Muajin e ardhshëm Qeveria LVV-LDK, posti i Presidentit lihet për më vonë

Politika

Muajin e ardhshëm Qeveria LVV-LDK, posti i Presidentit lihet për më vonë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 7 nëntor 2019 Në ora: 18:40
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, foto ilustrim nga "Bota sot"

Teksa Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, po vazhdojnë diskutimet rreth formimit të koalicionit të përbashkët qeverisës, në opinion po përflitet se pjesë e marrëveshjes për koalicionin mund të jetë edhe posti i Presidentit.

Vetëvendosje dhe LDK kaherë kanë premtuar se në mandatin e ri, nëpërmjet Kuvendit, do ta shkarkojnë presidentin aktual të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Për më tepër, javë më parë vet kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, kishte shfaqur pretendimin që të jetë President i Kosovës në vend të z. Thaçi. Por se, në grupet punuese ndërmjet të dy partive ende nuk është diskutuar një gjë e tillë.

Analistët thonë se kjo çështje nuk do duhej të shtrohej në tavolinën e bisedimeve nga ana e LDK-së në takimet e ardhshme me Lëvizjen Vetëvendosje, për arritjen e koalicionit bashkë qeverisës, ngase nuk është fare e ngutshme.

Ata konsiderojnë se sovrani me votën e tij i ka përcaktuar ta qeverisin së bashku vendin, përkatësisht që Kosovën ta shpëtojnë nga degradimi i mëtejmë kulturor, arsimor, politik dhe ekonomik.

Burjani: Duhet të ketë bazë ligjore për shkarkimin e Thaçit

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani, ka thënë se kjo çështje mund të shtrohet më vonë, sepse së pari duhet të gjendet modeli se për çka duhet të shkarkohet ky presidenti Hashim Thaçi, gjë për të cilën nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, ky është problem i veçantë, madje edhe nëse ndodhë shkarkimi duhet të jetë në pajtim me kushtetutën e shtetit.

“Mendoj se nuk mund të shkarkohet veç se dikush e dëshiron për kusaritë dhe pazare për poste, duhet së pari të ketë bazë të mjaftueshme ligjore dhe kushtetuese për shkarkim pastaj mund të ndodhë edhe kjo çështje”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani.

Krasniqi: Pozita e Presidentit nuk mund të jetë problem i koalicionet qeverisës mes dyshes LDK-së dhe VV-së

Politologu Faik Krasniqi ka thënë se posti i presidentit nuk do të duhej të ishte pengesë për arritjen e një koalicioni mes LVV dhe LDK-së.

Image
Faik Krasniqi

“Nëse janë të vërteta ato që po qarkullojnë në opinionin publik dhe media, se LDK po kërkon postin e presidentit, te krye parlamentarit, të zv/kryeministrit dhe një ministri më shumë se LVV, më duken kërkesa të tepërta. Brenda lidershipit të LDK-se ka njerëz që mendojnë për postet e tyre dhe jo për të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Isa Mustafa e shprehu hapur që synon postin e presidentit”, ka thënë politologu Krasniqi.

Ai konsideron se të synosh postin e presidentit dhe të kërkosh më shumë se gjysmën e pushtetit, më duket më tepër se absurde.

“LDK duhet të tregohet më konstruktive dhe të mendojë për Kosovën dhe qytetaret e saj, dhe jo për postet individuale te njerëzve te caktuar. Sidoqoftë besoj qe këto do tejkalohen dhe muajin e ardhshëm veç se do te kemi Qeverinë e krijuar nga LVV dhe LDK”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Elezaj: Posti i Presidentit nuk do duhej të shtrohet në tavolinën e bisedimeve

Image
Rexhep Elezaj

Publicisti Rexhep Elezaj, ka thënë se posti i Presidentit nuk do duhej të shtrohet në tavolinën e bisedimeve nga ana e LDK-së, në takimet e ardhshme për arritjen e koalicionit bashkë qeverisës, ngase kjo çështje nuk është fare e ngutshme.

Sipas tij, kjo çështje nuk është aq e rëndësishme për qeverisjen e ardhshme të këtyre dy partive, LVV-LDK , e që sovrani me votën e tij i ka përcaktuar ta qeverisin së bashku vendin, përkatësisht që Kosovën ta shpëtojnë nga degradimi i mëtejmë kulturor, arsimor, politik dhe ekonomik.

“Ka mbetur edhe një vit e gjysmë derisa presidenti aktual ta përfundon mandatin e tij kushtetues, prandaj mendoj se ka kohë të mjaftuar që kjo çështje të rregullohet midis këtyre dy partive në vazhdim të qeverisjes. E them këtë, sepse çështja e postit të presidentit edhe sipas Kushtetutës është më shumë pozitë përfaqësuese, se sa ekzekutuese, e cila në fakt shpreh unitetin e popullit dhe ruan kushtetutshmërinë e shtetit, ndaj si e tillë ajo mund të trajtohet lirshëm pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë, që nuk është e domosdoshme të përfshihet në marrëveshjen për koalicion bashkë qeverisës midis këtyre dy partive më të mëdha në Kosovë”, ka thënë publicisti Rexhep Elezaj.

Sipas tij, nëse LDK-ja insiston që ky post patjetër të përfshihet në dokumentin e marrëveshjes, mund të paraqet ndonjë rrezik që mund ta dëmtojë arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

“Po ashtu, nuk besoj se çështja postit të presidentit, qoftë u pranua apo nuk u pranua nga ana e LVV-je për t’u trajtuar në tavolinën e bisedimeve, mund të ndikojë në mos arritjen e koalicionit bashkë qeverisës, mbase i domosdoshëm për shtetin, marrë parasysh rrethanat e komplikuara politike në rajon dhe Evropë, nëpër të cilat po kalon sot vendi ynë. Por, nuk duhet harruar as faktin se mbi dy muaj vendi ynë është pa qeveri dhe Kuvend, dhe kjo situatë shtron shumë pyetje dhe dilema, se kujt po i shkon në favor “status quoja” në (mos)funksionimin e organeve dhe institucioneve të Kosovës..!?”, ka deklaruar Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat