Flet Sibel Halimi: Faji për dështimin në arsim, ekskluzivisht e ka politika

Politika

Flet Sibel Halimi: Faji për dështimin në arsim, ekskluzivisht e ka politika

Nga: V.R Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 16:30
Sibel Halimi

Kosova, përveç tjerash, kësaj radhe u turpërua edhe nga niveli katërcipërisht i ultë i nivelit arsimor.

Në tëstin e organizatës Pisa, Kosova, doli të jetë e treta, numëruar nga fundi.

Në një shoqëri të shëndosh kjo do të duhej të ishte skandalë, ndoshta skandali me i madh i dekadës, se jo më i vitit.

Po bëhet fjalë për analfabetizmin e një gjenerate e cila presupozohet që ardhmëria e vendit të jetë në dorë të tyre.

Sociologia Sibel Halimi, për “Bota sot”, ka thënë se rezultatet e testimit ndërkombëtar të arritjeve të nxënësve, PISA në lexim, matematikë dhe shkencë janë rezultat i faktorëve të ndryshëm që shtrojnë nevojën emergjente të një hulumtimi më të thellë në identifikimin e shkaqeve.

“Në dekadat e fundit, arsimi në Kosovë është sfiduar nga kontekste të ndryshme shoqërore dhe politike, si rezultat i saj, Kosova në asnjë mandat qeverisës nuk ka arritur të prioritizoj arsimin, sidomos në krijimin e standardeve ndërkombëtare të mësimdhënies. Për shkak të kontekstit historik të zhvillimit, Kosova trashëgon qasjen e vjetër të mësimdhënies me probleme të theksuara në kurikulë dhe tekste shkollore. Përmbajtja e teksteve shkollore në të shumtën e rasteve nuk përputhen me aftësitë kognitive të nxënësve,  si rrjedhojë, nxënësve iu imponohet të zhvillojnë të mësuarit mekanik. Poashtu, tekstet shkollore vazhdojnë të jenë burim i paverifikuar shkencor me stereotipe të theksuara gjinore në ilustrime dhe narracion”, tha ajo.

Halimi, theksoi se shkolla, për nxënësit nuk është burim motivimi dhe nuk u zhvillohet mendimi kritik e kërshëria në zgjerimin e njohurive të tyre. Prandaj shkolla shndërrohet në një vend monoton dhe jo kreativ për këtë grup moshë. Mësimdhënësit vazhdojnë ta praktikojnë qasjen vertikale të komunikimit më nxënësit, autoriteti i mësimdhënësit është mbizotërues në mbarëvajtjen e orës dhe si rezultat, nxënësve iu krijohet ndjenja e kontrollimit dhe disiplinimit.

“Derisa, në kontekstin e funksionimit të sistemit arsimor, Kosova lëngon nga politizimi dhe nepotizimi në rekrutimin e profesionistëve në pozitat vendimmarrëse duke filluar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Drejtoritë e Arsimit në nivel komunal, drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësve. Këto hallka të menaxhimi të tillë, ka bërë që përgjegjësia dhe llogaridhënia të jetë e nivelit më të ulët të mundshëm”, tha ajo.

Arsimi, duke qenë agjensë e dytë e rëndësishme e socializimit të fëmijëve, në shoqëri do të duhet të ishte edhe dinamika kryesore e zhvillimit, deklaroi Halimi.

“Derisa tek ne, shkolla me të gjitha dimensionet e saj, nuk ka arritur të krijoj dhe kultivoj vlerat e shoqërisë së hapur dhe si rezultat në Kosovë arsimi dhe shoqëria në përgjithësi bashkëjetojnë në një harmoni të plotë me njëra tjetrën”, përfundoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat