Veprimtaria e SHIK-ut, nën llupën e Qeverisë së re

Politika

Veprimtaria e SHIK-ut, nën llupën e Qeverisë së re

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 8 nëntor 2019 Në ora: 08:41
Kryeministri Ramush Haradinaj dhe pjesëtarët e kabinetit të tij qeveritar, duke dhënë betimin pasi Kuvendi votoi për formimin e Qeverisë. 9 shtator, 2017

Ndonëse kanë kaluar disa vite prej kur është shuar, në Kosovë vazhdon të ketë shumë të panjohura rreth veprimtarisë së ish Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

SHIK-u, konsiderohet si “gogoli” më i përfolur i të gjitha të këqijave që i janë shkaktuar popullit të Kosovës.

Njohës të çështjeve politike e juridike, kanë deklaruar se Qeveria e re duhet ta këtë detyrë jetike që ta hetojë dhe shpartalloj SHIK-un, sepse, nëse këtë nuk e bën, atëherë do t'ia mundësojë këtij rrjeti famëkeq, që të vazhdojë veprimtarinë kriminale në dëm të vendit dhe popullit.

Zogaj: Qeveria e re jo vetëm që duhet, por duhet ta këtë detyrë jetike që ta hetoj dhe shpartalloj SHIK-un

Image
Skender Zogaj

Analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se çështja e SHIK-ut është gogoli më i përfolur i të gjitha të këqijave që i janë shkaktuar popullit të Kosovës, duke filluar nga përçarja e frontit të luftës çlirimtare e deri te damkosja e lirisë dhe pavarësisë  me vrasjet politike e deri te kapja e shtetit me strukturat e organizuara të krimit dhe korrupsionit që e kanë kapluar vendin.

Sipas tij, Qeveria e re jo vetëm që duhet, por duhet ta këtë detyrë jetike që ta hetoj dhe shpartalloj SHIK-un, sepse, nëse këtë nuk e bën, atëherë do t'ia mundësoj këtij rrjeti famëkeq, që të vazhdojë veprimtarinë kriminale në dëm të vendit dhe popullit.

“Se çfarë është keqja është SHIK-u, tashmë po tregojnë vet ish pjesëtaret SHIK-ut, duke i pranuar veprat kriminale që i kanë kryer nga të cilat dëshmohet se kjo është një organizatë e keqbërësve ordinerë, vrastarësh mercenarë të pa besë, të pa nderë, të pa fe, të pa komb e atdhe. Qeveria e re prandaj, menjëherë duhet të punojë në zbardhjen e pjesëtareve të SHIK-ut dhe të rrjetit veprues të atyre që janë futur brena institucioneve për t'i mbajtur nën vëzhgimin e SHIK-ut dhe interesat e tij! Hetimi duhet të përfshijë edhe të gjitha partitë politike, në radhët e të cilave ka plot "lavra" të rrezikshme SHIK-iste. Tash kur Kosova e ka AKI-n që është institucion legal shtetëror, është e pa tolerueshme që dikush tjetër i rrugëve të veproj prapa shpinës së saj”, është shprehur analisti politik Skender Zogaj.

Kajazi: Qeveria e re duhet ta funksionalizojë veprimin e shtetit ligjor

Image
Fadil Kajtazi

Eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi, ka thënë se Kosova ka rend demokratik ku pushtetet janë të ndara, dhe qeveria e re nuk duhet të këtë influencë në çështje se kë duhet hetuar e kë jo.

Sipas tij, Qeveria e re duhet ta funksionalizojë veprimin e shtetit ligjor, dhe duhet të heq dorë nga ndërhyrjet politike në sistemin e sigurisë në tersi, në sistemin gjyqësore.

“Qeveria e re duhet të hartoj dhe zbatoj politika të cilat veprimin e shtetit e kthejnë në shtratin institucional. Këto veprime do të hapnin rrugë që shumë çka që ka mbetur peng apo mister gjatë këtyre viteve të marr udhën e vet, duke filluar me vrasjet politike, vjedhja e dhomës së dëshmive, privatizimi dhe se jo edhe SHIK, por gjithnjë duke vepruar në kuadër të hapësirave ligjore”, ka thënë eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi.

Kelmendi: Shteti nuk shërohet assesi pa masa ndëshkuese

Image
Muhamet Kelmendi

Njohësi i çështjeve juridike, profesor Muhamet Kelmendi, ka thënë për Gazetën “Bota sot” se çështja e hetimeve në Kosovë për shumë mekanizma jo formal është e domosdoshme që të bëhet.

Sipas tij, ajo ndikon në zbardhjen e shumë situatave, ngjarjeve dhe rrethanave nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

“Në kuadër të kësaj kërkohet të hetohet jo vetëm SHIK-u por edhe Siguria Atdheut, madje edhe vetë partitë politike, deri tek vet mekanizmat e ndryshëm të shtetit. Kosova ka kaluar nëpër një gjendje të rëndë, Dhuna dhe terrori sikundër edhe gjenocidi kanë qenë të ashpra gjatë pushtimit. Mirëpo, edhe pas luftës u kryen shumë vepra të rënda dhe u vodhën shumë mjaftë mjete financiare duke e keqpërdorur ashpër shtetin. Këtu pra patjetër që kërkohen hetimet dhe ndjekjet penale. Po ashtu duhet doemos që shërbimet e ndryshme, fondet e krijuara para luftës, dhe çdo veprimtari e bërë kriminale të hetohet”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi.

Sipas tij, natyrisht se Qeveria e ardhshme është e detyruar, nëse dëshiron shërim të shtetit, ti hetojë dhe dënojë të gjithë mekanizmat e ndryshëm dhe çdo subjekt përgjegjës.

"Shteti nuk shërohet assesi pa masa ndëshkuese, sepse vetëm ndëshkimi i ndal kriminelet dhe çdo kënd që ka kryer vepra penale, apo është kriminel”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi.

Burjani: Në Kosovë duhet të hetohen fondet e mbledhura dhe të dihet se ku janë shpenzuar ato para

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, ka thënë se mund të ketë hetim parlamentar për të shtruar si debat, por natyrisht pa veprim të Gjykatës nuk ka gjë prej kësaj çështje.

“Në Kosovë duhet të hetohen fondet e mbledhura dhe të dihet se ku janë shpenzuar ato para, dhe të gjitha vrasjet duhet të trajtohen nga Gjykatat” është shprehur njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani.

Elezaj: Kjo çështje është e domosdoshme për t’u trajtuar

Publicisti Rexhep Elezaj, ka thënë kjo çështje është e domosdoshme për t’u trajtuar, duke filluar nga mediat hulumtuese, e deri tek organet dhe Gjykatat e Drejtësisë.

Sipas tij, kërkesa për t’u hetuar e gjithë veprimtaria e SHIK-ut është shtruar që disa viteve rresht, madje nga deputetët e Kuvendit, por edhe nga shoqatat e pavarura të shoqërisë civile, etj., por kurrë nuk është ndërmarrë asgjë deri më sot në këtë drejtim.

“Mbase dihet mirëfilli se kush ishin ata të cilët i penguan hetimet ndaj kësaj ish organizate ilegale (ish shefi i saj Kadri Veseli thotë, legale) për të bëmat e së cilës populli ynë duhet patjetër, herët apo vonë, më e ditur të vërtetën, qoftë pozitive, qoftë negative, sepse derisa veprimtaria e SHIK-ut nuk do zbardhet deri në fund, gjithmonë do ekziston dyshimi për aktivitetin e tij faktik gjatë dhe pas luftës çlirimtare. Besoj shumë se qeveria e re në krye me Albin Kurtin kryeministër, jo vetëm veprimtarinë e SHIK-ut, por edhe të gjitha shërbimeve tjera që kanë vepruar ilegalisht në Kosovë do t’i hetojë, dhe po qese kanë bërë veprime antiligjore dhe të dëmshme për popullin dhe Kosovën, ato duhet ta marrin dënimin meritorë, ose të shpërblehen nga shteti po qese i kanë kontribuar lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka thënë publicisti Rexhep Elezaj.

Image
Rexhep Elezaj

Sipas tij, derisa nuk bëhet e qartë dhe publike veprimtaria e secilit individ, grup apo organizate ilegale, shoqëria dhe shteti ynë nuk mund të quhet demokratike, as ligjore si dhe as vend i civilizuar.

“Prandaj, duke u nisur nga parimet dhe vlerat e shoqërive të lira dhe demokratike, siç janë ato në vendet e përparuara të Evropës perëndimore, në SHBA, etj., është iluzore të flasim për demokraci dhe shtet ligjor, në një vend ku këto vlera esenciale mungojnë, ose lënë shumë për t’u dëshiruar, siç është gjendja në Kosovë..!? Se çfarë mund, përkatësisht duhet të bën qeveria e re e Kosovës për dekonspirimin dhe demolimin e logjikës kriminale, vrasjeve me motive politike, veprimeve kriminale të ndaluara me ligj, atyre grupeve kriminale që kanë vepruar në vitet e kaluara, ose këtyre që ende veprojnë sot ilegalisht në Kosovë, të huaja apo vendore qofshin, është detyrë dhe obligim kombëtar dhe shtetëror, që ato të zbulohen, së paku të pengohen, në punën dhe veprimtarinë e tyre kriminale dhe antishqiptare”, ka theksuar ai.

Për këtë, Rexhep Elezaj ka thënë se, shërbimi ynë informativ shtetëror duhet të forcohet, aftësohet dhe organizohet në nivel sa më të lartë profesional, logjistik dhe tekniko-teknologjik, sepse pa një shërbim të aftë kombëtar dhe efikas.

“Gjithmonë siguria fizike e qytetarëve, e pronës si dhe mbrojtja e integritetit shtetëror nga rreziqet, sidomos ato që vijnë nga jashtë, mbetet një kërcënim i madh, gjë të cilën nuk duhet lejuar kurrë që të ndodhë ndaj vendit tone”, ka thënë publicisti Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat