Albin, mos u dorëzo!

Politika

Albin, mos u dorëzo!

valon rogova Nga valon rogova Më 3 nëntor 2019 Në ora: 15:43
Albin Kurti

Albin Kurti është fituesi real i këtyre zgjedhjeve. Ai kërkonte ndryshim dhe duhet ta pranojmë se ndryshimi ndodhi. Por, nëse i ndërron qëndrimet politike atëherë edhe ndryshimi relativizohet deri në atë pikë sa, nuk do të ketë më kurrfarë kuptimi.

Kurti e shante Thaçin kur takohej me Aleksandër Vuçiqin. Dhe po, Thaçi zgërdhihej para tij duke e turpëruar popullin e Kosovës që kishte vuajtur ditë të zeza nën regjimin shërbëtor i të cilit ishte ky politikan i poshtër. Por ja, i erdhi dita Albin Kurtit dhe ai e ka mundësinë të korrigjoj këtë veprim: të mos zgërdhihet para tij, të sillet ftohtë e të përfaqësojë denjësisht dhimbjet tona.

Bile bile, unë nuk shoh asnjë arsye pse Kurti duhet të shkojë në Bruksel që të takohet me Vuçiqin. Nuk ka ekzistuar kurrë një moment i tillë politik në të cilin duhet me mish e me shpirt të avokojmë tërheqjen nga negociatat. Tash është momenti për “Jo negociata, Vetëvendosje!” sepse Serbia është bërë tepër agresive dhe ka treguar se nuk bisedohet me ta.

Mos bisedo, të paktën jo pa kushte Albin. Mos iu jep atë kënaqësi. Ajo që ka bërë Serbia në dy vitet e fundit, jo vetëm që tregon se nuk pendohet për atë që ngjau në Kosovën e viteve ’90, por bile tregon se po ta kishin mundësinë do të na bënin edhe më zi. Mos iu jep kënaqësinë që t’i avancojnë interesat e tyre e lidhjet me Evropën, sepse nuk e meritojnë. Serbia vazhdon të jetë fashiste, bile më shumë se kurrë. E me fashizmin, s’ka ujdi. Me fashizmin duhet të tregohemi sa më të ashpër, sa më të këqij që është e mundur.

Vuçiqi mu në Kosovë e tha hapur se Millosheviqi kishte qëllime të mira por strategji të dobët. Kjo mund të interpretohet edhe se Vuçiqi përnjëmend do të shkonte më larg në politikën e spastrimit etnik që do t’i jete atyre “Serbinë e Madhe” që e ëndrrojnë aq shumë.

Gjestet vlejnë sa krejt bota. Qëndrimet e Albinit kanë peshë të jashtëzakonshme sot. Dikur, përnjëmend e kritikoja Albinin si destruktiv e kështu me radhë, por sot politika e tij në relacion me Serbinë është më e nevojshme se kurrë. Serbia është më e egërsuar se kurrë. Dhe qyqarllëku nuk po kryen punë.

Kemi nevojë urgjente për Albinin e dikurshëm, për Albinin kryefortë që nuk zmbrapset në qëndrimet e tij as ndaj BE-së, as ndaj Amerikës, as ndaj askujt. Kemi nevojë për një lider politik që e faktorizon vendin tonë, qoftë edhe duke i bërë ca dëme vetes, ca dëme shtetet, sepse ky është një rrezik që duhet marrë. Ky është një rrezik që i thotë JO defaktorizimit të mëtutjeshëm, i thotë JO projekteve politike që po na sillen vërdallë e po na e prishin gjithë atë për të cilën sakrifikuam.

As sa i përket oligarkëve, as sa i përket ekonomisë, Albini nuk duhet të dorëzohet. Pabarazia, o miqtë e mi, po rritet dhe ne po e pësojmë në supet tona gjithë atë ngarkesë. E gjithë kjo rini po vjetrohet e plaket duke qenë e dëshpëruar, duke qenë e shkelur dhe e keqtrajtuar. Jo të gjithë ishim me fat pas lufte, përkundrazi, shumica ishim të pafat dhe sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për një përfaqësim dinjitoz që na merr në konsideratë, që na e njeh ekzistencën, që na i njeh hallet, e që nuk na shan e poshtëron si liderët e deritashëm.

 

Ne duam të krijojmë familje, të mbajmë familje, t’i çelim sytë me pak perspektivë – dhe dëshpërimi jonë meriton të ketë një adresë. Albin, mos u dorëzo as në këtë pikë! Mos na tradhto, sepse në këtë pikë nuk ta falim. Nuk ta falim sepse bëhet fjalë për asgjë më pak se jetën tonë. Ti mund të flasësh bukur edhe pasi të na tradhtosh eventualisht duke e futur në pazar fatin tonë, por ne jemi SHUMICË. Ne, të pakënaqurit! Na e bëj një çare. Nxjerre këtë popull të vuajtur nga fukarallëku dhe vazhdo të ruash qëndrimet që i kishe sa ishe në opozitë. Sepse ndryshe, s’kemi nga t’ia mbajmë.

Dhe ruaje demokracinë! Mos u bëj si liderët e tjerë të politikës që demokracinë në partitë e tyre e kanë farsë. Çliroje partinë tënde, në rend të parë. Ajo është e kapur nga servilizmi. Njerëzit nuk po të shohin si shërbëtor, ashtu siç edhe duhet të jesh, por po të shohin si një lloj shpëtimtari me krahë si të ishe pjesë e ndonjë mitologjie greke. Nuk je i tillë! Çliroje Vetëvendosjen, jepu mundësinë njerëzve të të kritikojnë, sepse kjo është përtej ego-s tënde, kjo ka të bëj me demokracinë tonë e të cilën e duam shumë! A të kujtohen dy gishtat që i ngrisnim në demonstrata? Ato nuk kishin të bënin me LDK-në por me demokracinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat