Gjykata Speciale e padrejtë, por e nevojshme - Bota Sot
Gjykata Speciale e padrejtë, por e nevojshme

Politika

Gjykata Speciale e padrejtë, por e nevojshme

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 9 nëntor 2019 Në ora: 09:00
Selia e Gjykatës Speciale

Kryetari në largim i Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka njoftuar se do të udhëtoj për në Hagë, me ftesë të Gjykatës Speciale.

Veseli, njëherësh ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të intervistohet në Hagë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën me 4 dhjetor në këtë fundvit.

Këtë e ka bërë të ditur vet, Veseli në një konferencë për media, ku veç tjerash ka thënë se ndihet krenarë që ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Epoka e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – është pjesa më krenare e jetës sime. Kam qenë i bekuar që isha një ndër ideatorët dhe themeluesit e saj, luftëtar i lirisë deri në çlirimin e vendit. Nga prilli i vitit 1999, deri në qershor të vitit 2008, kam udhëhequr Shërbimin Informativ të Kosovës. Të gjitha këto angazhime i kam bartur me nder dhe përgjegjësi të plotë, e me krenari të jashtëzakonshme”, ka thënë Veseli në konferencën për media.

Kelmendi: Raporti i Dick Martyt është racist

Image
Muhamet Kelmendi

Njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi ka thënë se Gjykata Speciale është krijuar nga faktori ndërkombëtar dhe është votuar nga Kuvendi i Kosovës, si dhe nga njerëzit e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Gjykata Speciale është krijuar nga faktori ndërkombëtar dhe është votuar nga Kuvendi i Kosovës, pikërisht për Hashim Thaçin dhe njerëzit rreth tij. Baza e këtij vendimi është Raporti i pavërtetë dhe tejet racist i Dick Martit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka shtuar se UÇK nuk ka pasur kurrë mundësi të jetë një organizatë e kalibrit të tillë që tash të jenë të dyshuar në dhjetëra e qindra vetë.

“Të vjen keq pse për dhunë, terror e gjenocide nuk ka përgjegjësi nga shteti gjenocidial serb. Tash dihet dhuna, përdhunimet, vrasjet e masakrimet e bëra ndaj shqiptarinë në Kosovë nga shteti gjakatar serb. Por nuk ka përgjegjësi. Pa jetë përgjegjësi të krimineleve serbe, të shtetit dhe dëmshpërblimit, në Kosovë veprimi i tashëm ndaj njerëzve të UÇK-së është thjesht racizëm i paparë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Prof. Kelmendi ka potencuar se çlirimtarët nuk janë kriminel dhe se shteti serb do të duhet që të merr përgjegjësin për krimet.

“Marrja në përgjegjësi duhet të jetë e njëhershme, dhe sidomos e shtetit serb. Çlirimtarët nuk janë kriminelë. Me këtë nuk e mbroj asnjë njeri të ftuar nga Gjykata Speciale. Por, thirrja vetëm e shqiptareve, pa marr masa penale ndaj krimit serbomadh, është padrejtësi dhe kështu nuk ka vend në botë që ka ndodhur. Ky është turpi", është shprehur profesor Kelmendi për “Bota sot”.

Gjykata Speciale e padrejtë, por e nevojshme

Image
Gent Gjini

Avokat, Gent Gjini, në një prononcim për “Bota sot”, se ne do duhej më të mësohemi, dhe të pajtohemi me realitetin se kjo gjykatë tani më ka marr formën e plotë juridike të veprimit dhe institucionalizimit të saj, e cila është realizuar falë deputetëve që e kanë votuar atë.

“Gjykata Speciale sado që ajo të jetë e padrejtë, dhe shumë e panevojshme, për krijimin edhe të një tribunali gjyqësorë për gjykimin e krimeve të luftës ndaj popullatës civile, kundër ushtrisë çlirimtare, ne do duhej më të mësohemi, dhe të pajtohemi me realitetin se kjo gjykatë tani më ka marr formën e plotë juridike të veprimit dhe institucionalizimit të saj. Kjo është realizuar  falë faktorit shqiptare, përkatësisht vet deputeteve të cilët e kanë votuar duke i dhënë dritën e jeshilët kësaj gjykate. Dhe tani që të jemi realiste, votimi i bërë nga ana e deputeteve quhet  “drejtë” nga ana ligjore, sepse është votuar nga ana deputeteve të Kosovës, këta që janë ligjvënësit në parlamentin e Kosovës për hartimin e ligjeve”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Gjini ka përmendur edhe Tribunalin e Hagës në të cilin pjesëtarë të UÇK-së janë gjykuar dhe janë shpallur të pafajshëm për krimet e luftës.

“E sa i përket anës së të padrejtë, kjo që i bëhet shtetit shqiptare dhe ushtrisë çlirimtare,  me krijimin e Gjykatës Speciale, është se kjo çështje është përmbyllur shumë vite më parë nga Gjykata e Hagës, përkatësisht ku shumë ushtarakë të lartë, të ushtrisë çlirimtare janë gjykuar dhe janë shpallur të pafajshëm, për krimet e luftës dhe ndaj popullatës civile, dhe kjo çështje ligjërisht  do duhej të konsiderohej e përmbyllur. Tani Gjykata Speciale, ka arritur në stadin që të dëgjohen në prokuroritë e saj krerët më të lartë udhëheqës të vendit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sa i përket asaj, se a mundet një ftesë e ngjashme sikurse e Veselit, të marr edhe presidenti, avokati Gjini ka përmendur procedurat të cilat do të duhet  Thaçi t`i ndiqte në këtë rast.

“Nëse ftesat të tilla, ngjashëm si shumë të tjerëve ajo do të i  shkonte edhe presidentit të Kosovës, për dëgjimin e tij në dhomat e specializuara të Gjykatës Speciale dhe nëse një ftesë e tille dërgohet në mandatin e tij si president i Kosovës, mendoj se veprimin të cilën duhet ta ndërmerr ai, pasi që më s`kemi si ta kthejmë  mbrapa këtë çështje, është që ai jep dorëheqje ngjashëm si ajo e kryeministri të vendit, i cili ka dhënë dorëheqje nga momenti i pranimit të kësaj ftese nga gjykata speciale. Për presidentin ka kuptim edhe më të madh, sepse ai ne kompetencat e tij ligjore përfaqëson unitetin e popullit dhe përfaqëson shtetin jashtë saj ne takimet me liderë dhe udhëheqës të vendit. Dhe dorëheqja e tillë padyshim që do ta shpëtonte vendin sa i përket kredibiltetit dhe ruajtjes se imazhit të saj në arenën ndërkombëtare dhe me këtë do te mund te evitonte skandalet dhe perceptimet negative në arenën jashtme, aq më shume të armiqve te shtetit te Kosovës dhe nuk do ishte imazh negativ e cila do te ndikonte edhe në anëtarësimet ne organizatat ndërkombëtare dhe europiane, qe pritet në një të ardhme të afërt të anëtarësohet shteti i Kosovës, si në: Nato, Interpol, dhe pse jo edhe ne vet Bashkimin Europian”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Krasniqi: Nuk besoj se Thaçi do të ftohet nga Specialja pa e mbaruar mandatin

Image
Faik Krasniqi

Ndërkaq, analisti politik, Faik Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot” ka paralajmëruar se  Gjykata Speciale do të bëjë edhe ftesa të tjera në cilësinë e dëshmitarit dhe të të dyshuarve.

“Gjykata Speciale do të thërras në cilësinë e dëshmitarit dhe të të dyshuarve me dhjetëra ish pjesëtarë të UÇK-së. Por kjo s'do të thotë që ndaj të gjithëve do të ngritën aktakuza”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai mendon se Thaçi mund të ftohet për të dhënë dëshmi, por nuk beson që do të ndodh pa e mbaruar mandatin si kryeministër

“Ka mundësi që edhe Hashim Thaçi të ftohet nga Gjykata Speciale për të dhënë dëshmi. Se në çfarë cilësie s'mund ta dimë saktësisht. Mirëpo nuk besoj që kjo do të ndodh pa e mbaruar mandatin si President”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat