Kupola e “veteranëve të rrejshëm” së shpejti para drejtësisë

Politika

Kupola e “veteranëve të rrejshëm” së shpejti para drejtësisë

Nga: Valon Rogova Më: 24 nëntor 2019 Në ora: 14:39
Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbim Demaliaj, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Smajl Elezaj

Çështja e veteranëve, thënë ndryshe numri i madh i tyre, ka bërë që, të jetë diskutim i ditëpërditshëm. Lidhur me këtë ka pasur akuza e kundër-akuza. Madje, nga zyrtar qeveritar, nga këta të tanishmit por edhe të mëparshmit është thënë se do të merren masa ndaj kësaj kategorie.

Kohëve të fundit Gjykatat nëpër qytete të ndryshme kanë nisur shqiptimin e dënimeve për disa nga veteranët mashtrues. Ndërkaq, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), një vit më parë ka ngritur aktakuzë kundër: Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të luftës së UÇK-së.

Gjykimi fillon më 4 dhjetor

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se trajtimi i rasteve gjyqësore lidhur me “veteranët mashtrues” është njëri ndër rastet më të mëdha në drejtësinë kosovare që nga paslufta.

“Lidhur me këtë rast, ish-prokurori special, Elez Blakaj, kishte përgatitur aktakuzën, të cilën më vonë formalisht e kishte dërguar në gjykatë prokurori Afrim Shefkiu, përmes së cilës akuzohen 12 anëtarët e Komisionit Qeveritar, derisa për përfituesit e pensioneve të veteranëve në mënyrë të kundërligjshme, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte proceduar një mori lëndësh tek Prokuroritë Themelore përkatëse për të zhvilluar hetime në kuadër të kompetencave të tyre”, tha ai.

Image
Ehat Miftaraj

Merret vesh se në këtë mënyrë, që nga ajo kohë e deri tash, në sistemin e drejtësisë procedurat penale janë duke u zhvilluar në dy drejtime: Procesi gjyqësor ndaj 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar dhe procesi gjyqësor ndaj përfituesve të kundërligjshëm të pensioneve në emër të veteranit.

Tutje, Miftaraj, tha se sa i përket rastit të anëtarëve të Komisionit Qeveritar, aktakuza e PSRK-së është konfirmuar, dhe gjykimi lidhur me këtë rast në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të filloj më 4 dhjetor 2019,  gjykim i cili prit të vazhdoj edhe më 5 dhe 6 dhjetor të këtij viti.

“Ndërsa, lidhur me rastet e përfitimit të kundërligjshëm të pensioneve në emër të veteranëve dallojmë dy praktika: Atë të kohës para raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi mbi trajtimin e këtyre rasteve dhe praktika pas publikimit të këtij raporti. Para publikimit të këtij raporti, në rastet e këtyre natyrave që IKD i kishte monitoruar kishte gjetur se Prokuroria Themelore në Pejë nuk kishte bërë fare kërkesë që i pandehuri të kompensonte shumën e përfituar në mënyrë të kundërligjshme, dhe as gjykata nuk e kishte shqiptuar dënimin për këtë lloj të kompensimit. Po ashtu, në dispozitivin e aktgjykimit thuhej se shuma e përfituar ka qenë 1530 euro, derisa Gjykata Themelore në Pejë të pandehurin e ka dënuar me 1300 euro gjobë”, theksoi ai.

Tutje, Miftaraj, theksoi se pas këtij rasti, IKD kishte publikuar analizën “Drejtësia “amniston” veteranët e rrejshëm, dëmton Buxhetin e Republikës së Kosovës”. Në këtë raport, IKD kishte kërkuar nga sistemi i drejtësisë që të mbrojë buxhetin e Republikës së Kosovës nga veteranët mashtrues, si dhe të sanojë dëmet që tanimë janë krijuar nga ky proces .

“Ky rekomandim ishte zbatuar nga sistemi i drejtësisë, ashtu që të gjitha aktakuzat që kishin qenë në proces ishin precizuar nga Prokurorët e Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar edhe shqiptimin e dënimit plotësues për kompensim dëmi, si dhe me këtë propozim, janë ngritur të gjitha aktakuzat e tjera. Po ashtu, në të gjitha rastet që kanë përfunduar pas publikimit të këtij raporti (gjithsej 4 raste) është shqiptuar edhe dënimi plotësues për kompensimin e dëmit . Në këto 4 raste, shuma e përgjithshme që të pandehurit detyrohen t`i kthejnë në emër të përfitimit të kundërligjshëm të pensionit në emër të veteranëve është gjithsej 7.650 euro”, përfundoi Miftaraj.

Bytyçi: Duhen ndëshkuar dhe zyrtarët e shtetit, të cilët kanë shkelur ligjin

Nga ana tjetër, politologu dhe njohësi i çështjeve politike, Enver Bytyçi, për “Bota sot”, tha se veteranët e luftës dhe ligji për shpërblimin e tyre është një problem shumë i madh jo vetëm për buxhetin e shtetit, por edhe për shoqërinë e Kosovës. E gjitha kjo për shkak të manipulimit të listave me qëllim rritjen e kapitalit politik të partive të luftës.

“Është gjithashtu dhe një çështje politike, sepse në një farë mënyre manipulohet vullneti politik i qytetarëve në votime. Nëse me buxhetin e shtetit joshen shtresa të caktuara të popullsisë, me të padrejtë, atëherë ata ftohen për të votuar njërën ose tjetrën parti politike pa u dhënë mundësi që të votojnë alternativën më të mirë. Kjo nuk është demokratike”, tha Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Bytyçi, tha tani thuhet se numri i veteranëve të luftës është reduktuar nga 60 mijë në 40 mijë. Duket se ende nuk janë vendosur kritere të qarta për të klasifikuar se kush mund të jetë veteran i luftës për çlirimin e Kosovës.

“Mungesa e kritereve ka bërë që spekulimi të shtohet, madje të shumëfishohet dhe në lista të futen militantë të partive politike. Kjo është e papranueshme. Shoqëria kosovare nuk ka detyrë të shpërblejë spekulantët. Por, kjo është një lloj privilegji i pamerituar dhe i jep akces krijimit të psikologjisë së shtetit të padrejtësisë. Sepse në kushte të barabarta disa militantë shpërblehen dhe disa të tjerë po me aq kontribut penalizohen. Ky është gjithashtu diskriminim”, tha ai.

Sipas tij, për të gjitha këto arsye qeveria e re duhet të vendosë kritere strikte në rihartimin e listave dhe ta shpallë null vendimin e qeverisë së mëparshme.

“Askush nuk duhet të përfitojë taksat e qytetarëve të Kosovës pa meritë, pa kontribute të njohura nga publiku. Edhe nëse ndonjë parti qëndron fort pas kësaj skeme manipulimi dhe shpërdorimi politik e financiar, duhet që qytetarët e Kosovës të rikthejnë besimin te shteti i së drejtës. E drejta është që ata që kanë luftuar dhe sakrifikuar në luftë të shpërblehen, ndërsa ata që kanë manipuluar të ndëshkohen. Madje, duhen ndëshkuar dhe zyrtarët e shtetit, të cilët kanë shkelur ligjin dhe shtuar fiktivisht listat e veteranëve”, përfundoi ai.

Haziri: Kjo do të jetë një nga çështjet sfiduese për qeverinë e re në ardhje

Publicisti Nexhat Haziri, për “Bota sot”, tha se hetimi i çështjes së manipulimit të listave me veteranë të UÇK-së, është duke shkuar me një dinamikë të ngadaltë dhe dënimet e shqiptuara deri më tani nga gjykatat janë të vogla për të mos thënë simbolike.

Sipas tij, kjo ka të bëjë edhe me ndërhyrjet politike që bëhen që bëhen në procesin e hetimit të kësaj çështje.

Image
Nexhat Haziri

“Mbase kjo do të jetë një nga çështjet sfiduese për qeverinë e re në ardhje, e cila patjetër se duhet t’i jap një epilog real çështjes së veteranëve të rrejshëm, pasi vazhdimi i pagimit të tyre të pamerituar është ngarkesë për buxhetin e shtetit”, tha Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat