Skandalet në politikë, drejtësi e siguri po e pengojnë liberalizimin e vizave për Kosovën

Politika

Skandalet në politikë, drejtësi e siguri po e pengojnë liberalizimin e vizave për Kosovën

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 20 nëntor 2019 Në ora: 19:10
Foto ilustrim

“Kohëve të fundit kishim disa raste që dolën në opinion për shtetas të huaj, nga bota e krimit të pajisur me pasaporta të rregullta me shtetin e Kosovës. Natyrisht se kjo paraqet një pengesë të madhe për vendet e BE për të votuar në fazën përfundimtare. E të mos flasim për gjendjen e mjerueshme në të cilën gjendet sistemi i drejtësisë ku zyrtarët në vend se t` i nënshtrohen vetëm ligjit i nënshtrohen politikës”, ka thënë analisti politik Fadil Lepaja.

Nuk ka kaluar shumë kohë që kur ish-Kryeministri Ramush Haradinaj dha premtimin e fundit për viza, që sipas tij do të liberalizohen në dhjetor. Por, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ditë më parë ka thënë se ky është një proces i ndërlikuar dhe se shteti duhet të bëjë më shumë përpjekje për sundim të ligjit, migrim dhe siguri. Premtime për viza dha shumë, deri tani, asnjëherë nuk ia qëlloi.

Një herë në shtator, pastaj për Krishtlindje, ‘këtyre ditëve’, e së fundi në dhjetor, ishin këto premtimet e ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, lidhur me liberalizimin e vizave.

Por, tashmë dihet që Kosova që një kohë të gjatë që ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave dhe vendit iu dha drita e gjelbër për këtë nga Parlamenti Evropian në muajin prill. Tani pritet që Komisioni Evropian në krye me Finlandën, ta kthejnë në agjendë çështjen e vizave, dhe ato të hiqen për qytetarët e Kosovës.

Makolli: Kërkesa e Kryeministrit në detyrë Haradinaj për liberalizimin e vizave, e arsyeshme

Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së Vesel Makolli ka thënë se historikisht është e njohur se ne shqiptaret më shumë kemi humbur energji duke u marrë me vetveten se sa për ti shtyre përpara proceset jetike për kombin dhe shtetin.

Image
Vesel Makolli

“E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Kosovën pas lufte, kur ka mbretëruar kakofonia e brendshme dhe interesat individuale dhe partiake të cilat i kanë prolonguar në masë të madhe proceset për krijimin e shtetit demokratik si dhe proceset e integrimeve në organizata relevante ndërkombëtare. Edhe përkundër këtyre pengesave Kosova ka arritur që në masë të madhe ti plotësojë kushtet që i janë nënë rreth liberalizimit të vizave. Bazuar në disa shtete nga blloku postkomunist ne i kemi plotësuar më shumë kushtet nga BE por në rastin tonë BE ka qenë shumë strikte duke mos toleruar si në rastin e shteteve tjera. Kjo nuk e arsyeton mos punën tonë sidomos kur kemi të bëjmë me krijimin e shtetit demokratik, sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit, migrimin dhe sigurinë”, ka thënë Makolli.

Sipas tij, kërkesa e Kryeministrit në detyrë Haradinaj për liberalizimin e vizave këtë fundvit, është mese e arsyeshme dhe shumë e nevojshme sidomos për qeverinë e re, të cilës kishte me i shërbyer si një nxitje për t’i shtyrë proceset edhe ashtu të vonuara si ne rrafshin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtarë, për anëtarësim në organizatat relevante ndërkombëtare.

“Siç duket kjo do të mbetet vetëm një dëshirë e Haradinajt dhe e shtetasve të Kosovës, pasi që është shumë e vështirë të besohet se një gjë e tillë do te ndodhë në muajin që vjen duke u bazuar në procedurat të cilat duhet të kalohen nëpërmes njësive përgjegjëse të BE-së për këtë lami. Kosova pa marrë parasysh rrethanat duhet të angazhohet maksimalisht në krijimin e sa më shpejt të institucioneve të saj duke u bazuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme pasi që çdo vakum institucional ndikon drejtpërdrejt në shtyrjen e liberalizimit të vizave dhe të proceseve tjera. Institucionet e reja duhet që pa ekuivoke ta luftojnë korrupsionin , nepotizmin dhe të krijojnë kushte optimale për sundimin e ligjit dhe krijimin e predispozitave për një shtet demokratik dhe liberal në plot kuptimin e fjalës. Sa më parë që t’i arrimë këto objektiva, dhe ti luftojmë dukurit negative të shoqërisë, ne do të krijojmë kushte për një ardhmëri të ndritur për popullin tonë dhe sidomos për rinin. Këto objektiva duhet të jenë permanent si synim i të gjitha institucioneve të shtetit dhe i çdo subjekti politik të Kosovës”, ka thënë Veseli.

Mehmeti: Sfida kryesore e shtetit duhet të jetë sundimi i ligjit, çkapja e saj nga ndikimet politike si dhe një seri veprimesh që rregullojnë drejtësinë

Kurse, analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se sfida kryesore e shtetit duhet të jetë sundimi i ligjit, çkapja e saj nga ndikimet politike si dhe një ser veprimesh që rregullojnë drejtësinë.

Sipas tij, pikërisht për këtë deklarata e zonjës Apostolova është së BE-ja është e interesuar që të nxis Qeverinë e re të Kosovës që të bëj shumë për drejtësinë, si njëri ndër kushtet themelore heqjen e vizave dhe integrimin në BE.

Image
Faton Mehmeti

“Çdo qeveri që nuk ka synim drejtësinë nuk do të ketë mbështetjen e BE-së, andaj zonja Apostolova shprehu qartë synimet e BE-së, që të kemi një qeveri që garanton drejtësi, sepse ndryshe vendi nuk ecën tutje”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Lepaja: Institucionet e sigurisë policia, sistemi drejtësisë, kanë dështuar dhe këto janë arsyeja kryesore për mungesë të liberalizimit

Ndërsa, politologu Fadil Lepaja ka pohuar se institucionet e sigurisë në radhë të parë policia , pastaj sistemi drejtësisë, kanë dështuar dhe këto janë arsyeja kryesore për mungesë të vizave.

Ai konsideron se kohëve të fundit kishim disa raste që dolën në opinion për shtetas të huaj, nga bota e krimit të pajisur me pasaporta të rregullta me shtetin e Kosovës.

Image
Fadil Lepaja

“Natyrisht se kjo paraqet një pengesë të madhe për vendet e BE për të votuar në fazën përfundimtare. E të mos flasim për gjendjen e mjerueshme në të cilën gjendet sistemi i drejtësisë ku zyrtarët në vend se t` i nënshtrohen vetëm ligjit i nënshtrohen politikës. Në këto rrethana mendoj se ndonjë lëshim eventual, si dhënia e vizave, do të kishte më tepër motiv humanitar sesa plotësim i vërtetë i kritereve”, ka thënë politologu Fadil Lepaja.

Duhanaj: Kosova nuk mund të bëj asgjë, pos të këmbëngulë në kërkesat e saja legjitime

Se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është temë e ndërlikuar, këtë tashmë e kemi mësuar përmendësh, pasi është e ndërlikuar dhe këtë padyshim se duhet ta sqarojnë vetë institucionet përkatësisht shtetet anëtare të BE-së.

Analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë për gazetën “ Bota sot” se Kosova është duke u diskriminuar dhe izoluar padrejtësisht vite me radhë si rezultat i ndasive që janë evidente brenda Bashkimit Evropian.

Sipas tij, Kosovë madje i janë vendosur edhe kushte nga më absurdet, duke përdorur standarde të dyfishta, ( shih, demarkimin e kufirit me Malin e Zi).

Image
Leon Duhanaj

“Kriter i tillë ose do të duhet të vlente në parim për të gjithë, ose nuk do të duhej të ishte fare të jetë kritik. Në anën tjetër, edhe politikanët tanë, bukëpërmbysë kanë qëndruar duarkryq, për t'ua bërë sa më të lehtë argumentet dhe arsyetimet, për të na lënë neve nën izolim. Edhe Haradinaj, bashkë me Albin Kurtin, që në kohën kur u kërkua ratifikimi i demarkacionit, për ta marrë liberalizimin në paketë, zgjodhën të ndërtojnë kauzë për pushtet e jo për shtet e liberalizim. Pos kësaj, politikanët nuk heqin dorë asnjëherë nga aferat korruptive, pasi që në fakt e vetmja kauzë që për ta, po dëshmohet të jetë edhe mbi kombin, është pasuria materiale ( paraja). Tani, krejt çfarë mund të bëjmë është të lobojmë tek shtetet anëtare. Por, kush mund të loboj, kur bartësit e institucioneve, nuk t'i respekton as vlerëson askush, as nuk e kanë me të voglën konsideratë për ta. Shih, Ministrin e Jashtëm Pacolli”, ka thënë analisti politik Leon Duhanaj.

Ai shtron pyetjes se si mund të lobojë, si një njeri i dyshimtë, i cili çdoherë ka qenë i tillë dhe liderët botërorë as që kanë dëshirë t'i shoh kush me të në shtrëngim duarsh.

“Si mund të lobojë një njeri i tillë, ndaj të cilit edhe vendet afrikane po bëjnë refleksion. Shih çfarë ndodhë me tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës. Janë të gjitha vende ku Pacolli, ka qenë aktiv tash e dhjetë vite, kinse duke sjell njohje. Ai madje bënte punë paralele, karshi ministrit, karshi vetë shtetit. Ai me siguri u ka premtuar siç e ka zakon veç të premtoj pa mbulesë dhe të tillët janë zhgënjyer me të duke iu hakmarrë Kosovës. Ne nuk mund të ecim përpara, nëse për dy muaj nuk jemi n ‘gjendje me e përfunduar një proces numërimi elektoral. Si përfundim, mendoj që liberalizimi mbetet çështje e vullnetit të mirë të vendeve anëtare. Kosova nuk mund të bëj asgjë, pos të këmbëngulë në kërkesat e saja legjitime, të bëj presion në drejtim të BE-së. Por për ta bërë ketë, kërkohen politikanë të pangarkuar me hipoteka në Kosovë”, ka thënë analisti politik Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat