Qeveria Kurti, shpresa e fundit për qytetarët e Kosovës

Politika

Qeveria Kurti, shpresa e fundit për qytetarët e Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 30 nëntor 2019 Në ora: 21:40
Albin Kurti, foto ilustrim nga "Bota sot"

Kaluan 20 vite dhe qeveritë e deritashme nuk i plotësuan kërkesat reale të qytetareve, për çka edhe ishin të thirrur. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se duhet sa më parë që të formohet Qeveria e re dhe themelimi i fondeve për zhvillim ekonomik nga dyshja LVV dhe LDK, në mënyrë që të realizohet edhe shpresa e humbur e qytetarëve.

Qytetari nga Prishtina Kushtrim Mustafa ka thënë për “Bota sot”, se pritjet janë të mëdha për shkak të zhgënjimit të madh nga qeveritë e kaluara, por megjithatë ekziston edhe skepticizmi pasi që deri sot.

Ai thotë se Lëvizjen Vetëvendosje nuk e ka parë ndonjëherë të jetë protagonist e marrjes së vendimeve të mëdha e me përgjegjësi.

“Nuk e kemi parë të jetë para presionit të vërtetë ndërkombëtar por edhe të intensitetit të punëve që duhet kryhen në qeveri. Albin Kurti është realisht shpresa e vetme e qytetarëve në këto momente, por nëse do të na dëshpëronte edhe Albin Kurti, nëse do të vazhdojë avazin e këtyre që kane shkuar, definitivisht në Republikën e Kosovës nuk ka asnjë shpresë për perspektivë, për çka besoj që e gjithë rinia do të mundohen që të ardhmen e tyre ta ndërtojnë jashtë vendit ku u lindën e për ku luftuan dëshmorët e luftës së UÇK-së”, ka thënë qytetari Kushtrim Mustafa.

Ndërsa, qytetari tjetër Ilaz Kuçi nga Prishtina uron që populli të mos jetë sponsor me dekada i pasurimit të kuletave të fytyrave të reja në ulëset e qeverisë.

“Edhe pse shumë me ndrojtje një mrekulli ishte dashur të ngjall një fije shpresë. Mundësinë e kanë për të dëshmuar që të tregojnë se edhe dinë të bëjnë shtet, dhe të qeverisin pa komandantë”, ka thënë qytetari Ilaz Kuçi.

Mulliqi: Lufta kundër korrupsionit dhe lufta ndaj dukurive tjera negative janë sfidat serioze të Qeverisë Kurti

Image
Skender Mulliqi

Analisti politik Skender Mulliqi, ka thënë për “ Bota sot” se qytetaret me të drejtë kësaj radhe presin që Qeveria e re dhe të bëjë më shumë për ta.

“Kaluan 20 vite dhe qeveritë e deritashme nuk i plotësuan kërkesat reale të qytetareve për çka edhe ishin të thirrur. Nuk patëm zhvillim të duhur ekonomik, sepse nuk planifikuan programe konkrete afatgjata të zhvillimit të këtyre ecurive, gjë që është presedan i llojit të vet. Nuk u punua seriozisht për hapjen e vendeve te reja të punës, nuk patëm investime të jashtme pa të cilat nuk ka mundësi të tejkalimit të krizës në të cilën Kosova është katandisur. Apetitet për përfitime personale të atyre që u ngjitën në pushtet bën që të rritën pakënaqësitë e qytetareve dhe të humbet besimi në këtë klasë politike”, ka thënë analisti politik Skender Mulliqi.

Sipas tij, mos përgjegjësia në qeverisje më vendin, keqpërdorimet e mëdha e të vogla, korrupsioni, nepotizmi dhe klientelizmi ishin indikatorët për largime masovike nga Kosova të të rinjve tanë.

“Lufta kundër korrupsionit dhe lufta ndaj dukurive tjera negative janë sfidat serioze të Qeverisë Kurti. Pastaj, kjo qeveri do të përballët më sfidën jo të vogël politike të bisedimeve që priten të vazhdojnë më Serbinë. Këto bisedime nuk ishte dashur të bëhen, pa u pranua pavarësia e Kosovës. Me të drejtë dhe është koha e fundit që të punohet seriozisht për të rritur standardin jetësor që është më i ulëti në Evropë. Qytetarët e lodhur nga pritja së më në fund të të behët mirë për të jetuar në vendin e tyre, nga kjo qeveri presin hapjen e perspektivave të reja që lumturinë e tyre ta kërkojnë këtu”, ka thënë analisti politik Skender Mulliqi.

Ai ka thënë se inkuadrimi në organizmat e ndryshëm ndërkombëtar, dhe udhëtimi i lirshëm në Evropë, do të duhej të përmbushen nga qeveria e re.

“Shumë gjatë Kosova ka mbetur vendi më i izoluar nëse nuk ndryshon gjendja ne drejtësi, shëndeti dhe arsim si shtyllat kryesore të shtetit, sigurisht së gjendja do të keqësohet edhe më shumë. Nëse vazhdohet me praktikën e vjetër të qeverisjes me vendin, përfundimisht qytetarët do ti humbin shpresat edhe ashtu të zvetënuara, së do të behët mirë për të jetuar në vendlindjet tyre. Kosova e zbrazur sigurisht se nuk i duhet askujt andaj këtë e presin me padurim edhe armiqtë tanë shekullor”, ka thënë analisti politik Skender Mulliqi.

Krasniqi: Zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, arsimi dhe shëndetësia duhet të jenë prioritet për këtë Qeveri

Image
Faik Krasniqi

Politologu Faik Krasniqi, ka thënë se pritjet e qytetarëve janë shumë të mëdha në Qeverinë e re dhe kjo Qeveri është shpresa e tyre e fundit.

Sipas tij, edhe LVV edhe LDK kanë premtuar themelimin e fondeve për zhvillim ekonomik.

“Nëse duam që të kemi zhvillim ekonomik dhe hapje të shumta të vendeve të punës, atëherë njëri nga ky fond duhet të jetë për bizneset fillestare (start-up).Në të kundërtën ka shumë pak shpresë nëse paratë shkojnë vetëm tek bizneset ekzistuese, apo më mirë të them do të jetë zhgënjim. Zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, arsimi dhe shëndetësia duhet të jenë prioritet për këtë Qeveri. Qysh në start të punës së saj këto fonde duhet të themelohen, sepse qytetarët me një këmbë janë në Kosovë dhe me një këmbë janë jashtë Kosovës”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Burjani: Koalicioni LDK dhe VV e kanë sfidë të madhe zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen përmes reformimit

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani, ka thënë se shumë shpresa janë investuar nga qytetaret, të cilët presin plotësisht një jetë më të mirë.

Sipas tyre, një ndalje të diskriminimit në punë depolitizim të bordeve të ndërmarrjeve, depolitizim të shërbimit civil dhe publik, punësim, depoltizim të shërbimit diplomatik, depolitizim universiteteve dhe largimin e mësimdhënësve me plagjiatura, në përgjithësi presin.

“Por më e rëndësishmja është që të presin zhvillimin ekonomik dhe pastrimi të drejtësisë dhe luftimit të korrupsionit. Pra janë shumë çështje të ngritura dhe kjo ka shumë shpresa se do të jetë ndryshe plotësisht. Koalicioni LDK dhe VV e kanë sfidë të madhe zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen përmes reformimit. Por tash pritet të shihet, por VV nuk ka përvojë në shumë tema. Pra është subjekt i një njeriu ka vizion të veten të mundshëm ose të pamundshëm por mendon ashtu”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Blerim Burjani.

Hertica: Republika e Kosovës në të ardhmen nuk do t’i ketë më shumë se 12 ministrive dhe tridhjetë zëvendësministra

Image
Ali Hertica

Ndërsa, analisti politik Ali Hertica, ka pohuar se partitë politike që do të përfaqësohen në Kuvend dhe do të krijojnë Qeverinë e re, do duhej të bënin një program.

Sipas tij, këto parti do duhej, të bënin një sistem të personave në ministri vetëm për një numër prej 12 ministrive dhe nuk duhet që çdo ministri të ketë nga dy zëvendësministër.

“Ndër vite kemi pasur një numër të madh të lëvizjeve sa i përket numrit të ministrive dhe kemi parë se në mungesë të një ligji rregulloret kanë ndryshuar hap pas hapi”, Republika e Kosovës në të ardhmen nuk do t’i ketë më shumë se 12 ministrive dhe tridhjetë zëvendësministra, në rast se do të miratohet Ligji për qeverinë. Në Kosovë është krijuar traditë, që është akomodim i njerëzve në pozita të lart”, ka thënë analisti politik Ali Hertica.

Ai konsideron se tash e sa vite në secilin mandat, sa më i madh të jetë koalicioni qeverisës, aq më e madhe bëhet Qeveria për të akomoduar secilin ortak apo partner në Qeveri.

“Deri më tash, kemi parë se të gjithë kanë synuar që të rehatojnë njerëzit e tyre të cilët në forma të ndryshme kanë sjell vota për subjektet politike. Qytetari thuajse ka një padurim që sa ma parë të formohet qeveria e re duke u besuar premtimeve të oponentëve politike se do ndryshojnë situatën politike dhe ekonomike. Që nga 6 shtatori deri më tani thuajse pritjet për qeverinë e re nuk janë reale dhe po që se vazhdon kështu më këtë vazhgitje qytetare do jetë skeptik për një qeveri stabile që është për ndryshime të politikave të vendit”, ka thënë analisti politik Ali Hertica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat