Pse po vonohet marrëveshja për koalicion mes LDK-së dhe LVV-së? Analisti politik ka një shpjegim

Politika

Pse po vonohet marrëveshja për koalicion mes LDK-së dhe LVV-së? Analisti politik ka një shpjegim

Nga: N.H Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 22:39
Kurti dhe Osmani

Gjatë ditës në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës është mbajtur takimi i radhës mes grupeve punuese të kësaj partie dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në këtë takim u diskutua për programin për shëndetësi dhe arsim.

Mirëpo, përkundër përplasjeve të vazhdueshme për pozitën e kryeministrit, sic u pa  diskutimet e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e këtyre takimeve.

Sipas Glauk Konjufcës së Vetëvendosjes, prania e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri në takimin e pestë, përkundër deklarimeve të tij, ka qenë kontributdhënëse.

Konjufca takimin e së hënës, në të cilin është diskutuar për shëndetësi e arsim, e cilësoi si një nga takimet me më së shumti pajtueshmëri mes dy partive.

E lidhur me këto takime, është deklaruar edhe njohësi i zhvillimeve në vend.

Njohësi i proceseve zgjedhore, dhe njëherësh analist politik, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se vonesa në arritjen e një marrëveshje për qeverinë e ardhshme, po bëhet për shkak të mos certifikimit të rezultateve të 6 tetorit.

“Njëherë duket për shkak të jo certifikimit që është plotësisht e saktë, pa certifikim të zgjedhjeve nuk ka procedura tjera që të zbatohen në pikëpamje ligjore, pastaj partitë duhet të veprojnë konformë kushtetutës për të themeluar institucionet, një tjetër çështje që ka mundur të bëhet është të lidhet marrëveshje për koalicion, por kjo nuk po ndodhë”, ka deklaruar Burjani.

Me tej, ai ka thënë se në mes të LDK-së dhe LVV-së ka edhe një hendekë të madh dhe ndarje të plota programore.

“LDK nuk beson se me Lëvizjen Vetëvendosje mund të ketë koalicion normal të veprimit, pra ka shumë hendekë dhe ndarje të plota programore dhe tema që fare në asnjë pikë nuk i bashkon, kjo mund të sjell ngërç të ri politik në vend. Deri tash ka rezistencë nga LDK në një formë, pra po vjen duke u komplikuar gjendja, të pritet dhe të shihet çfarë do të ndodhë”, ka thëmë me tej njohësi i proceseve zgjedhore.

Ndërsa, në fund, Burjani ka theksuar se nëse eventualisht nuk arrihet një marrëveshje, e udhës do të ishte të formohet qeveri reformuese shtetërore me një mandat katërvjeçar të përberë nga ekspertët.

“Nëse ky koalicion dështon do të ishte më së miri të formohet qeveri reformuese shtetërore me një mandat katërvjeçar të përberë nga ekspertët, që do të ketë përkrahjen e deputetëve të Kosovës ose do të ketë zgjedhje të reja”, ka përfunduar Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat