Kurti paralajmëron Serbinë: Nuk ka shkëmbim territoresh pa gjakderdhje

Politika

Kurti paralajmëron Serbinë: Nuk ka shkëmbim territoresh pa gjakderdhje

Më: 17 nëntor 2019 Në ora: 21:49
Albin Kurti

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër i Kosovës, Abin Kurti, ka hedhur poshtë idenë e shkëmbimit të territoreve, pasi thotë se, prapa saj qëndron ideja e presidentit serb Aleksandar Vuçiç për të ndarë Kosovën. Ai paralajmëroi gjithashtu se “një konflikti i ri midis Kosovës dhe Serbisë  nuk do të mund të lokalizohej, pasi, siç tha ai “kundrejt Serbisë, shqiptarët veprojnë si komb dhe jo si një shtet i brishtë i Kosovës”.

 Kurti tha se aktualisht nuk ka nevojë të përshpejtohen negociatat në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Në një intervistë për gazetën “Pobjeda” të Podgoricës, Kurti  tha se në vend të kësaj [insistimit për dialog me Serbinë], prioritet duhet të jetë diskutimi se çfarë është arritur në negociatat deri më tani dhe çfarë pritet. Ai paralajmëroi se vetë të drejtojë ekipin negociator të Kosovës [si kryeministër], ku  do të përfshihen edhe anëtarët e qeverisë, opozitën dhe ekspertë të pavarur. 

“Serbia i ka borxh Kosovës për agresion dhe okupim, na ka borxh kompensimin e dëmeve të luftës, fondin pensionial dhe kursimet e qytetarëve në banka, të cilat i morën. Ata kurrë nuk i kthyen artefaktet e trashëgimisë tonë kulturore, kurrë nuk i dorëzuan të dyshuarit për krime lufte. Pra, le të fillojmë me kërkesat tona, e të shohim se çfarë Serbia do të na ofrojë “, tha Kurti. Ai e hodhi poshtë idenë e shkëmbimit të territoreve, sepse, siç thotë ai, ‘prapa saj qëndron ideja e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç për të ndarë Kosovën, dhe pastaj, përmes demarkimit të kufirit me kroatët, të ndajë Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe  e gjithë kjo i shkon përshtati Rusisë”.

“Pas dy grusht shteteve të dështuara [të Rusisë] – në Mal të Zi dhe Maqedoninë Veriore – të kthehet nëpër dyer të  mëdha  tani përmes një konflikti të ri të armatosur midis Kosovës dhe Serbisë.  Është e qartë se ky konflikt i ri i mundshëm nuk do të mund të lokalizohej. Sidomos kur, kundër Serbisë, shqiptarët veprojnë si një komb, jo vetëm si një shtet i brishtë i Kosovës”. “Për më tepër, nëse realizohet ideja e Vuçiçit për korrigjimin e kufirit etnik,  fitoni një problem të hapur dhe serioz në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Pse? Sepse ideja e korrigjimit është një term racist, i cili në mënyrë të pashmangshme na çon në konflikte të reja etnike. Nuk ka  shkëmbim territori pa gjakderdhje! Gjithmonë do të ketë shqiptarë dhe serbë në të dy anët e kufirit. Prandaj – pranimi i demarkacionit po, por jo shkëmbimi i territorit”, tha ai. Ai ka përsëritur se Presidenti serb Aleksandar Vuçiç është pasardhësi politik i Sllobodan Millosheviqit, ashtu siç ishte Millosheviqi pasardhësi politik i Aleksandar Rankoviqit, respektivisht se “Vuçiçi në thelb i përket të njëjtës linjë të politikës ekspansioniste serbe”.

Kurti përsëriti se në marrëdhëniet me Serbinë do të insistojë në reciprocitet të plotë politik, ekonomik, tregtar dhe shtetëror. Ai gjithashtu tha se Serbia duhet të ekstradojë Milan Radojiçiqin për shkak të dyshimeve se është përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Kurti thotë se qeveria e Kosovës mund të formohet muajin e ardhshëm. Ai  tha se me rinumërimin e votave  vetëm është duke u humbur kohë e vlefshme pasi zgjedhjet treguan vullnetin e qytetarëve për të ndryshuar dhe gjërat janë pak a shumë të qarta.

Ai përsëriti se Qeveria e re do të përfshijë përfaqësuesit serbë të Kosovës, jo përfaqësuesit e Serbisë dhe se ajo nuk do të varet politikisht nga Lista Serbe. Sipas tij, “Lista Serbe funksionon si degë ose drejtori e qeverisë serbe, jo si parti, dhe përfaqëson interesat e Serbisë, e jo interesat e serbëve në Kosovë”. “Si kryeministri i ardhshëm, unë jam shumë i interesuar të formoj një qeveri së bashku me serbët, atdheu i të cilëva është Kosova, pra me qytetarët e Kosovës, jo me përfaqësuesit e një shteti që nuk e njeh Kosovën dhe që lufton kundër vazhdimisht dhe kudo”, tha Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat