Ramush Haradinaj nuk ka më moral që të sillet si një kryeministër - Bota Sot
Ramush Haradinaj nuk ka më moral që të sillet si një kryeministër

Politika

Ramush Haradinaj nuk ka më moral që të sillet si një kryeministër

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 7 nëntor 2019 Në ora: 08:09
Mbledhja e Qeverisë, foto arkiv

Dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit të Kosovës. E mbledhjen e fundit, kryeministri në detyrë e kishte mbajtur me 26 korrik.

Më pas u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit. Një muaj pas mbajtjes së tyre, Haradinaj mblodhi qeverinë për të mbajtur një tjetër mbledhje, ku miratoi propozim-vendimin për kursime dhe ndarje buxhetore të organizatave buxhetore, raportin e Thesarit për të hyrat dhe shpenzimet nëntëmujore dhe propozim-vendimi për rivarrimin e dëshmorëve të kombit.

Haradinaj vlerësoi se me këtë mbledhje sigurohet funksionimi i institucioneve në aspektin buxhetor dhe siguron vazhdimin e mbështetjes dhe përkujdesjes në veçanti për kategoritë sociale.

Por, sa duhet të merren vendime nga Qeveria në largim, kur pritet që së shpejti të formohet qeveria e re?

Kadriaj: Haradinaj nuk ka më moral që të sillet si kryeministër

Image
Mustafë Kadriaj

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Mustafë Kadriaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Haradinaj edhe nëse ka bazë ligjore, duhet të ketë bazë morale dhe të mos merr vendime, derisa dhe vetë e ka dorëzuar dorëheqjen nga posti i kryeministrit.

“Parimisht jam që mos të ketë anarki shtetërore dhe nëse me ligje në fuqi ka të drejtë edhe si kryeministër në detyrë që të kryen detyrat e shtëpisë derisa t’ia dorëzon mandatit kryeministrit në ardhje, është e pranueshme por në këtë rast kryeministri Haradinaj edhe nëse ka bazë ligjore, vlerësoj që më së paku ka bazë morale duke ditur që ka dorëzuar vet mandatin si dhe rezultati i dobët i subjektit që përfaqëson tregon më së miri që nuk ka më moral që të sillet si një kryeministër por të dorëzojë detyrën mandatarit të ri”, është shprehur ai.

Kadriaj vlerëson se Haradinaj do të mbahet mend si kryeministër që i ka interesuar luksi dhe pagat, edhe përkundër performancës së dobët.

“Këtë e them sepse do të mbahet mend si një kryeministër kryeneç që nuk i ka përfillur as partnerët e koalicionit po ashtu një kryeministër që i ka interesuar luksi dhe pagat dhe përkundër zhvatjes dhe performancës së dobët gjente kohë dhe i jepte vetes të drejtë që t’ia thotë këngës, duke nënçmuar qytetarët ku dihet për mirëqenien e ulët në vend”, ka deklaruar Mustafë Kadriaj për “Bota sot”.

Berisha: Qeverisë së vjetër i ka pushuar mandati

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Ejup Berisha, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Qeveria duhet të mblidhet vetëm në rast tëndonjë çështje urgjente nëse imponohet ndonjë situatë e papritur, por jo edhe të debatojë për çështje madhore dhe serioze shtetërore që kanë të bëjnë me buxhetin e shtetit.

Image
Ejup Berisha

“Konsideroj se përbërja e vjetër Qeveritare e Republikës së Kosovës në këtë periudhë të mosfunksionimit të Kuvendit të RKS-së deri në formimin e Qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit është e obliguar që të kujdeset vetëmse për ndonjë çështje kryesisht procedurale dhe teknike nëse ka nevojë të mblidhet apo dhe për ndonjë çështje urgjente nëse imponohet ndonjë situatë e papritur apo e jashtëzakonshme në shtet por jo edhe në kushte normale të mblidhet dhe të debatojë për çështje madhore dhe serioze shtetërore siç është edhe projekt buxheti i vitit të ardhshëm sepse debatin dhe punët rreth propozim buxhetit që duhet të përpilohet dhe miratohet në Qeveri dhe i cili më vonë duhet t’i dorëzohet Kuvendit të ri për shqyrtim dhe miratim kryesisht i takojnë përbërjes së re Qeveritare e cila duhet të formohet në periudhën në vijim”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, Qeveria me vendimin për vetshpërndarje të Kuvendit, i ka kaluar mandati dhe nuk mund të mblidhet të diskutojë për çështje të rëndësishme, sepse nuk e ka as mbështetjen e deputetëve, e as Kuvendi nuk është funksional.

“Pra Qeverisë së vjetër me miratimin e vendimit për vet shpërbërjen e Kuvendit nga ana e deputetëve të Kuvendit të Republikës, i ka pushuar mandati dhe ajo nuk ka më as legjitimitet e as mandat që të mblidhet dhe të debatojë për çështje serioze siç është edhe puna rreth përpilimit dhe miratimit të Projekt buxhetit si dhe propozim buxhetit më vonë nga ana e saj. E aq më pak përbërja e mëparshme Qeveritare ka të drejtë të merr vendime serioze dhe fuqiplotë në emër të shtetit Republika e Kosovës sepse ajo nuk ka më as mbështetje në Kuvend sepse tash për tash nuk as Kuvend funksional,i cili do t’i shqyrtonte dhe do t’i miratonte vendimet, kushtimisht thënë e një Qeverie e cila nuk është as legale e as legjitime për këto çështje. Se pse është mbledhur përbërja e mëparshme Qeveritare unë nuk mund ta di, këtë e di vetëm se ish Kryeministri Ramush Haradinaj dhe anëtarët e tjerë të Kabinetit Qeveritar të cilët çuditërisht po sillen sikurse të ishin kryeministra dhe ministra në detyrë e jo si ish anëtarë të Qeverisë të cilëve u ka pushuar funksioni”, ka vlerësuar ai.

Më tej, Berisha vlerëson se një sjellje si kjo e Haradinajt dhe ish ministrave, nuk lejohet në një shtet serioz, vetëm në rast të vonimit të formimit të qeverisë së re, por që sipas tij ajo do të formohet shumë shpejt dhe do të merret me përpilimin e propozimit dhe miratimit të Projekt të buxhetit për vitin e ardhshëm në Qeveri.

“Vlerësoj se në një shtet serioz sjellja e tillë si kjo e ish Kryeministrit Haradinaj dhe e ish ministrave dhe e anëtarëve tjerë të Qeverisë nuk ndodhë por edhe nuk lejohet që të ndodhë. por çuditërisht në Republikën e Kosovës po. Kjo dëshmon se tek ne kemi shprehje dhe manifestim të një vet vullneti të pakuptimtë dhe të skajshëm politik të ish Kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë. Nëse këta të fundit gjestin apo dhe vendimin e tyre mundohen ta arsyetojnë dhe justifikojnë me kohën e shkurtër që ka mbetur për propozimin dhe miratimin e projekt buxhetit republikan, atëherë kjo qëndron por vetëmse nëse ka pengesa apo dhe vonesa serioze rreth formimit të Qeverisë së re. Por ky proces është në rrjedhë e sipër dhe nëse gjithçka shkon siç duhet, Qeveria e re duhet të formohet jo së shpejti por sa më shpejtë që është e mundur, duke i respektuar afatet kushtetuese dhe ligjore, meqë atë e presin shumë punë serioze për të bërë, siç është edhe përpilimi propozimi dhe miratimi i Projekt buxhetit për vitin e ardhshëm në Qeveri”, ka theksuar Ejup Berisha për “Bota sot”.

“Republika e Kosovës është shtet juridik e jo pronë private e individëve të caktuar”

Ai thotë se mbajtja e kësaj mbledhje, tregon se shumë se ata kanë dëshirë të luajnë rolin e kryeministrit dhe ministrave dhe jo se kanë obligim kushtetues.

“Por përbërja e vjetër Qeveritare konsideroj se nuk duhet të mblidhet për të debatuar për vendime madhore shtetërore e aq më pak që të sjell vendime meritore për to. Vendimi i ish Kryeministrit që të thirr mbledhje dhe akti i mbajtjes së asaj mbledhje, thjeshtë mund të interpretohen si shprehje e vetvullnetit dhe e dëshirës personale të tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij për ta luajtur rolin e Kryeministrit dhe të ministrave e jo si obligim kushtetues dhe juridik të ish Kryeministrit dhe të ish anëtarëve të tjerë të Qeverisë”, është shprehur më tej ai.

Veprimin e Haradinajt për mbajtjen e kësaj mbledhje, ai e quan shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe nuk mund të justifikohet me asgjë.

“Republika e Kosovës është shtet juridik e jo pronë private e individëve të caktuar të cilët në pamundësi që të ushtrojnë ndonjë post të cilin me fuqinë e Kushtetutës dhe ligjit e kanë humbur, tani mundohen që të sillen sikurse të ishin faktor legal dhe legjitim politik dhe institucional që në fakt nuk janë. Nëse kështu mundet të sillet ish Kryeministri Haradinaj, atëherë një ditë edhe un do ta marrë guximin e të thërras mbledhje qeveritare dhe do të debatoj e do të miratoj vendime që është nonsens. Pra, kjo sjellje e ish Kryeministrit Ramush Haradinaj paraqet shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe nuk mund të justifikohet me asnjë domosdoshmëri dhe nevojë për tu thirrur mbledhje qeveritare aq më pak kur bëhet fjalë për Qeveri të cilës i ka përfunduar mandati e del nga një Kuvend të cilit i ka përfunduar mandati," ka thëne analisti politik Ejup Berisha për “Bota sot”.

Krasniqi: Haradinaj nuk ka të drejtë të marr vendime

Image
Faik Krasniqi

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, ka thënë se qeveria në dorëheqje nuk ka të drejtë të marrë vendime dhe ato mund të hidhen poshtë nga qeveria e ardhshme, e sipas tij qeveria ka të drejtë ta hedhë poshtë edhe projektligjin për paga.

“Qeveria në dorëheqje nuk ka të drejtë të marrë vendime, e aq më pak që kanë të bëjnë me buxhetin e shtetit. Buxhetin e shtetit e projekton Qeveria e re, sipas programit qeverisës që ka. Qeveria e ardhshme ka të drejtë ta hedhë poshtëçdo vendim që ka marrë Qeveria në dorëheqje. Ato vendime janë edhe të dëmshme. Ka të drejtë të hedhë poshtë edhe projektligjin për paga, sepse me këtë buxhet që kemi nuk mund ta përballojmë këtë ligj të pagave. Kosova ka nevoje për zhvillim ekonomik dhe jo për dyfishim të pagave në shumë sektor. Rritje të pagave po, por jo dyfishim të pagave. Besoj që Qeveria e ardhshme do të jetë e kujdesshme nëkëtë aspekt, sepse me këto paga në sektorin publik po krijohet njëdiskrepancë e madhe me sektorin privat”, ka deklaruar Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat