Rudi, Zemaj, Mustafa, Maloku, Manaj e Geci, krah i drejtësisë për zbardhjen e vrasjeve politike

Politika

Rudi, Zemaj, Mustafa, Maloku, Manaj e Geci, krah i drejtësisë për zbardhjen e vrasjeve politike

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 22 nëntor 2019 Në ora: 21:12
Foto ilustrim "Bota sot"

“LDK-ja mjaft ka folur e tash duhet të punojë shumë më tepër për hetimin dhe denoncimin e dëshmive konkrete tek institucionet përkatëse. Sidomos pres që në Kuvend e Kosovës deputetët që e kanë përjetuar goditjen e krimit, FetahRudi, ArmendZemaj, Besian Mustafa, Doruntina Maloku, ShkambManaj e MarigonaGeci të ftojnë dhe të bëhen krah i drejtësisë”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Se a do të ketë shpresë në zbardhjen e vrasjeve politike të pasluftës nga Qeveria LVV-LDK-së, apo kjo çështje do të zvarritet edhe për vite të tjera, dhe drejtësia nuk do të zbardhë autorët e qindra vrasjeve të pasluftës në Kosovën e lirë, kjo mbetët të shihet.

Megjithatë vrasjet politike të kohës së luftës dhe pas saj, janë e keqja më e kobshme, që i ka ndodhur deri më tani shqiptarëve të Kosovës.

Analistët politik kanë vlerësuar se Qeveria e re zbardhjen e vrasjeve politike duhet ta ketë prioritet shtetëror, nëse veç dëshiron të realizojë ëndrrën e lirisë dhe të pavarësisë.

Një pjesë e tyre mendojnë se, vrasjet e shumta që kanë ndodhur pas lufte në Kosovë, kanë qenë kryesisht me motive politike, ku supozohet të jenë mbi 1400 raste, të organizuara dhe kryera në mënyrat më mafioze të mundshme, me metoda “profesionale” nga shkollat kriminale të ish “Sigurimit” të Enver Hoxhës dhe nga shërbimi i UDB-së ish- Jugosllave.

Zogaj: Vrasjet politike janë teh thike në ndërgjegjen e të gjithë shqiptarëve të Kosovës pa dallim përkatësie politike

Analisti politik Skender Zogaj, ka thënë për “Bota sot” se vrasjet politike të kohës së luftës dhe pas saj, janë e keqja më e kobshme që i ka ndodhur shqiptarëve të Kosovës.

Sipas tij, Kosovës padrejtësisht iu kanë vrarë bijtë dhe bijat më të mira intelektuale dhe atdhetare.

Image
Skender Zogaj,

“Vrasjet e njëanshme, të gjithë të vrarët anëtarë të Lidhjes Demokratike, është dëshmi e pakontestueshme, se vrasjet kanë qenë politike, ndërsa pastërtia e figurave të tyre është dëshmi se ata janë viktimizuar nga kriminelët ordinerë për qëllime përfitimesh të ndyta dhe thellësisht antikombëtare. Si të këtillë vrasjet politike janë teh thike në ndërgjegjen e të gjithë shqiptarëve të Kosovës pa dallim përkatësie politike, përderisa të mos zbardhen vrasjet dhe vrasësit të nxirren para drejtësisë. Është për keqardhje që institucionet tona 20 vjet heshtin dhe e përtypin tradhtinë e turpshme”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Ai konsideron se, Qeveria e re zbardhjen e vrasjeve politike duhet ta ketë prioritet shtetëror, nëse dëshiron të realizojë ëndrrën e lirisë, dhe të pavarësisë, duke demaskuar krimet dhe duke ua dhënë vendin e merituar vlerave dhe sakrificave të gjakut të derdhur, që nuk guxon të mbahet peng për qëllime politike.

“LDK-ja mjaft ka folur e tash duhet të punojë shumë më tepër për hetimin dhe denoncimin e dëshmive konkrete tek institucionet përkatëse. Sidomos pres që në Kuvend e Kosovës deputetët që e kanë përjetuar goditjen e krimit, Fetah Rudi, Armend Zemaj, Besian Mustafa, Doruntina Maloku, Shkamb Manaj e Marigona Geci të ftojnë dhe të bëhen krah i drejtësisë”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Elezaj: Vrasjet e shumta që kanë ndodhur pas lufte në Kosovë, kryesisht me motive politike, supozohet të jenë mbi 1400 raste

Ndërsa, publicisti Rexhep Elezaj ka pohuar se vrasjet e shumta që kanë ndodhur pas lufte në Kosovë, kryesisht me motive politike, e që supozohet të jenë mbi 1400 raste, janë organizuar dhe kryer në mënyrat më mafioze të mundshme, me metoda “profesionale” nga shkollat kriminale të ish “Sigurimit” të Enver Hoxhës dhe nga shërbimi i UDB-së ish jugosllave.

Ai ka thënë se për t’i zbuluar dhe zbardhur gjitha ato vrasje makabre, kërkohet një punë mjaft e mundimshme dhe e gjatë, dhe patjetër me njerëz të shkolluar në fushën e kriminalistikës dhe zbulimit të krimeve dhe vrasjeve.

Image
Rexhep Eleza

“E them këtë pasi qeveria e ardhshme LVV-LDK, duhet ta formon një “Task-Forcë” speciale, ekskluzivisht për ndriçimin e vrasjeve me motive politike që kanë ndodhur në Kosovë pas luftës çlirimtare. Siç dihet, përveç familjeve te të vrarëve, kanë qenë me dhjetëra shoqëri civile, shoqata, asociacione, parti politike si dhe media të shumta të cilat që 20 vite vazhdimisht kanë kërkuar me ngulm nga organet tona të drejtësisë si dhe nga qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, që të zbardhen të gjitha vrasjet e pasluftës. Së pari, për hir të dhimbjeve të familjarëve të tyre për t’ua lehtësuar dhimbjen, pastaj që autorët e vrasjeve ta marrin dënimin e merituar si dhe për ta pastruar, sado pak, ndërgjegjen tonë kolektive nga “fajësia” si popull dhe shoqëri.

Sipas tij, sikur nuk na mjaftonte gjithë ai gjak i derdhur, gjitha ato masakra, vrasje, krime dhe varre masive nga kriminelët serbë.

“Uroj nga zëmra që qeveria e ardhshme e përbërë nga LVV-LDK, në krye me z. Albin Kurtin, kryeministër, do ia del me sukses në ç’kapjen e organeve të drejtësisë nga politika, nga korrupsioni dhe imoraliteti përmes një Vettingu të mirëfilltë, në mënyrë që të ngritën gjykata dhe prokurori plotësisht të pavarura nga politika, dhe tek atëherë mund të pritet fillimi aq shumë i pritur për zbardhjen e vrasjeve politike në Kosovë, dhe jo vetëm.”, ka thënë Rexhep Elezaj.

Shahu: Vrasjet politike, gurë i rëndë në qafën e çdo qeverie në Kosovë

Ndërsa, analisti politik Rexhep Shahu ka thënë se vrasjet politike të pasluftës, janë gurë i rëndë në qafën e çdo qeverie në Kosovë sot e shumë vite më vonë.

Sipas tij, do të jetë shumë e vështirë, në mos e pamundur zbardhja e atyre vrasjeve.

Image
Rexhep Shahu

“Ndoshta ndonjë edhe mund të zbardhet, por vetëm ndonjë, pasi të gjithë ato krime nuk mund të zbulohen, sepse fijet e krimeve janë lidhë në të djeshmen e të nesërmen. Edhe pse mund të ekzistojë dëshira dhe presioni i politikës për tu zbuluar ato krime, do të jetë gjithmonë e vështirë sepse krimi e mafia në tërësi janë një hap para qeverive. Pastaj vullneti politik i një qeverie nuk mjafton pa bashkëpunimin e gjithë krahëve politik për ta lënë pa mbështetje krimin e vrasjeve politike. E bashkëpunoni i gjithë politikës nuk ndodh pasi vrasësit kanë diku diku strehe e mburojë politike”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Burjani: Duhet gjithçka të qartësohet përmes procedurës gjyqësor

Njohësi i çështjeve juridike e politike, Blerim Burjani, ka thënë se kjo çështje është e Gjykatës Speciale dhe Gjykatave të rregullta.

Image
Blerim Burjani

“Mendoj se duhet gjithçka të qartësohet përmes procedurës gjyqësore, sepse të gjitha krimet duhet të ndëshkohen pa marrë parasysh motivin, pra duhet të zbardhen rastet e shumta edhe gjatë viteve 90 edhe pas viteve 99, mandati i gjykatës është para dhe pas vitit 1999, pra duhet të zbardhen të gjitha që janë përfolur me vite”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat