Loja e pafundme e rinumërimit, kush po i tërheqë penjtë prapa skenës së KQZ-së?

Politika

Loja e pafundme e rinumërimit, kush po i tërheqë penjtë prapa skenës së KQZ-së?

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 5 nëntor 2019 Në ora: 18:56
KQZ

Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit duket se do të marr kohë. Zyrtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe partitë politikë kanë shprehur dyshimin se certifikimi mund të ndodhë këto ditë, pasi që duhet të pritet përfundimi i të gjitha çështjeve që mund të jenë parashtruar në institucionet tjera. Sipas KQZ-së ky institucion aktualisht nuk mund të bëjë certifikimin e zgjedhjeve  sepse para se të procedohet më shpalljen e rezultateve kërkohet edhe një kofrimim zyrtar nga Paneli zgjedhor për ankesa dhe parashtresa(PZAP). 

Elezi: Duhet zgjidhur të gjitha çështjet

Valmir Elezi zedhenës në KQZ ka thënë për gazetën “Bota sot” se aktualisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund t’i shpallë rezultatet përfundimtare sepse duhet të presin përfundimin e të gjitha çështjeve që mund të jenë parashtruar në institucionet tjera. 

Image
Valmir Elezi

“Pra, para se të procedojmë me shpalljen e rezultateve përfundimtare KQZ-ja kërkon konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje për të shqyrtuar apo vendosur. Vetëm pasi të kemi këto konfirmime, KQZ-ja mund të shpall rezultatet përfundimtare” ka thenë Elezi. 

Sipas tij, me shpalljen e rezultateve përfundimtare nuk përmbyllet procesi zgjedhor, pasi subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre lidhur me këto rezultate. 

“Fillimisht ankesat mund të paraqiten në PZAP dhe në rast se ky institucion hedhë poshtë ndonjë ankesë, pala e pakënaqur mund të ankohet në Gjykatën Supreme. Ne gjithashtu duhet të presim vendimmarrjen e tyre, të veprojmë në përputhje me këto vendime, nëse e obligojnë KQZ-në, në mënyrë që pastaj të mund të procedojmë për certifikimin e rezultateve përfundimtare. Në fund, pasi KQZ-ja merr vendim për certifikimin e rezultateve e njofton Presidentin e Republikës së Kosovës lidhur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve’ ka shpjeguar për “Bota sot” Valmir Elezi  zëdhenës në KQZ. 

Rrustemi: Është e pashembullt injorimi i aktgjykimit të Gjykatës Supreme

Image
Adnan Rrustemi

Mos certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit  bërë që në drejtim të KQZ-së të ketë pakënaqësi dhe kritika të shumta. Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Adnan Rrustemi ka thënë se sikur mos të refuzohej kundërligjshëm zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Supreme për numërimin e votave të mërgatës, tashmë do të kishim shpalljen e rezultateve përfundimtare. Kjo sjellje e papërgjegjshme e SKQZ-së dhe PZAP-së po e vonon shpalljen dhe certifikimin.

“Është e pashembullt injorimi i aktgjykimit të Gjykatës Supreme. Megjithëkëtë, posa të numërohen edhe këto 1806 pako nga mërgata, KQZ duhet ta bëjë shpalljen, ndërkohë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare fillon të rrjedhë afati prej 24 orësh për ankesa”, ka thënë ai.

Sipas Rrustemit marrë parasysh trajtimin që i ka bërë QNR, çdo mospërputhjeje të evidentuar, nuk ka  bazë dhe nuk priten vonesa të certifikimit.

“Eventualisht mund të kemi ndonjë ankesë të kandidatëve të ndryshëm të subjekteve politike, por për të gjitha këto duhet të ofrohen argumente dhe bazë në PZAP, por kurrsesi nuk pres që të ketë shumë ankesa, e aq më pak pres të ketë bazë për ankesa të subjekteve politike. Kësisoj pres shumë shpejt të kemi edhe certifikimin e rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së”, ka thënë për “Bota Sot”, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Adnan Rrustemi.

Lepaja: Është e paqartë kush krejt i tërheq penjtë prapa skenës

Image
Fadil Lepaja

Kurse, sipas analistit politik Fadil Lepaja ende pa u mbajtur zgjedhjet, presidenti serb VuQiç kishte prognozuar, me një siguri të çuditshme, thuajse ai i cakton afatet, se qeveria nuk formohet para dhjetorit.

“Kjo prognozë, rastësisht apo më ndonjë arsye të cilën ne nuk e dimë po del e  saktë duke pasur parasysh këto zhagitje, të cilat më shumë se për arsye të vërteta  mund të shpjegohen me pakënaqësitë e shumicës së subjekteve me rezultatet. Në fakt, ekziston një frikë  te koalicioni i kaluar, se ardhja e Vetëvendosjes në pushtet i nxjerr nga loja, ata të cilët pavarësisht se kush ishte formalisht në pushtet po qeverisnin nën hije” ka thënë Lepaja për “Bota sot”.

Sipas tij analistit Lepaja. është problematike, sidomos për politikën ndërkombëtare, nëse vetëm dy partitë LVV dhe LDK arrijnë me formua qeverinë vet, pa lënë mundësi të  kushtëzohen nga Lista Serbe e kontrolluar drejtpërdrejtë nga Beogradi.

“Kjo do të vinte në  pyetje  rrjedhën e deritashme të dialogut, duke e kthyer atë në një dialog të brendshëm me komunitetet, dhe një dialog të jashtëm me Serbinë për njohje reciproke. Prandaj, është e paqartë kush krejt i tërheq penjtë prapa skenës, të kësaj loje të pafund të  (ri)numërimit. Sidoqoftë për bindjen time e fshehë një tendencë, vështirë të realizueshme, që të përshtaten rezultatet e zgjedhjeve me interesat e oligarkëve dhe qarqeve ndërkombëtare që donin të  aranzhonin një marrëveshje pazar në kurriz të Kosovës” ka thënë Fadil Lepaja për “Bota Sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat