Franca përdorë liberalizimin e vizave si kartë presioni për marrëveshjen me Beogradin?

Politika

Franca përdorë liberalizimin e vizave si kartë presioni për marrëveshjen me Beogradin?

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 18 nëntor 2019 Në ora: 22:13
Hashim Thaçi

Ditë më parë, Peter Beyer, është përzgjedhur raportues i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Beyer mposhti kundërkandidatin e tij rus, Aleksey Kondratyev me prejardhje ruse. Për kandidimin e Kondratyev kishte pasur reagime të shumta nga Prishtina.

Po ashtu, Peter Beyer është deputet i Bundestagut gjerman nga partia e CDU-së së Angela Merkel dhe qytetarët e mbajnë mend nga vizita e tij në Prishtinë kur tha se liberalizimi i vizave mund të vijë si dhuratë për Krishtlindje.

Mbështetja në planin moral

Politologu Enver Bytyçi, për “Bota sot”, deklaroi se diplomati dhe politikani gjerman, Peter Beyer se kur vizitoi në fillim të shtatorit Prishtinën dhe në atë vizitë dëshmoi se e njeh shumë mirë Kosovën dhe rajonin ballkanik.

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

“Si i tillë Beyer u shpreh gjatë asaj vizite kundër përpjekjeve për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë që deklaroi se mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën. “Gjermania është një shtet mbështetës për integrimin e Kosovës dhe liberalizimin e vizave natyrisht, tha ai… Nuk është e drejtë që Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka liberalizim të vizave”. Dhe shtoi se “unë nuk do ta jap datën, por, ndoshta do të jetë shpërblim për Kërshëndella””, tha Bytyçi.

Megjithatë Bytyçi, është i mendimit se Këshilli i Europës nuk ka ndonjë rol të madh që të ndikojë në vendimet e Bashkimit Europian.

“Në këtë kuptim mbështetja e Beyer për liberalizimin e vizave me Kosovën do të jetë e planit moral. Por ai mund të ndikojë me informacionet e tij si raportues te qeveria gjermane, e cila ka rol shumë të madh për këtë. Nuk besoj gjithashtu se liberalizimi I vizave do të ndodhë për Krishtlindjet e këtij viti. Kjo dhe për faktin se presidenti Macron e ka kushtëzuar këtë me fillimin e dialogut e madje me rezultatet e tij. Duket se Franca do ta përdorë liberalizimin e vizave si kartë presioni për marrëveshjen me Beogradin. Kjo do të thotë se pritet një projekt-marrëveshje që dëmton rëndë interesat e Kosovës. Ndaj dhe presidenti Macron synon ta mbajë Hashim Thaçin në linjën e bisedimeve Prishtinë-Beograd”, tha ai.

Më tej, politologu, deklaroi se liberalizimi I vizave, edhe çështja e bisedimeve dhe marrëveshjes me Serbinë besoj se do të jenë ekskluzivitet i fituesve të zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Me qëllim që të realizohet me sukses kjo, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani duhet të thërrasin në koalicion edhe AAK-në e Ramush Haradinajt, me qëllim që të bashkohen të gjitha forcat anti-Thaçi në koalicionin qeverisës dhe të parandalojnë çdo mundësi të presidentit të Kosovës për të delegjitimuar dhe shkatërruar procesin dhe rezultatet e zgjedhjeve të kaluara”, tha ai.

Tutje, Bytyçi, tha se në këto kushte rritet mundësia që miqtë e Kosovës, si Peter Beyer, do të rritin përpjekjet dhe shanset për një mbështetje të fuqishme të Kosovës në forcimin e shtetësisë së saj, si dhe në mbrojtje tërësisë territorial të Kosovës.

Krasniqi: Liberalizimi i vizave për Kosovën është kthyer në çështje politike dhe pazaresh

Image
Faik Krasniqi

Ndërkaq, analisti dhe njohësi i çështjeve politike Faik Krasniqi, për “Bota sot”, tha se Franca është kundërshtuesja më e madhe e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ose më mirë them Macron është ai që po i mban peng dy milion qytetarë të Kosovës. Jo pse atij i bëhet vonë për korrupsionin që e kemi në vendin tonë, por edhe Macron është me atë ombrellën që janë për ndarjen e Kosovës. Sikur të ishte ashtu, ai me izolim do t'i ndëshkonte politikanët (pushtetarët) e Kosovës që janë të korruptuar, dhe jo t'i ndëshkojë qytetarët”, tha ai.

Sipas tij, për Kosovën është lajm shumë i mirë që Peter Beyer është zgjedhur raportues për Kosovën, por kjo s'do të thotë që liberalizimi i vizave do të ndodh shpejt.

“Për të kaluar në Këshillin e Ministrave liberalizimi i vizave për Kosovën, duhet të votojnë shtete që përbëjnë 65 përqind të popullatës së BE-së. Pesë shtete që nuk na kanë njohur si shtet i kemi kundër, edhe pse në Parlamentin Evropian votuan pro. Ato shtete përbëjnë 16-17 përqind të popullatës së Bashkimit Evropian. Edhe nëse Franca do të votonte kundër, prapë se prapë do të kalonte miratimi në këtë Këshill. Por do të ishte rrezik që të dështonte nëse edhe shtete si Holanda, Belgjika, Danimarka dhe Austria do të votonin kundër, atëherë do të dështonim. Nuk e vendosin në votim nëse Gjermania dhe Franca nuk kanë një dakordim”, tha ai.

Më tej, Krasniqi, shtoi se Gjermania është shteti më i fuqishëm brenda Bashkimit Evropian. Ajo duhet ta bindë Francën që mos t'i bllokojë qytetarët e Kosovës.

“Nëse këtë nuk e bën Gjermania, atëherë ne e kemi një kartë që duhet ta shfrytëzojmë. Taksa ndaj Serbisë. Bashkimi Evropian dhe Serbia kanë vendosë kusht heqjen e taksës për vazhdimin e dialogut. Oferta jonë: Ju na i hiqni vizat, ne e heqim taksën. Liberalizimi i vizave për Kosovën është kthyer në çështje politike dhe pazaresh, atëherë edhe ne të bëjmë politike dhe pazar në favorin tonë. Përndryshe, kjo gjë mund të zgjas edhe me vite të tëra. Është bërë si telenovelat indiane që nuk përfundojnë kurrë”, tha Krasniqi.

Ndikimi nuk do të jetë vendimtar

Image
Nexhat Haziri

Publicisti Nexhat Haziri, për “Bota sot” deklaroi po ashtu se zgjedhja e Peter Beyer si raportues për Kosovën është një lajm i mirë dhe kjo tregon se Kosova është në rrugë të mirë drejtë normalizimeve në raportet me Serbinë.

“Së pari është lajm i mirë për Kosovën zgjedhja e Peter Bayer si raportues për Kosovën dhe mposhtja e kandidatit rus. Ndërsa se cili mund të jetë ndikimi i tij në procesin e liberalizimin, mund të themi se nuk do të jetë aq vendimtar, pasi ky proces tani ka kaluar në instancat politike të vendimmarrjes të shteteve veç  e veç”, tha ai.

Sipas tij, ndikimi i raportuesit për Kosovën në këto shtete nuk është se do të ndryshoj qëndrim të shteteve që janë duke kundërshtuar liberalizimin e  vizave për qytetarët e Kosovës.

Ndërsa sa i përket dhuratave për krishtlindje, Haziri, pohoi se ndoshta në vitin e ardhshëm edhe mund t’i kemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat