk vepron dhe nuk interesohet për këto mekanizma dhe nuk e bënë këtë presion”, ka theksuar ai.

Sipas Kelmendit, pa një Vetting sistemi nuk mund të rregullohet.

“Mirëpo, sadokudo të jemi kësi presioneve, sistemi i tillë pa VETTING kurrë nuk rregullohet. Nga prokurorët dhe gjyqtarët është shkuar shumë thellë. Ata i kthen vetëm ndëshkimi nga rruga e dëmshme”, është shprehur ai.

Sa i përket liberalizimit të vizave, ai thotë se kjo nuk do të ndikojë në liberalizim.

“Nuk mendoj se me këtë do të ndikohet në liberalizim. Anglia nuk i takon Shengenit dhe fare pak ka ndikim në vendimet e UE. Liberalizimi lidhet me shumëçështje, pra edhe mekëtë, por mbi të gjitha varet nga raportet Kosovë- Serbi. Nga kjo varet liberalizimi”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat