Kush e futi përsëri SHIK-un në Kuvend?

Politika

Kush e futi përsëri SHIK-un në Kuvend?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 2 nëntor 2019 Në ora: 11:19
Foto ilustrim

Ndonëse zgjedhjet e fundit prodhuan shumë ndryshime pozitive, hije të keqes i ra futja e pesëshes kryesore të SHIK-ut në kuvend. Përveç vetës së tij  Kadri Veseli, ka arritur t’i fusë në Kuvend  edhe katër anëtarë të tjerë të organizatës që e kishte udhëhequr pasluftës me emrin SHIK. Pas Kadriut janë edhe Ferat Shala, i cili ka udhëhequr Drejtorinë Kundër-Zbulim në SHIK, pastaj Elmi Reçica.

Reçica ishte Zëvendës i Kadri Veselit në ShIK. Është pjesë e Parlamentit në disa mandate ndërsa ka udhëhequr edhe komisione parlamentare. Tjetri është Bekim Haxhiu si dhe Fatmir Xhelili, i cili  ka qenë Shefi i Drejtorisë për Luftimin e Krimit të Organizuar në ShIK. E çuditshme është se këta kanë marrër numër të madh të votave, edhe përkundër që nuk gëzojnë imazh të mirë në popull. Kjo le për të dyshuar se votat e tyre janë kontrabanduar brenda partive të tyre, në mënyrë që të mbajnë partinë,d he rrjedhimisht aq sa munden edhe ndikimin e tyre përtej saj.

Ndonëse thuhet se  SHIK-u u shua në 2008, ka ende dyshime se kjo organizatë vazhdon veprimtarinë e saj , tani në forma dhe mënyra të tjera. Inkuadrimi i  Pesëshes së famshme të SHIK, është një tjetër argument që qeveria e ardhshme të fuqizojë drejtësinë, ta çliroj atë nga kapja për të kthyer besimin tek qytetarët. Konkretisht për të kthyer besimin e Pesëshes tjetër të familjeve të viktimave që kanë pësuar pikërisht nga SHIK.

Karroca e deputeti të ri Fetah Rudi është zëri kumbues që duhet të dëgjohet, që të zbardhet e vërteta e atyre që urdhëruan vrasjen e tij, që fatmirësisht nuk ndodhi. Shikuar në këndvështrimin e një familjari që ka pësuar nga SHIK, kur sheh në kuvend fytyrat e atyre që duhet të jenë para drejtësisë, shpërfaq katërcipërisht dështimin e shtetit deri tani, si dhe nevojën e ndryshimit që duhet të vinte qysh moti.

Megjithatë, edhe tani, asnjëherë nuk është vonë për të shëruar shpirtrat e familjarëve që kanë pësuar, vetëm se mendon ndryshe, dhe nuk ishin pjesë e bandave që synonin pushtetin, rrjedhimisht të pasurohen brenda natës. Si do të reagoj ndonjëri nga këta të pestët e SHIK-ut, kur do të takoj në korridor të kuvendit, apo brenda në kuvend Fetah Rudin apo djalin e Xhemajl Mustafës. A thua do të skuqen, turpërohen apo do të jenë gjak ftohur përballë viktimave.

Sa herë të shohin familjarët, bijtë e atyre që sot nuk janë, pjesa kryesore e SHIK-ut, s’kanë se si të mos turpërohen. Nëse drejtësia asnjëherë s`do të arrijë të merr hak, gjaku i atyre të pafajshmëve s`do t’i lë asnjëherë  të qetë.  Kjo qeveri, ndër prioritet kryesore duhet të ketë hetimin për SHIK-un dhe jam i bindur se nga kjo, natyrisht me shkundjen e drejtësisë, do të dihet kush urdhëroj vrasjet e ish aktivistëve të LDK-së, të cilët janë peshë e rëndë për Kosovën.

Tanimë është duke u krijuar një realitet krejtësisht tjetër, megjithatë ka ende indikacione se SHIK ende vazhdon të ketë ndikimin e saj në emërimin e drejtorëve të policisë, si dhe gjyqtarëve. Kjo është parë edhe në aferën “Pronto”, mes njerëzve të SHIK-ut, të cilët nuk hezitonin të flisnin për pazare të emërimeve të njerëzve të tyre.

Tanimë që SHIK-u, respektivisht PDK s`do të jetë në pushtet, i mbetet qeverisë së re, që pritet të formohet së shpejti, që të shkund shtetin e kapur, duke larguar drejtësinë nga SHIK-u. Dhe duke filluar të hetohet kjo e fundit për të gjithë aktivitetin e tyre, nga ku edhe do të del e vërteta për vrasjet e pasluftës, që ende rëndojnë shumë mbi familjarët, shoqërinë dhe Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat