Fiasko e PSD-së më 6 tetor mund ta çojë Prishtinën në zgjedhje të parakohshme

Politika

Fiasko e PSD-së më 6 tetor mund ta çojë Prishtinën në zgjedhje të parakohshme

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 14 nëntor 2019 Në ora: 20:11
Shpend Ahmeti

Ndarja nga Lëvizja Vetëvendosje si duket nuk i ka sjellë të mira 12 ish-deputetëve të PSD-së.

Këta ish deputetë, siç duket nuk ishin shpresëdhënës për qytetarët të cilët ua treguan vendin.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, PSD-ja që ishte në koalicion me AAK-në, mori vetëm një ulëse në Kuvend, ku kjo ulëse i takoi deputetes Natyra Kuçi që tashmë rrezikohet, për shkak të rinumërimit të 1472 vendvotimeve dhe përjashtimit nga rezultati të një pjesë të fletëvotimeve.

Pas shumë ankesave të bëra kryesisht nga Nisma duke mos u pajtuar me rezultatin, me shumë gjasë në Kuvend do të hyjë koalicioni Nisma-AKR-PD.

Ku mbeti kjo parti pas dështimit në zgjedhje?

Analistët vlerësojnë se kjo parti duhet të dal nga skena politike.

Krasniqi: PSD por edhe partiçka të tjera si Nisma, AKR dhe të tjera duhet të zhduken nga skena politike

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, analisti Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”, ka thënë se PSD e mori atë që e meritoi. U ndëshkua nga elektorati për shkak të tradhtisë që i bëri LVV, por edhe për shkak të dembelisë së Shpend Ahmetit si kryetar i Prishtinës.

“Prishtina me një mijë probleme, kurse ai bëhej udhëheqës i delegacionit të bisedimeve me Serbinë. Një absurditet i madh. Thua që Kosova s'ka më njerëz të tjerë që të udhëheqin bisedimet me Serbinë, por i ka mbetur kryetarit të kryeqytetit të merret me çështje madhore”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, kjo nuk ndodh askund në botë.

Tutje shprehet se, ai sikur harroi që ka përgjegjësi përmbi 500-600 mije banorë të Prishtinës.

“Jo vetëm PSD por edhe partiçka të tjera si Nisma, AKR dhe të tjera duhet të zhduken nga skena politike, sepse janë të vogla, por e kanë sherrin shumë të madh. Zhvatës shumë të mëdhenj. Paramendoni po të kishin më shumë pushtet këto parti se çfarë do i bënin buxhetit të shtetit”, përfundoi Krasniqi.

Tërnava: Po shihet se PSD e mori dënimin e merituar në këto zgjedhje

Image
Hajrullah Tërnava

Analisti Hajrullah Tërnava për “Bota sot” është shprehur se në këto zgjedhje u pa forca e partisë PSD, e cila para dy vitesh u shkëput gjithsej 12 deputet nga LVV, që me veti i morën dy qytete që i qeveriste ajo parti Prishtinën dhe Kamenicën, edhe që në zgjedhje i fitoi LVV.

“Si parti që u formuan e përzgjodhën emrin e ri PSD, dhe u distancuan nga ish-partia e tyre LVV, duke e diskreditua me ofendimet më të paskrupullta atë shtëpi që u rritën dhe u ngritën në të, që deri dje ishin bashkë, që edhe deri më sot jetonin nën çadrën e LVV dhe të arriturat e saj. Tani u angazhuan dhe hynë në koalicion me parti tjera sikur në këtë rast me AAK, dhe mendonin se kanë me korrë suksese të mëdha, deri sa edhe Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, u kandidua vetë në këto zgjedhje duke menduar se e gëzon reputacionin e tij, dhe do t’i kontribuoi rritjes së madhe të partisë së tij, edhe që e kishte në plan vetëm t’i mbledhë votat në numër të madh, ashtu si e ka paramenduar për PSD, dhe prapë ta qeverisë Prishtinën si kryetar i saj, dhe vendin e siguruar në Parlament t’ia lëshojë një deputeti të partisë së tij.

Sipas tij, kur e provuan në këto zgjedhje fatin e tyre dhe u bindën se nuk e kanë fituar asnjë vend për deputet, tani kjo disfatë po i vetëdijeson dhe po ua përkujton tradhtinë që ia kanë bërë LVV, me ndarjen e tyre në mënyrën më të paskrupullt, me dezinformime të llojllojshme duke folur për LVV.

“Tani qartë po shihet se PSD e mori dënimin e merituar në këto zgjedhje pas tradhtisë që i bëri LVV-së. Por zhvlerësimi i kësaj partie tani edhe për zgjedhjet lokale të cilat nuk janë larg për t’u mbajtur, e kanë luhatur këtë parti dhe ia kanë humbur shpresën për të ekzistuar në të ardhmen si parti, sa që edhe vetë Shpend Ahmeti e ka vështirë që ta vazhdojë mandatin e tij deri në fund të mandatit si kryetar i Prishtinës, e le më ta fitoj rishtazi Prishtinën”, shprehet Tërnava.

Tutje, ai thekson se, kur Shpend Ahmeti kandidoi për Parlamentin e Kosovës dhe nuk fitoi vota për tu zgjedhur deputet, firmosi dyshimin e të qenurit Kryetar i Prishtinës.

“Në kushte normale të demokracisë qytetare, ishte dashur të jep dorëheqje Kryetari nga pozita e Kryetarit të Prishtinës, dhe të partisë së tij PSD, me aq pak vota të fituara e sidomos në qytetin e tij që ai e qeverisë në Prishtinë, prandaj në kushte normale kjo parti duhet gjithsesi të shuhet e sidomos kur në këto zgjedhje tani LVV doli si partia fitimtare, dhe tani në këtë afat qeveritar do ta qeverisë vendin me Kryeministër Albin Kurtin, të cilës parti elektorati ia dha besimin për qeverisje, e që më parë ka pasur dilema-dyshime se a mos ndarja e PSD do të ketë ndikim në dobësimin e LVV. Me këtë u dëshmua se kur një partie i ndahet padrejtësisht një pjesë, e ndoshta edhe me plane të ndonjë partie tjetër, që kur ta vlerëson se e pengon rritja e asaj partie, të dëgjuarit e atyre të deleguarve, që t’i kryejnë detyrat e tyre, dhe t’i shkëputen asaj partie në rritje kur t’i marrin urdhrat nga të deleguarit, po tregohet se ishte e gabueshme dhe ata qe u ndanë (PSD), u asgjësuan sikur mos të kishin ekzistuar fare”, përfundoi Tërnava.

Duhanaj: PSD, ka gjasa të rehabilitohet nëse qëndrojnë së bashku

Image
Leon Duhanaj

Analisti politik Leon Duhanaj, për “Bota sot” ka thënë se, ndarja në mes të PSD-së dhe VV-së nuk është çështje tradhtie, madje edhe nëse do të mund të flitej për diç të tillë, atëherë është VV ajo që i tradhtoi këta.

“Nëse ju kujtohet, thirrja e këshillit të përgjithshëm nuk u bë nga ish kryetari atëherë Visar Imeri, por nga grupe të caktuara që sot janë strukturë e VV-së. Edhe letra prej burgu e Albinit ishte skenarë i mirë paraparë. Njerëzve të PSD-së u është përgatitur skenari në atë formë që ata të ikin. Por, nuk më dhimbsen. Sepse kur janë luftuar grupet tjera kritike, të njëjtit, ose kanë qenë përkrahës aktiv, ose të heshtur të mënyrës mafioze të punës në VV”, ka thënë Duhanaj.

Sipas tij, ata u cilësuan si tradhtarë dhe kështu u dogjën. Edhe pse shikuar nga cilësia individuale dhe kolektive intelektuale, e programore, ishin me të përgatitur se VV, nuk morën vota të mjaftueshme, pasi që populli nuk voton programe por bie preh e euforisë dhe manipulimeve.

“PSD, ka gjasa të rehabilitohet, nëse qëndrojnë së bashku, punojnë në opozitë, qoftë edhe jashtë Parlamentit, por kjo mbetet të shihet”, përfundoi analisti Duhanaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat