Ndodhi më në fund, Kadri Veseli nuk shpëton prej Speciales, a po i vjen radha edhe Thaçit?

Politika

Ndodhi më në fund, Kadri Veseli nuk shpëton prej Speciales, a po i vjen radha edhe Thaçit?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 7 nëntor 2019 Në ora: 16:54
Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi

Ajo që është pritur që sa kohë, ndodhi sot. Gjykata Speciale ka ftuar zyrtarisht ish-kreun e Shërbimit Informativ të Kosovës – SHIK, Kadri Veselin që të paraqitet në Hagë më 4 dhjetor.

Ka qenë e pamundur, ndoshta edhe fatkeqësi për Kosovën nëse Kadri Veseli kishte shpëtuar nga thirrja e Gjykatës Speciale.

Ai ka shumë për të thënë e treguar, sidomos për kohën e pasluftës, kur si misterioz që ishte, i panjohur për shumë kë, u shfaqë si një “shpëtimtar” i PDK-së disa vjet më vonë.

Veseli, nëse nuk ka se çka të tregoj për kohën e luftës në Kosovë, kur ndodhën dhjetëra vrasje makabre duke filluar me Ministrin e Mbrojtjes, kolonelin Ahmet Krasniqin, Ilir Konushevcin, e shumë personalitete të tjera të luftës, atëherë ka se çka flet për kohën e paqes.

Ajo që askush nuk e ka menduar, vëllavrasjet ndodhën në kohën e çliruar, dhe atë qysh në ditët e para pas çlirimi.

Megjithatë, Kadri Veseli por jo vetëm, duke filluar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, e shumë “komandantë” të tjerë të cilët ishin udhëheqës edhe politik edhe të luftës duhet me dhënë përgjegjësi për vrasjet që kanë ndodhur gjatë luftës.

Vrasjet e tilla janë njolla më e zezë që ka ndodhur në epokën e fundit në Kosovë.

Askush nuk mund t’i qajë, madje as që duhet me i qajtë këtë kupolë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u pasuruan në krahë të luftës, i bërën të gjithë milionët, në kohën e tyre filluan edhe vrasjet politike, pastaj kapën sistemin e drejtësisë dhe nuk u zbulua askush për qindra vrasje, më pas votuan vet Gjykatën Speciale, e pas gjithë kësaj ata tentuan edhe të anulojnë atë, duke e ditur se askush nuk mund të shpëton nga drejtësia, edhe pse ajo mund të jetë e vonuar.

Gjykata Speciale, është e vetmja shpresë në Kosovën e kapur e të çliruar me luftën e drejtë të UÇK-së dhe me ndihmën e aleatëve tanë botëror, si SHBA, Gjermania, Britania e shumë e shumë vende të tjera.

Shpresë të madhe për zbardhjen e vrasjeve të luftës dhe pasluftës, sidomos vrasjeve politike kanë edhe familjarët e viktimave. Ata unanimisht e kanë përkrahur formimin e kësaj Gjykate dhe presin që më në fund urdhërdhënësit dhe plumba shkrepësit të arrestohen, të gjykohen, e të dënohen për veprat e tyre kriminale.

Kadri Veseli duhet që të përgjigjet për punën e tij në krye të SHIK-ut.

Ai duhet të tregoj se çfarë punë ka bërë SHIK-u? Pse akuzohet SHIK-u për shumë vrasje? Akuza të tilla kemi pasur edhe nga shumë deputet në Kuvendin e Kosovës. Pse të akuzohet SHIK-u, nëse janë të pafajshëm? Por, nuk mund të thuash që janë të pafajshëm në kohën kur ky Shërbim ka ekzistuar dhe në të njëjtën kohë janë vrarë dhjetëra apo qindra veprimtarë të shquar të Kosovës, shumica prej tyre ishin nga LDK-ja, por kemi pas raste kur janë vrarë edhe disa komandantë të shquar të UÇK-së, siç ishte komandant Drini.

Pra, në atë kohë ka qenë e domosdoshme të zbulohet apo të parandalohet të paktën një vrasje, kur kishim një Shërbim të tillë.

Pse nuk ndodhi kjo, pse nuk u zbulua asnjë vrasje? Pse heshti Prokuroria e drejtësia? Kush duhet me dhënë përgjegjësi?

Ka edhe qindra pyetje të tjera që mund të shtrohet, por që përgjigje vetëm në Speciale mund të marrim pasi të kryhet i tëri ky proces që po “tmerron”, shumë kë.

Megjithatë, pas Kadri Veselit, nuk do t’i shkon edhe gjatë dhe mund të vije ftesa e radhës për presidentin Hashim Thaçi.

Thaçi i cili akuzohet nga shumë familjarë të viktimave për vrasje, nuk do të shpëton lehtë.

Është familja e Haki Imerit, e cila e ka akuzuar direkt këto ditë në 20 vjetorin e vrasjes së Imerit.

Akuza për Thaçit kemi pas edhe nga Gani Geci, i cili e ka akuzuar për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit.

Për këto akuza drejtësia në Kosovë ka heshtur, por drejtësia nga Gjykata Speciale besojmë që të jetë efikase dhe të dënoj secilin që ka kryer vepra penale, pa marrë parasysh se a është president, kryeministër, ministër apo dikush tjetër.

Deri atëherë, ne vetëm mund të besojmë që më e mira dhe më e drejta do të ndodhë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat