Kosova, peng i 30 mijë veteranëve të rremë, 10 mijë falsifikatorëve nepotikë dhe tregtisë me kufirin 

Politika

Kosova, peng i 30 mijë veteranëve të rremë, 10 mijë falsifikatorëve nepotikë dhe tregtisë me kufirin 

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 1 nëntor 2019 Në ora: 11:30
Fotografi ilustruese

 Eksperti për Ballkanin, ish i dërguar i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit dhe ish-zëvendës presidenti i Institutit Amerikan për Paqe (USIP) Daniel Serwer, ka thënë se Kosova do të ballafaqohet me presion ndërkombëtar për marrëveshje të shpejtë me Serbinë.

Ai ka deklaruar se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vejnë presion të fuqishëm mbi Kosovën për arritjen e marrëveshjes me Serbinë para zgjedhjeve në Beograd në pranverë të vitit 2020.

Ai po ashtu theksoi se Kosova duhet të jetë e gatshme të refuzojë çfarëdo lloj marrëveshje që shkel integritetin e saj territorial. Në shkrimin e publikuar në blogun e tij, Serwer ka theksuar se “nuk shoh asnjë përparësi për Kosovën nëse dorëzohet para një presioni të tillë”.

Njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë, se Kosova nuk duhet të pranojë asnjë lloj presioni apo marrëveshje me lëshim trojesh e me krijim enklavash serbe. 

Shahu: Këta politikanë që pranojnë të lëshojnë territor apo të krijojnë Serbia të vogla nëpër Kosovë, do të jenë tradhtarë njëmijë vjet

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se Kosova nuk duhet të pranojë asnjë lloj presioni apo marrëveshje me lëshim trojesh e me krijim enklavash serbe nëpër Kosovë.

 “Kosova ka bërë lufte, ka derdhë gjak për tokën e lirinë dhe nuk ka shansë që në paqe me humbë territor e me humbë liri. Kosova duhet me heqë dorë prej çfarë do aleati që i kërkon me dorëzua troje, apo që i kërkon që të bashkohet me Shqipërinë gjysma e Kosovës e gjysma me i mbet Serbisë. Nuk ka asnjë ngutje Kosova me arritë marrëveshje me Serbinë, Serbia ka ngutje, por jo Kosova. Kosova të rrijë qetë e të lëvizë duke mos lëvizë, duke heshtë e duke mos ndryshua kërkesat sipas orekseve të politikanëve të radhës që hupin në pushtet”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Ai konsideron se, Kosova nuk duhet të shpërblejë ‘xhelatin’ e vet me territor Kosovë, dhe nuk duhet të qahet si viktimë mjerane, por territorin, dinjitetin dhe krenarinë duhet ta ruajë.

 “Kurrë mos të shoh ëndërr askush që ta shpërblejmë Serbinë dhunuese me territor shqiptar, për hatër të asnjë shteti apo fuqie mike. Ata shtete e fuqi mike që janë vërtetë mike që luftuan për lirinë e integritetin e Kosovës, ata nuk bënë luftë që në paqe me ia dhëne Serbisë pjesës territoret të Kosovës”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Zogaj: Kosova ka humbur shumë kohë në të gjitha fushat e jetës dhe ia ka gjymtuar vetvetes perspektivën e merituar

Image
Skender Zogaj

Analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se, Kosova ka humbur shumë kohë në të gjitha fushat e jetës dhe ia ka gjymtuar vetvetes perspektivën e merituar dhe të sigurt që ia kanë siguruar projektimet e bombarduesve të NATO-s, që u kanë vu flakën kazermave serbe dhe i kanë detyruar serbet të largohen nga Kosova dhe ta kuptojnë se Kosova nuk është djepi serb.

Ai ka thënë, se shtetasit e Kosovës këtë dhuratë e kanë keqpërdorur brutalisht, sepse pas çlirimit kanë manifestuar afsh shkatërrues, në gjithçka dhe Kosova ka ra peng në duart e "shpëtimtarëve" të shpifur, që e kanë rrjepur.

“Krijimi i institucioneve ligjore dhe i shtetit funksional është monedhë tregu për nëntokën e korrupsionit dhe krimeve, që e kanë degjeneruar edhe vlerën e luftës çlirimtare, me 30 mijë certifikata për veteranë të rremë, me 10 mijë falsifikatorë nepotikë të instaluar në administratën shtetërore, e deri te tregtia me kufirin e vendit, që është abuzimi më drastik me lirinë dhe pavarësinë e shtetësisë së Kosovës. Të gjitha këto qe 20 vjet e mbajnë peng Kosovën”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Ai konsideron se, Bashkësia Ndërkombëtare ka shpresuar, por tash e ka kuptuar se shqiptarët vetëm tutës i binden dhe, siç po shihet, do ta përdorin këtë mjet.

“Dhe mirë bëjnë sepse vetëm shtaga kryen punë, për arritjen e marrëveshjes së vonuar me Serbinë, që ka ndodhur me fajin e Kosovës, e cila e ka humb çdo lloj të drejtë për ankim, edhe nëse marrëveshja na i djeg buzët. Kosova nuk ka të drejtë morale të mos bindet sepse, vet e ka fajin”, ka thënë Zogaj.

 Mehazi: Ky presion nuk do jetë ndaj Kosovës, po më shumë ndaj Serbisë e cila assesi nuk pranon dialog me Kosovën

Image
Sulejman Mehazi

Kurse, njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi, ka thënë se sipas thënieve të Serwer shihet hapur se ky presion nuk do jetë ndaj Kosovës, po më shumë ndaj Serbisë e cila kurrqysh s'pranon dialog me Kosovën.

“Mendoj se nuk ka arsye për t'i dhënë trysni qeverisë së re të Albin Kurtit, pasi Serbia është e detyruar të lëshon pe ndaj kërkesave për ndarjen e Kosovës e jo Albini për të mbrojtur tërësinë territoriale të pranuar nga bashkësia ndërkombëtare. Me ardhjen e Kurtit në qeverinë e Kosovës artikulimi politik i marrëveshjes së shpejt e para zgjedhjeve serbe do jetë më i qartë, më argumentuese e më i shpejt kundrejt Serbisë. Principialiteti politik i Albinin do ta bënte inferior Vuçiqin dhe Daçiqin, sidomos me kërkesën e dëmshpërblime serbe ndaj popullit të Kosovës”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

 Ai konsideron se, dëmshpërblimet serbe e detyrojnë që Vuçiqi e Tadiqi të dërgojnë politikë defanzive kundrejt BE-së dhe SHBA-së, po edhe ndaj qeverisë së Albin Kurtit.

“Kjo kërkesë e madhe e Kurtit për dëmshpërblimet serbe do ta detyronte Serbinë, të dorëzohej ndaj presioneve të fuqive të mëdha. Dialogu me Serbinë është i rëndë e i vështirë dhe s'është e mundur të arrihet marrëveshja para zgjedhjeve serbe më 2020. Po marrëveshja Kosovë-Serbi, përsëri do varet jo nga shqiptarët e serbët, por nga serioziteti i BE e SHBA-së, nëse ata kanë vendosur që ky dialog i stërzgjatur të përfundonte me marrëveshje do përfundonte, e nëse mbetet në duar e serbëve dhe shqiptarëve ky dialog do ishte i pafund”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat