Dhjetori muaji i Qeverisë Kurti!?

Politika

Dhjetori muaji i Qeverisë Kurti!?

Nga: G.B Më: 29 nëntor 2019 Në ora: 14:19
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Gati dy muaj pas përfundimit të zgjedhjeve, të enjten KQZ certifikoi rezultatet e zgjedhjeve dhe sot i ka dërguar presidencës shkresa njoftuese e rezultateve.

"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar presidentin e Republikës së Kosovës Thaçi lidhur me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që janë mbajtur me datë 6 tetor", tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në anën tjetër, lideri i VV-së Albin Kurti është takuar të enjten me liderin e LDK-së, Isa Mustafën, duke thënë se në ditët në vijim do të nënshkruajnë një marrëveshje.

Image
Skënder Zogaj

Lidhur me formimin e Qeverisë së re, njohësi i çështjeve politik, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se KQZ-ja me rinumërimin e votave e ka zbehur imazhin e procesit të zgjedhjeve, duke krijuar pikëpyetje për koalicionin, pasi ndryshojnë numrat.

“KQZ-ja me cirkun e numërimeve dhe rinumërimeve të stërzgjatura, e ka zbehur dhe e ka degraduar përtej çdo mase imazhin e një procesi të shkëlqyeshëm zgjedhor. Stërzgjatja sado qëllim mire që mund të ketë qenë, ka krijuar pikëpyetje të shumta, që do ta vështirësojnë formimin e qeverisë së re, sepse numrat e ri e prishin ekuilibrin e një koalicioni të fortë që është menduar se do të arrihej nëse dy partitë e para do të kishin 61 ulëse, të mjaftueshme për formimin e koalicionit qeverisës LVV – LDK. Ky variant tash ra dhe, procesi ngatërrohet, sepse, qeveria e re e Kosovës do të jetë e arrnuar!”, është shprehur Zogaj.

Sipas tij, LVV dhe LDK e kanë bërë një variant rezervë të bashkëqeverisjes, derisa e kanë parë që nga rinumërimi do tu zbritet numri i ulëseve në Kuvend.

“Unë mendoj se, LDK dhe LVV e kanë parandie se rinumërimi votave do t'ua zbres numrin e vendeve dhe, them se, e kanë përgatitur variantin rezervë të bashkëqeverisjes, që është e mundshme nëse, vërtetë e kanë qëllim shtetin dhe jo pushtetin”, ka vlerësuar ai.

Zogaj thotë se LVV dhe LDK nuk duhet ta humbasin asnjë sekondë në dhjetor për formimin e qeverisë.

“LDK-s dhe LVV pa ekuivokë partiake, duhet të shfaqin me transparencë të plotë projektin e tyre qeverisës, në mënyrë që ta gëzojnë përkrahjen e plotë të qytetarëve të Kosovës, duhet të jetë e plotë dhe pa ekuivokë politikaneske, sepse, kjo mënyrë e formimit të qeverisë së re do gëzonte përkrahjen e gjerë të shtetasve! Dhjetorin LVV dhe LDK-ja nuk duhet të humbasin asnjë sekondë”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat