A e dëmtojnë deklaratat e Hazirit koalicionin me VV-në? Flasin nga LDK, japin një mesazh të fuqishëm

Politika

A e dëmtojnë deklaratat e Hazirit koalicionin me VV-në? Flasin nga LDK, japin një mesazh të fuqishëm

Nga: V.R Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 20:33
Lutfi Haziri dhe zyrtarë të LDK-së

Një deklaratë e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Hazirit, se posti i kryeministrit të Kosovës, do të kalojë nëpërmjet zyrave të LDK-së, nxiti reagime të mëdha.

Madje, nga disa pjesëtarë të shoqërisë civile, një deklaratë e këtij lloji, u cilësua si dashakeqëse dhe se mund të jetë shkaktare për dështimin e një marrëveshje eventuale për krijimin e qeverisë së re, respektivisht marrëveshjes LDK-Vetëvendosje.

Por sipas zyrtarëve të LDK-së, deklarata e Hazirit është e qëndrueshme dhe se nuk e dëmton arritjen e një marrëveshje në mes të LDK-së dhe VV-së.

Bajram Gecaj, për “Bota sot”, pohoi se deklaratat e Hazirit, nuk e dëmtojnë arritjen e një koalicioni, përkundrazi e fuqizojnë atë.

Pasi që sipas tij, Lutfi Haziri është një nga figurat kryesore të LDK-së dhe sei përfaqëson interesat e saj.

“Jo, nuk e dëmtojnë fare. Lutfi Haziri është nënkryetar dhe njëra nga figurat kryesore të LDK-së. Haziri përfaqëson LDK-në dhe interesat e saj, jo të asnjë partie tjetër. Nëse do të ketë marrëveshje koalicioni me LVV do të varet nga fryma bashkëpunuese dhe marrëveshja e dy të barabartëve, ashtu siç na ka përcaktuar sovrani”, tha Gecaj.

Më tej, Gecaj, shtoi se nëse nga ana e LVV do të ekzistoj vullneti dhe sinqeriteti si në anën e LDK-së, marrëveshja do të jetë e sigurt e bashkëqeverisja e fuqishme.

Ndryshe, sot është mbajtur takimi i pestë me radhë ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, me ç`rast u diskutua për arsimin dhe shëndetësinë. Në këtë takim pjesëmarrës ishte edhe nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat