A po i bashkohet djali i Adem Jasharit, Lëvizjes Vetëvendosje? Flet Gani Krasniqi, shpjegon gjithçka

Politika

A po i bashkohet djali i Adem Jasharit, Lëvizjes Vetëvendosje? Flet Gani Krasniqi, shpjegon gjithçka

Nga: N.H Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 21:48
Lulzim Jashari dhe Gani Krasniqi

Në media është raportuar se Lulzim Jashari, djali i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari është parë në një takim i shoqëruar me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

I biri i komandantit Adem Jashari ka qenë pjesëmarrës i një takimi të përbashkët me kandidatët për deputetë të këtij subjekti, Liburn Aliu, Gani Krasniqi dhe Enver Dugolli.

Një foto e publikuar u konsiderua paralajmërim për zyrtarizimin e kalimit të Lulzim Jasharit në këtë subjekt politik.

Image
Pamje nga takimi

Mirëpo, lidhur me këtë gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar kandidatin për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh veprimtarin Gani Krasniqi, i cili ishte i pranishëm në këtë takim.

Krasniqi ekskluzivisht për “Bota sot”, ka shpjeguar edhe arsyen se pse Lulzim Jashari, ishte i pranishëm me anëtarët e tjerë të VV-së, në familjen e heroit, Afrim Zhitija në fshatin Llugë të Podujevës.

“Çfarë e pazakontë na qenka, kur biri i familjes emblematike, institucionit më të lartë moral e kombëtarë, në trojet shqiptare, Lulzim Jashari i shoqëruar nga veprimtarë kombëtarë e çlirimtarë, në mesin e tyre edhe bashkëluftëtarë të Komandantit Legjendar, të cilët i bënë vizitë një familje, gjithashtu emblematike, ku tridhjetë vjet më parë biri i saj, Afrim Zhitia, bashkë me Fahri Fazliun ranë heroikisht, duke luftuar fyt për fyt me policinë e pushtuesit shekullor. E pazakontë na qenka, ta vizitosh, nënë Qamilen, e babë Osmanin në moshën 90-të vjeçare, të cilët në çdo kohë për këto tridhjetë vjet ishin burim e frymëzim i yni në rrugën çlirimtare të kësaj pjese të atdheut - Kosovës”, ka deklaruar fillimisht Gani Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Ai demanton gjithçka, dhe tregon se në këtë rast nuk mund të flitet për punë të subjekteve politike, por për heronjtë e atdhedashuri.

“Jo, vizita në këto familje, nga ne pjesëtarë, të po këtyre familjeve, jo se është e pazakontë, por është detyrim, njerëzor e kombëtar për t’i vizituar; është edhe akt qytetar, civilizues; mbi të gjitha, është nder e ndjehesh i nderuar, kur je në këto e me pjesëtarë të këtyre familjeve. Në këto familje shkon për t’iu gjetur pranë e ngushëlluar, por përcillesh me zemër plotë e i forcuar. Në këto familje, s’flitet për punë partish, por për heronjtë e atdhedashuri. Kjo është ajo që mund të them, se kjo është e vërteta kësaj vizite jo të vetme, në këto familje e nga këta familjarë pa të cilët nuk do të kishim këtë liri, edhe për të shkruar në këtë hapësirë shqiptare”, është shprehur Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi krejt në fund, thekson edhe njëherë se të gjitha raportimet lidhur me këtë ngjarje, janë shkurt e trup të pavërteta.

“Fjalën e pata, për mënyrën e shkruar, duke u marrë, jo me qëllimin, esencën, të vërtetën e vizitës, por me insinuatë, hamendësime. Shkurt e trup, me të pavërteta. Mendoj, madje, jam thellë i bindur, se për këto vizita, jemi të detyruar të shkruajmë, bile edhe nderohemi, nëse nderojmë vlerën sakrificë, pa të cilën s’do të ishim të lirë”, ka thënë veprimtari Gani Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat