“Ligji për Gjykatën Speciale i ka dridhur themelet e shtetit”

Politika

“Ligji për Gjykatën Speciale i ka dridhur themelet e shtetit”

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 4 dhjetor 2019 Në ora: 08:05
Gjykata Speciale

“Ajo që është edhe më e pikëllueshme është kur deputetet që e kane votuar Gjykatën Speciale "vajtojnë" kur i vijë ftesa ndonjë zyrtari të lartë shtetëror për tu paraqitur në Hagë në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte” ka thënë për “Bota Sot” avokati Tomë Gashi.

Muaji dhjetor nuk pritet të sjell ndonjë arrestim të mundshëm nga Gjykata Speciale. Ishte folur gjatë, se në fund të vitit mund të ndodhin edhe arrestimet e para nga kjo gjykatë, por një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë, madje as muajt e ardhshëm.

Avokati Tomë Gashi, ka shpjeguar se të gjithë ata që kanë deklaruar se në dhjetor priten arrestimet e para nga Gjykata Speciale, e kanë thënë pa asnjë informatë të konfirmuar nga zyra e prokurorit special në Hagë apo nga Gjykata Speciale, e cila po ashtu është në Hage-Holandë.

“Është paksa jo serioze që dikush të flet më data apo më muaj se kur do të fillojnë arrestimet, sepse këtë askush nuk e din përveç zyrës se prokurorit special, i cili pas përfundimit të hetimeve apo gjatë hetimeve benë kërkesë për arrestimin-paraburgosje e dikujt dhe kushtet për arrestimin-paraburgimin e kujtdo të dyshuar për vepra penale në kompetencë të gjykatës speciale janë të përcaktuara më ligj dhe për arrestimin e dikujt të dyshuar vendos zyra e prokurorit special, ndërsa për paraburgosje te dikujt vendos gjyqtari kompetent i Gjykatës Speciale në Hagë” ka shpjeguar avokati.

Gashi: Fillimin e arrestimeve se dëshiron askush

Gashi ka shpjeguar se aludimet e ndryshme se arrestimet mund të ndodhin në muajin dhjetor janë më tepër hamendje, por në asnjë mënyrë dëshirë e dikujt.

Image
Tom Gashi

“Të gjitha këto aludime se arrestimet e para do të ndodhin në dhjetor mund edhe të ndodhin por janë me tepër hamendje, por në asnjë mënyrë dëshirë e dikujt, kushdo çoftë ai, sepse asnjë shqiptarë nuk e dëshiron ketë, por është e paevitueshme se një dite do të ndodhin këto arrestime-akuzime, paraburgosje dhe gjykime të ish pjesëtarëve të UÇK-së, për shkak se kështu kanë vendosur deputetet e Kuvendit të Kosovës me 03. gusht 2015, kur kanë votuar Gjykatën Speciale jashtë territorit të Kosovës, një gjykatë raciste kundër shqiptarëve në përgjithësi, kundër shqiptareve të Kosovës në veçanti, e posaçërisht kundër rish pjesëtareve të UÇK-së, kështu që tani për tani kjo është punë e kryer, ngase më votimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, tani më ai ligj është obligim ndërkombëtare, që Kosova e ka marrë dhe që fatkeqësisht janë shumë gjëra të pakuptueshme që deputetet tanë të Kuvendit të Republikës se Kosovës kanë votuar ligj kundër Republikës se Kosovës, e që është edhe më keq, i kanë amnistuar të gjitha krimet serbe të kryera në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe, e të cilat krime kurrë nuk do të gjykohen para një gjykatë apo Tribunali ndërkombëtar” ka thënë nder të tjera Tomë Gashi.

Sipas tij, nxjerrja e ligjit për Gjykatën speciale në ketë formë i ka dridhur vetë themelet e shtetit të Kosovës, e ka zbehur pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe i ka parandaluar njohjet e reja të shtetit të Kosovës. Kane qenë shumë arsye që një ligj i tillë të mos votohet dhe që se paku të kërkohet që një gjykatë e tillë me emërtimin Gjykatë Speciale apo më çfarëdo emri të themelohet në territorin e Republikës se Kosovës, të hetohen te gjitha krimet e supozuara të kryera gjatë periudhës se luftës, dhe të akuzohen të gjithë ata për të cilët sigurohen prova se kanë kryer krime lufte në Kosove pa i ndarë në etni, respektivisht në përkatësi nacionale.

Unë nuk besoj që ndokush, duke përfshirë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që do të ishin kundër themelimit të një gjykate të tillë në Kosovë për ti gjykuar të gjithë ata që kanë kryer krime, e kjo posaçërisht do të vlente për krimet serbe të ushtareve dhe policeve serb që kanë vrare mbi 15 mijë qytetar civil shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, që kane vrare mbi 1000 fëmijë, që kanë vrarë dhe dhunuar mbi 20.000 mijë femra në Kosovë, që kane masakruar këdo që kane mundur, vetëm për shkak të përkatësisë nacionale-shqiptare, por deputetet e Kuvendit të Kosovës kanë vendosur më ligj që ti akuzojnë vetëm shqiptaret dhe të iu japin imunitet krimineleve serb.

“Ajo që është edhe më e pikëllueshme është kur deputetet që e kane votuar Gjykatën Speciale "vajtojnë" kur i vijë ftesa ndonjë zyrtari të lartë shtetëror për tu paraqitur në Hagë në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte” ka thënë për “Bota Sot” avokati Tomë Gashi.

Ishte përfolur se arrestimet e para nga Gjykata Speciale do të fillojnë në muajin dhjetor, pas shumë intervistave e ftesave që ishin bërë. Megjithatë, fillimi i dhjetorit nuk ka sjell ndonjë arrestim e as nuk është paralajmëruar se mund të ketë diçka të tillë.

Miftaraj: Ka kohë deri tek arrestimet

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për drejtësi IKD në një prononcim për “Bota Sot” se është e pa mundur që këtë vit të kemi shpalljen e aktakuzave.

Image
Ehat Miftaraj

“Strategjinë që është duke e përdorur Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe fazat që është duke kaluar përmes ftesave për dëshmitar dhe të pandehur, pothuajse e bën të pamundur që këtë vit të kemi shpalljen e aktakuzave. Kjo me faktin se nga koha kur përfundohet me marrjen ne pyetje të dëshmitarëve dhe të dyshuarve Prokurorisë i duhen muaj në hartimin e aktakuzave”, ka thënë Miftaraj.

Elezaj: Fillimisht duhen kryer intervistimet

Njohësi i çështjeve politike në vend Rexhep Elezaj, në lidhje me mundësinë e fillimit të arrestimeve nga Gjykata speciale ka thënë se askush në Kosovë nuk posedon me informata të sakta, se kur do ndodhin arrestimet e para të njerëzve me ndikim politik në vend, gjegjësisht të apostrofuarve në raportin e Dick Martit si dhe të dyshuarve potencialë. Kjo për faktin, sepse sipas kodit dhe normave të çdo gjykate të drejtësisë, pa marrë parasysh nivelin e tyre juridik, vendimet për arrestime të kësaj natyre përgatiten dhe mbahen në konfidencë të plotë deri në çastin kur ato ekzekutohen.

Image
Rexhep Elezaj

“Supozimet dhe parashikimet e disave, se në muajin dhjetor do fillojnë arrestimet e para, duhet t’i marrim me rezervë, kur dihet se kemi të bëjmë me vendime të cilat para se të merren duhet të jenë në përputhje të plotë me ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si dhe të përmbajnë fakte mbi të cilat do ngriten aktakuzat.

Përndryshe, mendoj se Dhomat e gjykatës speciale për Kosovën me seli në Hagë, pas marrjes në pyetje të mbi 250 personave nga Kosova, tregon qartë se ky organ i drejtësisë është duke u përgatitur, që pasi ta përfundon marrjen në pyetje të dyshuarve dhe dëshmitarëve, dhe, tek pasi që t’i specifikojë dhe përpunojë deklaratat e secilit që është marrë në pyetje, do fillojë me arrestimet e para, e që unë nuk do doja të jap mendim të prerë se kur do ndodhin ato” ka thenë Elezaj.

Elezaj është i mendimit se arrestimet mund të ndodhin në çdo çast, por edhe mund të mos ndodhin tash, por një gjë është e sigurt, se ato do jenë të befasishme kur pakkush i pret, përndryshe të akuzuarit potencialë mund t’ia mbathin për t’u strehuar në ndonjë shtet të botës ku mund të strehohen dhe kërkojnë azil politik!

Elezaj: Nuk mund të kemi eskalim të situatës

“Se, a do të ketë eskalim të situatës në Kosovë pas arrestimeve të para të politikanëve dhe njerëzve me ndikim në Kosovë, personalisht nuk besoj se do kemi trazira ose protesta që do çonin në destabilizimin e situatës politike në vend, sepse populli ynë e di fort mirë se kush ishin ata politikanë të cilët kanë bërë presion të hatashëm mbi deputetët e Kuvendit të Kosovës, që me çdo kusht ta votojnë ligjin për themelimin e Dhomave speciale, apo siç i thuhet Gjykata speciale për Kosovën.

Kështu që nuk shoh asnjë arsye, të cilës do natyrë qoftë, që për shkak të arrestimeve të dyshuarve nga kjo gjykatë, njerëzit të dalin në rrugë dhe protestojnë kundër vendimeve të një gjykate të cilën vetë Kuvendi i Kosovës e ka themeluar dhe votuar” ka thënë njohësi i çështjeve politike në vend Rexhep Elezaj.

Duhanaj: Kushdo që mund të jetë i akuzuar, nuk duhet ta vë në lojë interesin e vendit

E analisti politik Leon Duhanaj, thotë se gjykata Speciale, bazuar në intervistimet e gjertanishme dhe, agjendat e paralajmëruara, do të filloj edhe me shpalljen e aktakuzave të para. Natyrisht, në bazë të profilit të njerëzve të intervistuar, shumica nga ta vinë nga politika dhe, kjo në rast të ndonjë aktakuze dhe, arrestimeve të mundshme mund të ndodhin edhe probleme.

Image
Leon Duhanaj

“Për mendimin tim, kushdo që mund të jetë i akuzuar, nuk duhet ta vë në lojë interesin e vendit për ta mbrojtur kauzën personale të tij.

Gjykata, tani më është realitet dhe nëse bëjmë përpjekje për ta dëmtuar ketë proces, do të humb veç Kosova.

Prandaj, nuk mendoj dhe besoj që dikush do ta dëmtojë interesin e Kosovës, duke bërë përpjekje për t'i ikur drejtësisë. Fundja edhe nëse ndodh diçka e tillë, përpos që do ta dëmtonte Kosovën, nuk do kishte efekt tjetër, pasi që drejtësia ndërkombëtare do t'i ndiqte në çdo vend, në çdo kohë”, ka thënë ai.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovës janё pjesë e sistemit gjyqësor tё Kosovës. Dhomat janë tё përkohshme dhe me mandat e juridiksion tё përcaktuar, konkretisht për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime tё tjera tё përkufizuara në Ligjin e Kosovës, tё cilat pretendohet se janë kryer midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000” ka thënë analisti politik Leon Duhanaj.

Ndryshe nga janari 2019 janë intervistuar më shumë se 200 persona, përfshirë ish-eprorë të UÇK-së, ish-deputetë, kryetarë komunash e qytetarë të thjeshtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat