A do ta shtyjë formimin e qeverisë, ndarja e pushteteve? Flet historiani Jusuf Buxhovi

Politika

A do ta shtyjë formimin e qeverisë, ndarja e pushteteve? Flet historiani Jusuf Buxhovi

Nga: N.H Më: 27 nëntor 2019 Në ora: 22:57
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetevendosje kanë mandatin e elektoratit për ndryshime.

Sipas Buxhovit, ndarja e pushteteve nuk duhet të jenë në shërbim të pozicionimeve partiake dhe të kusuritjeve të tyre për interesa klienteliste, por për misionin e ndryshimit.

Image
Jusuf Buxhovi

“Këto parti kanë mandatin e elektoratit për ndryshime. Ky është një mision dhe si i tillë duhet të kuptohet dhe assesi në një luftë për të zëvendësuar pianistët. Përvoja e deritanishme duhet të jetë një mësim i mirë për këto parti që t’i përkushtohen një qeverisjeje të mirë dhe jo që pushteti të shfrytëzohet për qëllime personale, siç ka ndodhur deri më tani... Pra, këtu postet, nuk duhet të jenë në shërbim të pozicionimeve partiake dhe të kusuritjeve të tyre për interesa klienteliste, por për misionin e ndryshimit, e mbi të gjitha për misionin e shpëtimit të shtetit të Kosovës nga dalja në Pazar, siç ndodhi gjatë qeverisjes së kaluar”, ka thënë ai.

Historiani gjithashtu në intervistën e dhënë për gazetën “Bota sot”, ka folur edhe për mënyrat se si duhet ndalur turri zhvillimeve negative në Kosovë.

“Kosovocentrizmi këtu duhet të kthehet në moto të qeverisjes, por edhe në pozicionim me faktorin ndërkombëtar dhe me Shqipërinë po ashtu, e cila shtetin e Kosovës duhet ta mbrojë dhe assesi ta kthejë në koniunkturë për çfarëdo “bashkimi” kombëtarë, një pazare me Beogradin apo këdo, që do ta sakrifikonte atë. Që t’u ndalet turri këtyre zhvillimeve negative, në dëm të shtetit të Kosovës, në të cilat ka qenë e përfshirë edhe qeveria e Ramës, qeveria e re e Kosovës, duhet të kërkojë që 17 shkurti të shpallet festë zyrtare në Shqipëri dhe atë ditë flamuri i Kosovës të valojë kudo në Shqipëri bashkë me atë shtetëror shqiptar”, ka shtuar Buxhovi.

Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me vota unanime ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Pas vendimit për rinumërim nga PZAP, koalicioni NISMA-AKR-PD ka arritur të kalojë pragun zgjedhor me 5.002 për qind.

Në bazë të këtyre rezultateve Lëvizje Vetëvendosje, si parti e para në këto zgjedhje, ka marrë 221.001 vota (26,270%), LDK e dyta me 206.516 vota (24,548%), PDK e treta me 178.637 vota (21,234%), koalicioni AAK-PSD 96.872 vota (11,515%), ndërsa zyrtarisht koalicioni Nisma-AKR-PD e ka kaluar pragun duke marrë 42.083 vota, apo 5,002%.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat