Abdixhiku: Humbëm ndaj Anglisë, por dolëm faqebardhë

Politika

Abdixhiku: Humbëm ndaj Anglisë, por dolëm faqebardhë

Nga: V.R Më: 18 nëntor 2019 Në ora: 21:45
Lumir Abdixhiku

Për Lumir Abdixhikun, deputetin e rizgjedhur nga LDK-ja, humbja ndaj Anglisë nuk do të thotë asgjë në krahasim me mikpritjen e madhe që i shfaqëm lojtarëve dhe tifozëve anglez.

Sipas tij, i gjithë ky promovim, me 0 euro shpenzim; por me mend shumë. Pakrahasueshëm – larg pakrahasueshëm – me milionat e shpenzuara në kampanja shtetërore.

Postimi plotë:

Kështu,

Mediat angleze, tabloidë me miliona lexues ditorë, shkruajnë për disa ditë rresht për Kosovën. Lojtarët anglez, me miliona ndjekës nëpër botë, falënderojnë Kosovën për pritje dhe lojë. Trajneri anglez në intervistën e parë pas lojës, e cilëson udhëtimin në Kosovë si përvojën më të mirë në jetën sportive - djemve tanë u uron kualifikim nëpërmjet Ligës së Kombeve. Fjala Kosovë, në Angli këtë vikend, është kërkuar 10 herë më shumë se sa ditën e shpalljes së pavarësisë sonë. Vizitorët anglez, ata që ishin këtu, e përshkruajnë Kosovën si vendin më mikpritës e më të qetë që kanë parë ndonjëherë – si vend që duhet vizituar patjetër nga vizitorë të tjerë. Figura botërore, nga ekspertë të komunikimit, sportistë, ambasadorë politik e opinionistë, organizimin tonë po e cilësojnë si shembull të PR-it të mirë; shembull të diplomacisë.

I gjithë ky promovim, me 0 euro shpenzim; por me mend shumë. Pakrahasueshëm – larg pakrahasueshëm – me milionat e shpenzuara në kampanja shtetërore. Veç me mirësjellje, organizim tifozësh fantastik, e me sjellje qytetare shembullore. Ky organizim bën dallim me secilin vend në rajon; sidomos kur kujton vrasjen e tifozit anglez në Serbi apo me thirrjet raciste në Mal të Zi e Bullgari. E ka vendosur Kosovën në hartë për të mirë.

Kjo faqe e re e Kosovës vjen në kohën kur vendi ynë ka prodhuar lajme të zeza pandërprerë; e kur fushata multimilionëshe nga Serbia ka provuar të na potretizojë si të rrezikshëm - si shtet në dështim. Dhe për një vikend kthyem shumë.

Natyrisht se ka të tillë, cinik, që punë tjetër s’bëjnë veçse të japin kritikë, e disi, nuk e di si, gjejnë diçka të zezë në këtë promovim. Por, vikendi i shkuar ishte fantastik për imazhin e vendit tonë të vogël në Evropë. Dhe imazhi sot ka rëndësi. Në sport, në ekonomi, në politikë. Paramendoni po te kishim këtë përshtypje tek secili vend tjetër evropian. Për këtë duhet falënderuar secilin tifoz Dardan, secilin qytetar, e secilin mikëpritës që me sjellje e mirësjellje i kanë bërë vendit tonë një shërbim të pamatshëm.

Djemtë e Kosovës ishin frymëzim sportiv në gjithë këtë kualifikim. Qytetarët tanë ishin shembull jashta saj. Është koha që edhe politikën ta sjellim në këtë nivel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat