Misioni i kotë i UNMIK-ut në Kosovë - Bota Sot
Misioni i kotë i UNMIK-ut në Kosovë

Politika

Misioni i kotë i UNMIK-ut në Kosovë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 4 nëntor 2019 Në ora: 21:23
Këshilli i Sigurimit

Misioni i UNMIK-ut është formal në Kosovë pa ndonjë detyrë, përveç disa rutinave administrative dhe përgatitjeve të raporteve për OKB.

Vendet mike të Kosovës, thuajse në secilën mbledhje të Këshillit të Sigurimit, kërkojnë përfundimin e mandatit të këtij misioni, pasi sipas tyre, i njëjti nuk ka më punë në Kosovë.

Njohësit e çështjeve politike e juridike thonë se, deri më tash ky mision mbeti kot në Kosovë prej vitit 2008 dhe se nuk ka kuptim më kjo zyrë në Kosovë.

Ata vlerësojnë se nëse konstatohet se UNMIK-u me aktivitetet e veta del jashtë mandatit, të cilin e ka aktualisht në Kosovë dhe u bën dëm apo i pengon disa procese pozitive në vend, atëherë Organizata e Kombeve të Bashkuara duhet të informohet, nëse ka nevojë prej saj të kërkohet që ky mision ose të korrigjohet, apo të tërhiqet tërësisht nga Republika e Kosovës.

Burjani: UNMIK është formal në Kosovë, pa ndonjë detyrë

Kurse, njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani ka thënë se, UNMIK ësht

Image
Blerim Burjani

ë formal në Kosovë pa ndonjë detyrë përveç disa rutinave administrative dhe përgatitjeve të raporteve për OKB.

Sipas tij, deri tash ky mision mbeti kot në Kosovë prej vitit 2008, madje të gjithë e din që nuk ka kuptim më kjo zyrë në Kosovë.

“Mendoj se OKB ende mban një zyre dhe paguan shpenzime për të mbajtur këtë zyre në Kosovë, përderisa Serbia luan me OKB-në dhe me këtë zyre, sipas interesave që ka dhe ende merret me raportime për Kosovën në OKB, deri më tash SHBA-në dhe Britania kanë kërkuar heqjen e raportimit në OKB për Kosovën. Po ashtu mendoj se duhet të kërkohet edhe heqja e këtij misioni nga Kosova. Mandati i kësaj zyre lidhet me 1244 formalisht, një rezolutë kjo e cila mban vetëm KFOR-i në Kosovë por jo me administratë civile në Kosovë”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike Burjani.

Ai konsideron se, që zyra duhet të hiqet nga OKB me propozim të SHBA-së dhe Francës dhe Britanisë, përderisa 1244 mban vetëm KFOR-i në Kosovë deri në arritjen e paqes së qëndrueshme.

“Mendoj se BE –ja dhe SHBA-ja duhet që sa më parë duhet të angazhohen që të arrihet marrëveshja e përhershme Kosovë -Serbi për normalizim”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani.

Image
Sali Rexhaj

Analisti politik Sali Rexhaj, ka thënë se problemi rreth UNMIK-ut dhe mundësia për ta larguar është pak më i komplikuar.

Sipas tij, për largim duhet të vendosë Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe Rusia si anëtare e KS vendosë veto, por shtetasve të Kosovës më shumë duhet ti preokupojë lufta kundër krimit e korrupsionit.

“Neve më shumë duhet të na preokupojë lufta kundër krimit e korrupsionit dhe forcimi i shtetit ligjor, pastaj dialogu me Serbi dhe arritja e një marrëveshje e cila nuk e rrezikon integritetin territorial të Kosovës. Pra rreth UNMIK-ut duhet të kemi ende durim, sepse edhe ashtu si i tillë si është sot thuajse është margjinalizuar plotësisht ndikimi i tij. Kosova siç tha edhe Pallmer, përfaqësohet nga institucionet tona dhe liderët e tyre të zgjedhur në mënyrë demokratike”, ka thënë analisti politik Sali Rexhaj.

Berisha tregon si të veprohet në rastin e UNMIK-ut

Kurse analisti politik Ejup Berisha ka thënë për “ Bota sot” se për çështjen në fjalë kompetente janë institucionet legjitime të Republikës së Kosovës si Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ai konsideron, se këto pra duhet ta bëjnë lejimin apo ndalimin e aktiviteteve të Organizatave Ndërkombëtare në territorin e Republikës së Kosovës.

Image
Ejup Berisha

“Përmes angazhimit të organeve kompetente të RKS-së të cilat duhet ta bëjnë vëzhgimin e aktiviteteve dhe veprimtarive të atyre organizatave të ndryshme të cilat veprojnë aktualisht në Kosovë. Ndërsa në bazë të të dhënave dhe dëshmive të siguruara nga institucione shtetërore kompetente të cilat e ndjekin apo dhe i vlerësojnë punët dhe aktivitetet e tyre. Këto pra duhet të shohin se cilat prej tyre veprojnë në kuadër dhe komfor mandatit që e kanë e cilat veprojnë jashtë mandatit të tyre apo dhe gjatë aktiviteteve të tyre në mënyrë të qëllimshme apo ndoshta dhe pa vetëdije mund t`i shkaktojnë ndonjë dëm shtetit si dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Sipas tij, një shtet sovran dhe i pavarur në territorin e të cilit veprojnë më shumë organizata ndërkombëtare duhet të përpiloj listë të atyre organizatave që mund të vazhdojnë të qëndrojnë dhe të zhvillojnë aktivitete në territorin e RKS-së dhe cilat jo.

“ Po ashtu mendoj se duhet ta ndryshojnë mandatin se cilat duhet të mbeten në kuadër të mandatit të tyre, e cilat jo, por meqë Republika e Kosovës ndodhet në vakum institucional pra akoma pa Kuvend të Konstituuar dhe pa Qeveri të formuar atëherë neve na mbetet që Institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e fundit Parlamentare në Kosovë tu sugjerojmë dhe tu rekomandojmë që ta kenë parasysh edhe këtë çështjen e aktiviteteve dhe veprimtarive të Organizatave të ndryshme ndërkombëtare të cilat veprojnë në Kosovë. Pra bërja e një liste të tillë është prioritet i Institucioneve të vendit me qëllim që të vendoset rend disiplinë dhe kontrollë në lëmin e veprimtarive dhe aktiviteteve të Organizatave ndërkombëtare. Tani nuk mundemi të predikojmë se çfarë do të ndërmarrin institucionet legale dhe legjitime të Republikës së Kosovës, sepse ato akoma nuk ekzistojnë ndërsa të vjetrat tani për tani duhet të merren me kryerjen dhe ushtrimin e kompetencave kryesisht teknike deri te formimi i institucioneve të reja shtetërore”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Ai ka vlerësuar se misioni i UNMIK-ut në territorin e Republikës së Kosovës ka pasur edhe vlerësime pozitive, por kohë pas kohe edhe vlerësime negative, madje se edhe po i pengon disa procese pozitive në RKS.

“Nëse konstatohet se UNMIK-u me aktivitetet e veta del jashtë mandatit të cilin e ka aktualisht në Kosovë dhe u bën dëm apo i pengon disa procese pozitive në vend, atëherë Organizata e Kombeve të Bashkuara duhet të informohet dhe nëse ka nevojë prej saj të kërkohet që ky mision ose të korrigjohet, ose të tërhiqet tërësisht nga Republika e Kosovës. Por dyshimet dhe dëshmitë për aktivitete të dyshimta siç thashë më lartë duhet t`i sigurojnë paraprakisht Prokuroria kompetente dhe organet e hetuesisë”, është shprehur analisti politik Ejup Berisha.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat