Mbron kriminelët, kërkohet mbyllja e Listës serbe nga shteti

Politika

Mbron kriminelët, kërkohet mbyllja e Listës serbe nga shteti

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 20 nëntor 2019 Në ora: 06:00
Foto ilustrim nga "Bota sot"

“Gëzohemi që Qeveria e re e Albin Kurtit do jetë e pavarur nga ndikimet serbe, qeveria do të formohet me ato parti serbe që e pranojnë qeverinë dhe kushtetutën e Kosovës e jo me lista njerëzish të ardhur nga Serbia”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi

Kryeministri në ardhje Albin Kurti këto ditë ka kërkuar dorëzimin e Radojçiqit para drejtësisë. Kurti ka thënë se Milan Radojçiq duhet të dal para organeve të drejtësisë për veprat për të cilat po akuzohet.

Nga ana tjetër, Lista serbe dëshiron të futet në Qeverinë Kurti, kurse në anën tjetër i mbronë kriminelët brenda saj.

Analistët politik vlerësojnë se Lista serbe, nuk do të sjellë probleme në Qeverinë Kurti, pasi tipat si Radojçiqat janë të vegjël për t'u përplasur me Albin Kurtin.

Sipas tyre, Lista serbe nuk mund të paraqet asnjë problem, pasi qeveria e ardhshme me gjasë nuk do të jetë përcaktuese e votave të Listës serbe.

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se asnjë lloj përplasje nuk mund të ketë në mes LVV dhe Listës Serbe, pasi të vegjël janë tipat si Radojçiqat për t'u përplasur me Albin Kurtin.

Sipas tij, kurrfarë problemi nuk mund të sjellë Lista Serbe, që është e ardhur nga Serbia, pasi është një trup i huaj në dëm të qeverisë së Kosovës.

“Shumë decidë e i qartë është Albin Kurti se nuk mund të pranonte në qeveri grupe kriminelësh që s`e pranojnë pavarësinë e Kosovës. Albin Kurti politikisht është shumë i kthjellët sesa “Prontot” e qeverisë së mëparshme, ai e di se nuk mund të bashkë qeverisin vendin me serb të cilët fizikisht e trupërisht duan të jenë në majë të qeverisë Kurti e politikisht, mendërisht, me zemër e shpirtërisht me qeverinë e Serbisë”, ka thënë profesor Mehazi.

Ai konsideron se Qeveria e re e LVV-LDK na gëzon, sepse që në start jo që s'është inferiore ndaj Listës Serbe, por edhe ndaj qeverisë serbe.

“Nuk mund Albin Kurti për qejfin e Vuçiqit të pranonte në qeveri listën të cilën e kanë bërë vetë qeveria e Serbisë. Nëse Vuçiqit i dhimbset "Lista Srpska" le t'i marrë në kabinetin e Ana Brnabiqit e jo në atë të Kosovës. Gëzohemi që Qeveria e re e Albin Kurtit do jetë e pavarur nga ndikimet serbe, qeveria do të formohet me ato parti serbe që e pranojnë qeverinë dhe kushtetutën e Kosovës e jo me lista njerëzish të ardhur nga Serbia”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Ahmeti: Qeveria e ardhshme nuk do të jetë përcaktuese e votave të Listës serbe

Image
Analisti politik Hidajet Ahmeti

Ndërsa, analisti politik Hidajet Ahmeti, ka thënë se sa si përket çështjes së dialogut, zyrtarët e VV-së kanë qenë shumë të qartë e konkret në kuptimin e përmbajtjes strategjike në procesin e dialogut në raport me serbët.

Ai konsideron se Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi ka proklamuar dialog me serbët lokale, e jo çështja e bisedimeve të kalojë në nivel shtetesh, ku shteti serb të instrumentalizojë serbet e Kosovës për qëllime politike.

“Edhe në qeverinë e ardhshme, potencialisht Lista serbe nuk mund të paraqet asnjë problem, pasi qeveria e ardhshme me gjasë nuk do të jetë përcaktuese e votave të Listës serbe. E them këtë pasi nga kjo kuptohet se qeveria e ardhshme nuk do të krijojë varësi nga Lista serbe, dhe rrjedhimisht qeveria e ardhshme nuk mund të instrumentalizohet nga agjenda politike e Serbisë sikur ka ndodhur në të gjitha qeveritë e kaluara. Qeveria e ardhshme do të punojë brenda frymës kushtetuese në përfshirjen e komuniteteve pakicë në qeverinë e ardhshme, por jo domosdoshmërish të jenë pjesë e koalicionit qeverisës, që i bie se Lista serbe që përfaqësohet në Parlamentin e Republikës mund ta gëzojë të drejtën kushtetuese të përfaqësimit me një ministri, por jo të jetë pjesë e koalicionit qeverisës”, është shprehur analisti politik Hidajet Ahmeti.

Krasniqi: Milan Radojqiç duhet të dalë para organeve të drejtësisë për veprat për të cilat po akuzohet

ImagePolitologu Faik Krasniq

Kurse, ka thënë se Milan Radojçiq duhet të dalë para organeve të drejtësisë për veprat për të cilat po akuzohet.

Sipas tij, lista serbe në njërën anë dëshiron të futet në Qeverinë Kurti, kurse në anën tjetër i mbron kriminelët brenda partisë së saj.

“Është tmerr kur një parti ka në radhët e saj kriminelë, por më e keqja është kur i mbron ata për veprat që kanë mundur t'i bëjnë. Në një shtet normal parti të tilla do të mbylleshin nga shteti. Nëse ai është i pafajshëm, atëherë nuk ka se përse t'i frikësohet drejtësisë. Nuk ka përse t'i sjellë probleme Lista serbe Qeverise Kurti, sepse Albin Kurti as që do t'ua varë. Bashkësia Ndërkombëtare nuk mund t'i bëj presion Albin Kurtit që ta përfshijë në koalicion një parti që mohon çdo gjë shtetërore, që sjell probleme të vazhdueshme, por që gjithmonë e do tortën e pushtetit”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Kadriu: Albin Kurti ka filluar të ndryshoj qëndrimet e tija politike

Image
Kushtrim Kadriu

Ndryshe, analisti politik Kushtrim Kadriu, ka thënë se Albin Kurti ende pa u rehatuar në pushtet, ka filluar të ndryshoj qëndrimet e tija politike.

Sipas tij, shikuar dhe krahasuar me veprimet politike që i bënte në vitet e kaluara Kurti është dëshmuar se është një lider si shumica e të tjerët që evoluon në qëndrimet e tija politike.

“Analizuar në tërësi është ai që më së shumti evoluojë në qëndrime nga e gjithë skena politikë. Ishte kundër Isa Mustafës duke e quajtur edhe “Isa i Zajednicës” tani atë e bëri partner kryesorë. Këto veprimi lënë të kuptojmë se Kurti mundet t’iu imponohet që ta bëjë Listën Serbe pjesë të qeverise dhe do ta amnistojë Radojçiqin nëse  veç ja kërkon Lista Serbe atë. Albin Kurti është ndryshe nga liderët e partive tjera në përgatitjen profesionale, ka lexuar libra më shumë se të tjerët, di të flas më bukur se të tjerët, por nga rrugëtimi politik dhe qëndrueshmëria e mbajtjes së parimeve, ai nuk mundi të ndryshojë shumë nga të tjerët pasi që edhe vet skena politike e Kosovës, nuk jep shumë zgjidhje tjera për të vepruar. Albini e ka pasur të vështirë të pijë gotën e parë të verës, sepse të tjerat shkojnë vet e nuk i vëren fare”, ka thënë analisti Kushtrim Kadriu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat