Nëse dështon koalicioni LDK-Vetëvendosje, fiton PDK, humb Kosova

Politika

Nëse dështon koalicioni LDK-Vetëvendosje, fiton PDK, humb Kosova

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 4 nëntor 2019 Në ora: 22:49
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Shpeshherë në jetë duhet gjëra që na imponohen, pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi. Kjo nënkupton që mos të përjashtohet asgjë që është e ligjshme, nëse bashkimi i forcave me subjektin tjetër presupozon sukses. Dihet se LDK dhe Vetëvendosje kanë orientime të ndryshme partiake, njëra është djathtiste dhe tjetra e qendrës së majtë. Nëse vendi ynë do të ishte në një gjendje krejtësisht normale, shumë kush përfshirë edhe mua s`do të isha shumë dakord më një bashkim të tyre në një koalicion.

Gjendja aktuale në vend e imponon një koalicion të tillë. Sepse mbi të gjitha ky ishte dhe është vullneti edhe i votuesve të të dyja partive politike. Ky vullnet bazohet në largimin e PAN si e keqja më e madhe e vendit aktualisht, për të shpresuar së një koalicion mes dy partive kryesore opozitare do të ndryshojë realitetin, përkatësisht do të përmbys këtë realitet të dhimbshëm, që prodhon varfëri, korrupsion dhe ikje të qytetarëve. Ky koalicion natyrisht se nuk është i mirëpritur nga PAN, të cilët ditë e natë lutën që koalicioni VV-LDK të dështojë. Mjaftuan disa deklarata për mundësinë që një koalicion i tillë mund të mos arrihet, që menjëherë të shfaqet gëzimi i heshtur nga PDK. Kjo e fundit nga frika që një koalicion i tillë të mund 0arrihet, lutet shumë që dështimi të ndodhë. Një gjë të tillë s`duhet ta lejojnë asnjë nga partitë si LDK apo Vetëvendosje. Kjo duhet të ndodh për shumë arsye, por kuintesenca patjetër që duhet të jetë: Interesi i qytetarëve të Kosovës për ndryshim dhe kthimi i besimit te qytetarët tek qeveria. Mund të ketë eksponentë të caktuar të të dyja partive që nuk janë shumë dakord me një koalicion të tillë dhe kjo është krejtësisht normale, duke e besuar se shumica e vendimmarrësve tek të dyja partitë të kenë parasysh disa gjëra. Së pari dështimi i arritjes së një koalicioni të tillë do të dëshpëronte qytetarët tek të dyja partitë, tek të cilat ata shohin ndryshimin. Kjo do të shtonte poenë politikë tek koalicioni në ikje, të cilët do të krekosen me dështimin e fituesve ende pa filluar të qeverisin. Mos arritja e një koalicioni të tillë do të thoshte përsëri shkuarja në zgjedhje, me mundësinë që VV dhe LDK të marrin vota më pak, sidomos LDK, e cila do të fajësohet për dështim.

Edhe sikur kjo e fundit mos të ndodhte, për hir të interesave të qytetarëve, për çka edhe thirrën, duhet të gjejnë kompromisin për bashkim. Që nga paslufta asnjë koalicion nuk është parë dhe pritur me një entuziazëm të tillë, e kjo dëshmon se pritjet janë të mëdha. Këto pritje i tejkalojnë kufijtë e Kosovës duke shtuar një frymë të re edhe në Shqipëri, të cilët me Vjosën dhe Albinin shohin tandemin e shkëlqyer për të përmbytur estabilishmentin politikë shumë vjeçar. Kjo shans që u është dhënë nuk guxon dhe nuk duhet humbur, ndryshe mallkimi i fatit i do i ndjek kudo.

Duhet tejkaluar dallimet të çfarë do natyre qofshin, e të cilat pavarësisht përmasave të tyre, nuk ka shanse të jenë më të mëdha së interesi për të arritur një koalicion të tillë. Ky koalicion supozohet dhe pritet që të punoj me duart e pastra, krejtësisht ndryshe nga ajo që është bërë deri tani. Duke njohur brezin e ri në LDK dhe Vetëvendosje, që u prijnë këtyre bisedimeve, jam i bindur dhe dua të besoj në arritjen e një koalicioni të tillë. Natyrisht nuk duhet pritur se do të bëjë mrekulli pasi duhet kohë për të parë sukseset, megjithatë më rëndësi është të ndryshohet kahja dhe mentaliteti qeverisës. Hipotetikisht nëse nuk arrihet një koalicion dhe vendi shkojë në zgjedhje, do i jepte mundësi PDK të rikthehet nga “ varri” ku u varros me 6 tetor. Këtë gjëmë nuk duhet t’ua bëjnë qytetarëve ata që janë votuar për ndryshim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat