Frika nga skenari i Thaçit për të mos e mandatuar Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin

Politika

Frika nga skenari i Thaçit për të mos e mandatuar Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 11 nëntor 2019 Në ora: 08:10
Albin Kurti, Hashim Thaçi, foto ilustrim nga "Bota sot"

KQZ pritet t’i certifikojë zgjedhjet e gjashtë tetorit javën e ardhshme kur edhe përfundojnë ankesat në PZAP dhe Gjykatën Supreme.

LDK dhe LVV janë dy partitë të cilat po bisedojnë në lidhje me një qeverisje të përbashkët. Të dy partitë kanë zhvilluar gjashtë takime në kuadër të grupeve punuese për të harmonizuar programin qeverisës. Ato nuk kanë qëllim tjetër përveç se të mobilizohen sa më shpejtë në mënyrë që Qeveria të formohet dhe të vazhdojnë për të mirën e qytetarëve.

LVV dhe LDK para zgjedhjeve ishin zotuar se nuk do të bëjnë koalicion me partitë tjera dhe do të punojnë që të arrijnë marrëveshje pas zgjedhjeve për të qeverisur së bashku.

Mirëpo, kësaj radhe Presidenti i Shtetit, Hashim Thaçi, ka veç në opsion para vetes kur të certifikohen zgjedhjet e 6 tetorit. Për herën e parë i duhet ta nominojë për Kryeministër kushdo që propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila doli fituese në zgjedhjet e fundit.

Gjykata Kushtetuese, më 2014 në kohën kur opozita ishte bashkuar kundër partisë fituese, kishte interpretuar procedurat e formimit të Qeverisë. Aty, presidenti s’ka diskrecion të refuzojë këdo që propozon për herën e parë partia fituese e e nominuar për të formuar Qeverinë.

Kështu që Presidentit nuk i mbetet zgjidhje tjetër përveç se të pranojë atë që propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe se vonimin e kësaj procedure nuk i shkon për shtati as edhe Presidentit sepse çdo vonim po shkon në dëm të shtetit dhe të qytetarëve.

Kollçaku: Presidenti nuk e ka luksin që të i vonojë konstituimin e institucioneve të reja

Image
Fatmire Mulhaxha-Kollçaku

Në lidhje me këtë temë, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që janë të vetëdijshëm që ka vonesë të rezultateve përfundimtare mirëpo që luksin për t’i vonuar më shumë nuk e ka Presidenti dhe se duhet të veprojnë në të mirë të qytetarëve.

“Është e qartë që tashmë kemi edhe një vonesë të madhe sa i përket shpalljeve të rezultateve përfundimtare, tash kemi edhe periudhën e ankesave që tashmë janë paraqitur në PZAP dhe të cilat mendoj që do ju drejtohen edhe Gjykatës Supreme kështu që mendoj që do të kemi tash edhe një javë vonesë. Kështu që, Presidenti nuk e ka luksin që të i vonojë konstituimin e institucioneve të reja prandaj në certifikimin e rezultateve në afatin sa më të shkurt kohor duhet të ftohet seanca konstituive dhe të mandatohet kryeministri i ardhshëm i Kosovës, i cili tashmë po dihet që do të jetë zoti Albin Kurti. Këtu asnjë President e as Presidenti aktual Thaçi nuk do të duhet të vonojë këtë proces se kjo është në të mirë të vendit dhe qytetarëve që sa më herët dhe sa më shpejt të mobilizohemi me institucionet e reja të dalluara nga besimi i qytetarëve”, u shpreh, Kollçaku.

Më tej, Kollçaku tha që ky proces është i rregulluar me Kushtetutë dhe se është në interesit të qytetarëve që të bëhet konstituimi sa më shpejt i institucioneve të reja të cilat kanë dalur nga besimi i qytetarëve.

“Çdo skenar tjetër shkon në dëm të proceseve demokratike prandaj nuk besojmë që thjeshtë do të ia lejoj vetës Presidenti të vonoj këtë proces, sepse është diçka e pashmangshme, e rregulluar me Kushtetutë. Është një proces i rregullt i cili duhet të përfundoj në afatin sa më të shkurt kohor, kështu që besoj që nuk e kemi luksin që në këtë kohë kaq të rëndësishëm për të gjitha proceset që i kemi përpara dhe është në interes të qytetarëve që të bëhet konstituimi i sa më shpejt i institucioneve të reja të dallura nga besimi i qytetarëve”, përfundoi, Kollçaku.

Burjani: Thaçi duhet të përmbush obligimet kushtetuese dhe ligjore

Image
Blerim Burjani

Juristi dhe analisti politik, Blerim Burjani, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që Presidenti Thaçi duhet të nominoj dikë për kryeministër pasi që e ka obligim kushtetues edhe ligjor.

“Ky është obligim kushtetues, Thaçi duhet të përmbush obligimet kushtetuese dhe ligjorë, andaj duhet të nominoj dikë për kryeministër varësisht nga koalicioni që merren vesh LDK dhe VV. Për herë do të ketë një ndryshim së paku për kah niveli i qeverisjes që pritet të ndodhë që nga viti 2007”, u shpreh, Burjani.

Tutje, Burjani, u shpreh që koalicioni LDK dhe VV, do të jetë nën llup të opinionit publik dhe se suksesi i këtij koalicioni do të ishte nëse do të përzgjidhen temat e para për vitin e parë të qeverisjes.

“Të shohim se çfarë do të ndodhë më tutje, tash qeverisja LDK dhe VV do të jetë nën llup të vëzhgimit të opinionit publik, shoqërisë civile dhe mediave. Suksesi i këtij koalicioni do të jetë në rast se do të përzgjedhin temat e para për vitin e parë të qeverisjes”, përfundoi, Burjani.

Shahu: Çdo tentativë për të vonuar nominimin e fituesit për të krijuar qeverinë i kthehet bumerang Presidentit

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik, Rexhep Shahu, për “Bota sot”, u shpreh se Presidenti përcjellë formalisht vullneti i zgjedhësve dhe se çdo tentativë për ta vonuar këtë nominim të fituesit do I kthehet ‘boomerang’ Presidentit.

“Vullneti i popullit, i votueseve është përmbi çdo gjë tjetër. Presidenti vetëm përcjell formalisht vullnetin e zgjedhësve. Çdo tentativë e presidentit për të vonuar nominimin e fituesit për të krijuar qeverinë i kthehet bumerang presidentit”, u shpreh, Shahu.

Më tej, Shahu, tha që çdo vonim apo pengim i sjell pasojat Presidentit pasi që vullneti i zgjedhësve është mbi Presidentin.

“Në asnjë rrethanë normale Presidenti nuk nis luftëra të humbura me fituesit e zgjedhjeve. Çdo tentativë për vonimin apo pengim pasojat ia sjell presidentit, pasi vullneti i zgjedhësve është mbi presidentin”, përfundoi, Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat