Kështu do të ndahen ministritë, ja sa do t’i takojnë VV-së e sa LDK-së, juristi jep parashikimin

Politika

Kështu do të ndahen ministritë, ja sa do t’i takojnë VV-së e sa LDK-së, juristi jep parashikimin

Nga: N.H Më: 30 nëntor 2019 Në ora: 18:23
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pas gati 2 muaj bisedime që nga përfundimi i zgjedhjeve, më në fund janë harmonizuar 100 për qind për programin qeverisës.

Këto dy parti, përmes një njoftimi për media, thuhet se janë pajtuar edhe për çështjen e kabinetit qeverisës që do të jetë me 12 ministri.

Njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ndarja më e drejtë do të ishte kur 6 ministri do t’i takonin LDK-së, dhe 4 të tjera Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ndarja më e drejtë do të ishte 6 ministri Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i Kuvendit, zëvendëskryeministri i pare, ndërsa, nga ana tjetër, Lëvizjes Vetëvendosje do të duhej të kishte 4 ministri dhe Kryeministrin, kjo formulë mund të jetë e kompromisi politik. Në mes dy partive është edhe efektive dhe mund të jetë e pranueshme. Dihet që dy ministri i takojnë minoriteteve”, ka thënë Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, duke folur për harmonizimin e marrëveshjes, Burjani ka thënë se kështu nuk duhet të veprohet edhe me bordet e pavarura, pasi kështu kishte vepruar qeverisja e kaluar e PAN-it.

“Bordet e ndërmarrjeve duhet të jenë të pavarura nga politika, dhe nuk duhet vepruar njëjtë edhe me bordet profesionale, pra të ndahen nga partitë në koalicion, pasi kjo do të ishte formulë e politizimit, ashtu siç ishte në PAN”, ka thënë mes të tjerave ai.

Ai gjithashtu bën thirrje që edhe diplomacia duhet të jetë e pavarur, dhe jo e kapur nga kasta politike.

“Edhe shërbimi diplomatik është i pavarur, atje kërkohet reformë e plotë, e këtij shërbimi ku ka ambasador dhe gjithçka familjar e kushëri e dajë e gjithçka duhet plotësisht të depolitizohet dhe ky shërbim të jetë i karrierës e jo politik dhe monedhe për kusuritje për zgjidhje të problemeve familjare e fisnore”, ka thënë Burjani.

Kujtojmë se subjekti i Albin Kurtit në zgjedhjet e 6 tetorit ka arritur t’i marrë 29 deputetë, LDK një më pak: 28. Ndërsa, iu duhen edhe disa vota të pakicave për të ndërtuar Qeverinë e re.

Lideri i VV-së ka thënë se ka siguruar votat e pakicave joserbe, të cilat do ta votojnë Qeverinë pa asnjë kushtëzim.

Sipas të gjitha gjasave, dita e hënë pritet të jetë vendimtare për marrëveshjen rreth themelimit të qeverisë së re.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat