Sot 20 vjet nga ekzekutimi i Imerit: Familja akuzon këta persona për vrasjen e Hakiut

Politika

Sot 20 vjet nga ekzekutimi i Imerit: Familja akuzon këta persona për vrasjen e Hakiut

Nga: N.Sh Më: 2 nëntor 2019 Në ora: 15:00
Haki Imeri

Sot, me 2 nëntor u bën 20 vjet që nga kidnapimi dhe ekzekutimi i veprimtarit të LDK-së, Haki Imerit.

Ishte 1 nëntori i vitit 1999, menjëherë pas çlirimit të Kosovës, kur ndodhi kidnapimi i Imerit, me një veturë të zezë në fshatin Burojë, ndërsa të nesërmen u vra në fshatin Aqarevë.

Kjo ishte vrasja e parë politike në Kosovën e çliruar për të vazhduar më pas me qindra vrasje të tjera.

Familja e Hakiut ekskluzivisht flet për gazetën “Bota sot”, në 20 vjetorin e vrasjes së tij, vrasja kjo akoma e pazbuluar nga organet e drejtësisë.

“U bën 20 vite që drejtësia nuk bëri asgjë për ndriçimin e rastit të vrasjes së Haki Imerit, asgjë për faktin se është kapur nga shefi i drejtorisë politike të UÇK-së, Hashim Thaçi. Mos ndriçimi i këtij rasti dhe rasteve të tjera, tregon se kush ishte urdhërdhënësi dhe kush janë ata që për 20 vite e penguan drejtësinë për të mos u zbuluar kjo vrasje e cila ishte vrasja e par politike në kohën e pasluftës”, thonë familja e Hakiut për gazetën “Bota sot”.

Familja Imeri beson se ky rast do të ndriçohet nga Gjykata Speciale, pasi thonë se tash po trajtohet nga Dhomat e Specializuara të kësaj gjykate, dhe po trajtohet me seriozitet profesional dhe etik.

Familja thotë se tash u bën 3 vite që prej kur Hashim Thaçi shkoi të u kumtojë lajme të rrejshme në shtëpinë e tyre në lidhje me vrasjen e Hakiut.

“Thaçi e organizoi edhe një akademi për të, me të cilën ne familja e ngushtë nuk pajtuam, por kjo na dha të kuptojmë se ai është përgjegjësi pasi për 17 vjet nuk ishte parë as për ngushëllime e as edhe një letër ngushëllimin nuk e kishte dërguar në familjen tonë, sepse Haki Imeri ishte edhe mësuesi e kujdestari i klasës së Hashim Thaçit”.

“Vizita e tij nuk na befasoj, por guximi i tij për të manipuluar dhe për të hedhë dëshmi të rrejshme është një vendimmarrje shtesë kriminale e cila nuk e nxjerr nga pafajësia por e fut edhe me thellë në skenarin e krimit të 2 nëntorit të vitit 1999”, thonë familja.

Familja përsëri thotë se Zyra e Prokurorit Special me seli në Hagë është duke e trajtuar këtë vrasje dhe besojnë shumë në seriozitetin e punës së Dhomave të Specializuara.

Familja Imeri ka folur edhe për koalicionin e mundshëm LDK-LVV dhe Qeverinë e re.

Ata besojnë se duhet të ndodh ky koalicion sa më shpejt sepse është i vetmi i besueshmi dhe i qëndrueshmi që mundet të ç’kapë shtetin nga krimi i politikanëve bandit, të cilët, sipas tyre, në emër  të “çlirimit” e kanë shkatërruar themelin e shtetit.

“Albin Kurti si fitues i këtyre zgjedhjeve dhe si kryeministër i ardhshëm i Kosovës ka përkrahjen tonë. Një qeveri e re DK-LVV është vullneti i qytetarëve të Kosovës, dhe ky vullnet duhet sa më shpejt që është e mundur të implementohet. I dëshirojmë Kosovës një qeveri të re e cila punon për qytetarin dhe shtetin e Kosovës, kurse Qeverisë Kurti i urojmë punë të mbarë dhe Kosovës rrugëtim drejt integrimeve Euroatlantike”, përfundon familja Imeri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat