Koalicioni Vetëvendosje-LDK, punë e kryer

Politika

Koalicioni Vetëvendosje-LDK, punë e kryer

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 21 nëntor 2019 Në ora: 08:34
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

6 tetori shënoi mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë. Por, edhe pse kanë kaluar një muaj e gjysmë që nga mbajtja e tyre, ende po rinumërohen vota dhe kështu shtyhet certifikimi i rezultateve, rrjedhimisht dhe formimi i qeverisë së re.

Në anën tjetër, që pas zgjedhjeve dhe rezultateve, Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve dhe LDK si parti e dytë, kanë filluar bisedimet për arritjen e një koalicioni për formimin e Qeverisë.

Javën e ardhshme, takimi Mustafa Kurti

Image
Besian Mustafa

Sa i përket takimit të ardhshëm në mes të dy partive, për gazetën “Bota sot” ka folur, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, i cili ka marrë dhe votat për tu bërë deputet.

Ai ka thënë se certifikimi i rezultateve nga KQZ pritet të ndodhë kah mesi i javës së ardhshme dhe më pas do të kemi takimin në mes të Isa Mustafës dhe Albin Kurtit.

“Pas certifikimit të rezultateve nga KQZ, që pritet të ndodhë diku kah mesi i javës së ardhshme, do të kemi takimin mes liderëve të partive Mustafa-Kurti, sa më parë që lejojnë agjendat e tyre, për të diskutuar temat politike të marrëveshjes për bashkëqeverisje”, ka deklaruar Mustafa për “Bota sot”.

Abazi: Ta tendenca për deformimin e vullnetit të qytetarëve

Image
Haki Abazi

Ndërsa, Haki Abazi nga Vetëvendosje, i cili ka fituar votat për tu bërë deputet, ka thënë se janë dy procese që po zhvillohen paralelisht, ai i runumërimit të votave dhe vendimi i sovranit që ka vendosur ta largojë krimin dhe korrupsionin.

“Janë dy procese që po zhvillohen paralelisht,njëra është procesi i kontinuitetit të procesit zgjedhor dhe vendimit të sovranit dhe pjesës së votës së lirë e demokratike që ka vendosur të largojë krimin dhe korrupsionin nga shteti dhe qeverisja. Në këtë vazhdë duhet trajtuar edhe bisedat e LVV dhe LDK në harmonizimin dhe arritjen e pajtueshmërisë për qeverinë dhe programin qeverisës”, ka thënë ai.

Abazi thotë se po ndodhë edhe tentimi për të deformuar vullnetin qytetar dhe për të krijuar vonesa e për të vështirësuar formulën qeverisëse.

“Paralelisht është duke ndodhur tentimi i vazhdueshëm për të deformuar vullnetin qytetar dhe për të krijuar vonesa dhe për të vështirësuar formulën qeverisëse duke futur vendime të njëpasnjëshme arbitrare e retroaktive të ndikuara politikisht dhe me interesa të paqarta e dekurajuese që kryesisht Po bëhen nga mekanizma dhe forma të sistemit të kapur nga individë dhe grupe që e kanë sjellë gjendjen e mjerë në vend”, është shprehur Abazi.

“Përfundimisht LVV dhe LDK do të bëjnë marrëveshje”

Ai ka konfirmuar se koalicioni do të ndodhë dhe përkrahja është e madhe.

“Por përfundimisht LVV dhe LDK do të bëjnë marrëveshje dhe përkrahja ndërkombëtare është shumë e madhe ndërsa energjia e popullatës kërkon asgjë më pak se një përmbyllje elegante dhe pa vonesë të ndryshimit të madh që është bërë me 6 tetor”, ka deklaruar Haki Abazi për “Bota sot”.

Ndërsa, analistët kanë dhënë vlerësimet e tyre për arritjen e koalicionit mes të dyja partive.

Zogaj: VV dhe LDK duhet të jenë koeshiente për rolin dhe përgjegjësinë historike

Image
Skënder Zogaj

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj vlerëson se procesi i zgjedhjeve është bastarduar, pasi në të kanë dorë elemente që nuk ia duan të mirështetësisë së Kosovës.

“Procesi solid i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare i 6 tetorit, tashmë është bastarduar, sepse sipas të gjitha gjasave kanë dorë elementë që nuk ia duan të mirën shtetësisë së Kosovës dhe kurorëzimit të suksesshëm të lirisë dhe të pavarësisë së shqiptarëve të Kosovës! Zgjedhjet janë argumenti kryesor i denjësisë dhe seriozitetit të shtetndërtimit, prandaj dikushët nuk duan ta lejojnë këtë vlerë demokratike te kosovarët”, ka thënë Zogaj.

Ai thotë se vullneti mes partive për koalicion nuk ka munguar, pavarësisht disa fërkimeve që ai i quan individuale.

“Pas zgjedhjeve them se VV dhe LDK treguan shenja të mira bashkëpunimi për një koalicion të qëndrueshëm, që na mban në shpresën se do të realizohet duke krijuar një kthesë qeverisëse që i duhet Kosovës! Aq sa kemi mundur të shohim dhe kuptojmë vullneti nuk ka munguar, pavarësisht nga ca fërkime individësh kapricioz, që i konsideroj qëndrime individuale dhe jo partiake! Gjërat e këtilla janë të pritshme dhe pa ndonjë peshë, nëse VV dhe LDK janë koshiente për rolin dhe përgjegjësinë historike që e kanë në tavolinë”, ka vlerësuar ai.

Zogaj thotë se partitë duhet ta presin dhe më pas pa hamendje të krijojnë qeverinë e re.

“Ky koalicion nuk duhet te bazohet në përfitimet partiake por duhet të ketë qëllim shtetndërtimin! Ky duhet të jetë qëllimi motivues i të dy partive që kanë rastin të fitojnë shumë, por edhe të humbin shumë! Pra, duhet të presin rinumërimin dhe pa hamendje te krijojnë qeverinë e re”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Krasniqi: Postet nuk guxojnë të jenë pengesë për një koalicion qeverisës mes LVV dhe LDK-së

Image
Faik Krasniqi

Në anën tjetër, Faik Krasniqi, njohës i çështjeve politike, vlerëson se LDK ka thënë se po presin certifikimin e rezultateve, e në anën tjetër ka deklarata për postin e presidentit dhe kryeparlamentarit.

“LDK përmes liderit dhe përfaqësuesve të saj kanë deklaruar që po presin certifikimin e rezultateve, dhe pastaj të zyrtarizojnë koalicionin qeverisës me LVV-në. Kurse në anën tjetër dëgjojmë deklarata të ndryshme nga kjo parti, sidomos për postet qeveritare. Në shumë deklarata, shumë zyrtarë të kësaj partie kanë deklaruar që atyre u takon posti i Presidentit dhe kryeparlamentarit”, ka vlerësuar ai.

Sipas Krasniqit, deklarata ka pasur edhe nga LVV dhe shihet që ka një mospajtim për postin e presidentit.

“Edhe në taborin e LVV-së kemi dëgjuar poashtu deklarata rreth posteve të pretenduara nga LDK. Nëse i shohim deklaratat nga të dyja taboret, shohim se ka një mospajtim rreth postit të presidentit që e ka zvarritur arritjen e një koalicioni”, ka theksuar Krasniqi.

Ai thotë se postet nuk duhet të jenë pengesë për koalicion, derisa shton se deri në fillim të janarit të vitit të ardhshëm do të kemi qeverinë e re nga LVV dhe LDK.

“Sovrani ka votuar që PAN-i të largohet nga pushteti. Ata kanë votuar LVV dhe LDK që të udhëheqin shtetin. Shteti është mbi të gjitha, dhe postet nuk guxojnë të jenë pengesë për një koalicion qeverisës mes LVV dhe LDK-së. Pavarësisht këtij ngërçi të vogël, besoj që do të kemi një koalicion mes këtyre dy partive. Më së largu në fillim të janarit 2020 do të kemi Qeverinë e re, në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat