Po tentohet dëmtimi i partive fituese

Politika

Po tentohet dëmtimi i partive fituese

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 19 nëntor 2019 Në ora: 19:57
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

“Ne jemi të gatshëm edhe për zgjedhje të reja dhe jemi të bindur se do të jemi përsëri të parët, por është në interes të vendit që Qeveria të konstituohet sa më parë”, thotë Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje.

Tashmë janë bërë gjashtë javë që nga zgjedhjet e 6 tetorit, por ende nuk është bërë certifikimi i këtyre të fundit.

Kjo përshkak të rinumërimit të vazhdueshme të kutive të votimit kanë filluar zërat që vendi të shkoj në zgjedhje.

Por, kjo çështje është bërë më e zëshme që nga vendimi i Gjykatës Supreme që votat e ardhura nga Serbia të mos merren dhe nga kjo u mundësua që NISMA të kalojë pragun, në këtë mënyrë Lëvizja Vetëvendosje do të ketë tre deputet më pak në Kuvend, ndërsa partitë tjera të cilat e kanë kaluar pragun do të kenë minus një deputet.

Por, shkuarja në zgjedhje nuk po cilësohet si ide e mirë, pasi që vendi ndodhet para sfidave të mëdha.

Vendimi i Supremes zbeh shijen e mirë të zgjedhjeve

Ish deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, për vendimin e Gjykatës supreme ka thënë se është e qartë se ky vendim ishte i ndikuar politikisht.

Image
Arbërie Nagavci

“Vendimi i Supremes për rinumërim të më shumë se gjysmës së votave, e zbeh shijen e mirë dhe vlerësimit për proces shumë të mirë të zgjedhjeve të 6 tetorit dhe është e qartë se ky vendim ishte i ndikuar politikisht”, ka thënë ajo për “Bota sot”.

Por, sipas saj, kjo nuk mund të jetë arsye se vendi të shkoj në zgjedhje të reja, përkundër që po deformohet vullneti i qytetarëve.

“Megjithatë kalimi eventual i pragut nga ana e Nismës, nuk është arsye për të shkuar në zgjedhje të reja, ndonëse faktikisht deformohet vullneti i qytetarëve. Qeveria e ndryshimit do të formohet me rezultatet aktuale ose dhe pas zgjedhjeve eventuale”, ka thënë zyrtarja e VV-së për “Bota sot”.

Por, ish deputetja e VV-së ka theksuar se VV-ja është e gatshme për zgjedhje të reja, por zgjedhjet nuk janë në interes të vendit.

“Ne jemi të gatshëm edhe për zgjedhje të reja dhe jemi të bindur se do të jemi përsëri të parët, por është në interes të vendit që Qeveria të konstituohet sa më parë”, ka përfunduar Nagavci për “Bota sot”.

Kosova se ka luksin për të shkuar në zgjedhje

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridik dhe politike, Hidajet Ahmeti, ka thënë se vendi nuk e ka luksin për të shkuar në zgjedhje, për shkak se vendi ndodhet para sfidave.

Image
Hidajet Ahmeti

“Shteti i Kosovës, por edhe qytetarët e saj nuk e kanë luksin për të shkuar në zgjedhje për teket e partive politike. Vendi ndodhet para sfidave të rëndësishme, përveç që kërkon përkushtim maksimal, njëkohësisht kërkon një qeverisje efikase, profesionale e cila buron nga vullneti i popullit dhe punon për popullin”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për, më tepër, Ahmeti vlerëson se tashmë është dëshmuar vullneti i qytetarëve në zgjedhjet e 6 tetorit

“Gjykoj se zgjedhjet e 6 tetorit dëshmuan për vullnetin qytetarë dhe çdo tendencë për të ndryshuar këtë vullnet qytetarë, përveç që është i dëmshëm për shtetin e Kosovës, por njëkohësisht dëshpërim dhe zbehje e shpresës qytetare dhe deformim i vullnetit qytetar. Qytetarët e kanë shansin e fundit që të kenë një qeverisje kredibile, profesionale e mbi të gjitha një qeverisje që buron prej popullit, por jo të lejohet që vullneti qytetarë të deformohet për interesa të partive politike. Në këtë proces demokratik, i cili fillimisht u gjykua nga institucionet përgjegjëse si i mirë dhe pa eksese të cilat e dëmtojnë këtë proces”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Ai ka theksuar që nuk janë shterur mundësit kushtetuese dhe ligjore për formimin e qeverisë dhe për këtë nuk duhet të shihet ky proces si dështim.

“Nuk ka vend për të dyshuar në dështimin e këtij procesi, pasi nuk janë shtjerrë mundësitë kushtetuese e ligjore për formimin e qeverisë së re. Fillimisht duhet të certifikohen zgjedhjet e pastaj të veprohet me procedurat kushtetuese e ligjore që ju takojnë institucionet përgjegjëse për mandatarin e qeverisë së re, por jo të paragjykohet në këtë proces akoma pa u certifikuar zgjedhjet dhe pa përfunduar procedurat kushtetuese e ligjore”, ka shpjeguar Ahmeti për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka shtuar se pas certifikimit të zgjedhjeve duhet të veprohet me aktgjykimin e Gjykatës kushtetuese që partia e cila ka fituar zgjedhjet të formoj qeverinë.

“Mbi të gjitha, mbas certifikimit të zgjedhjeve të 6 tetorit duhet të veprohet me aktgjykimin e Gjykatës kushtetuese, që njeh subjektin e parë për formimin e qeverisë, dhe pastaj të vazhdohet me procedurat tjera të obliguara”, ka thënë Ahmeti për “Bota sot”.

Për interesa po tentohet të njollosen rezultatet e zgjedhjeve

Ndërkaq, Islam Krasniqi, analist politik, shprehet se në zgjedhjet e 6 tetorit është treguar se duhet respektuar vullnetin e popullit.

“Zgjedhjet e 6 tetorit kanë qenë një ndër zgjedhjet më të mira në rajon, të cilat treguan botës së edhe qytetarët e Republikës së Kosovës dinë të bëjnë ndryshime, treguan kulturën e demokracisë, duke e respektuar vullnetin e sovranit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai shprehet se rezultatet e këtij procesi po mundohen ta njollosin individ të caktuar.

Image
Islam Krasniqi

“Individët e caktuar me mendje të prishur, po mundohen t'i njollosin rezultatet e dalura nga zgjedhjet e 6 tetorit, duke vepruar pas perdes dhe duke i futur duart në kuti për ta dëmtuar vullnetin e qytetarit vetëm e vetëm për t'i dëmtuar partitë fituese”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Islami ka theksuar se nuk duhet të shkohet në zgjedhje, por duhet dënuar individët të cilët bëjnë rinumërimin e votave për interesa të caktuara.

“Nuk duhet të lejohet që të shkohet prapa në zgjedhje për të ja humbur atë vlerën e demokracisë që e treguam më 6 tetor por duhet dënuar akterët kryesorë të cilët nga 10 herë bëjnë rinumërin e kutive të njëjta për të ruajtur interesat e grupeve kriminale të cilat e kontrollonin shtetin”, ka potencuar Krasniqi për “Bota sot”.

Në fund, Krasniqi e quan lojë politike rinumërimin e votave, si dhe vendimin e Gjykatës Supreme.

“Rinumërimi i votave disa herë dhe vendimi i Gjykatës supreme e cila në njërën anë i pranon dhe në anën tjetër i refuzon kanë qenë një lojë politike, lojë të cilën duhet ta hetojnë dhe ti dhanë fund për herët tjera, e jo një herë se kaloi pragun, pastaj e kalo pragun. Nuk kemi kohë për të humbur sepse zhvatësit e shtetit akoma kërkojnë mjegull për t'i shfryer epshet e tyre me paren publike, por te formohet qeveria dhe epshet t'ia mbushim në dyzë për keqpërdoruesit e parasë publike”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat