A do të ketë marrëveshje mes VV-së dhe LDK-së? Rexhaj jep detaje të rëndësishme, tregon për çfarë është i interesuar Albin Kurti

Politika

A do të ketë marrëveshje mes VV-së dhe LDK-së? Rexhaj jep detaje të rëndësishme, tregon për çfarë është i interesuar Albin Kurti

Nga: N.H Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 19:29
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Përkundër entuziazmit të madh pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë kanë arritur në një pikë kritike të negociatave për qeverinë e re.

Janë polemikat mes përfaqësuesve nga të dyja anët, që japin arsye se bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për momentin ndodhën në një “ngërç” të thellë.

Edhe veprimtari Sali Rexhaj, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka folur lidhur me “ngërçin” në të cilën janë duke kaluar bisedimet për bashkëqeverisje mes VV-së dhe LDK-së.

Rexhaj ka deklaruar se nuk e sheh koalicionin VV-LDK si të natyrshëm dhe afatgjatë.

“Dihet qëndrimi im rreth koalicionit VV e LDK. Koalicioni me i natyrshëm është mes VV-së, PDK-së e Nismës. Vetëvendosje ka dale nga PDK e SHIK. Nuk ka politikan në Kosovë më ë ngjashëm se Thaçi e Kurti. Të dy janë fëmijë politik të Qosjes e Demaçit të cilët e urrenin Rugovën për së gjalli, pas vdekjes nuk ja ngushëlluan as familjen dhe nuk i shkuan kurrë te varri. Çdo koalicion tjetër, do të jetë i panatyrshëm dhe nuk do të zgjas shumë bashkëqeverisja”, ka thënë Rexhaj, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, Rexhaj ka thënë se koalicioni në mes të LDK-së dhe PDK-së ishte koalicioni më stabil, mirëpo ai është prishur për shkak të punës së mirë të bërë nga ish-kryeministri Isa Mustafa, dhe frikës së madhe nga ana tjetër e subjektit të Kadri Veselit.

“Dihet se koalicioni i vitit 2014 mes LDK e PDK edhe pse koalicion i madhe e stabil, ra brenda natës, vetëm për ta penguar punën e mirë të qeverisë së LDK-së në krye me Isën, nga frika se nëse punon mire Isa, fiton në zgjedhjet tjera”, ka shtuar ai.

Krejt në fund, Rexhaj ka potencuar se partia e Kurtit tashmë nuk është e interesuar për koalicion parimor me LDK-në, por vetëm për ta dobësuar atë aq sa është e mundur.

Image
Sali Rexhaj

“Nga bisedime plotësisht korrekte pasi të dy partitë kanë numër të njëjtë të deputetëve, Vetëvendosje mundohet të marrë çdo gjë, nga oferta parimore merr ose le. VV-ja mund të marrë postin e kryeministrit e 50 për qind të ministrive, ose ta marrë postin e udhëheqjes së parlamentit dhe presidentin. Por, Vetëvendosje është e interesuar jo për qeverisje të mirë, po për t’i fituar zgjedhjet tjera”, ka përfunduar veprimtari Rexhaj, për gazetën “Bota sot”.

Ndërkaq, gjatë ditës, përmes një kumtese, LDK ka reaguar pasi nuk u arrit marrëveshja e paralajmëruar me Vetëvendosjen.

Kjo parti ka thënë se vazhdimisht kanë shprehur gatishmërinë për arritjen e një marrëveshjeje me VV-në dhe është e vullnetshme të arrijë një marrëveshje të baraspeshuar, të qëndrueshme dhe afatgjatë, përcjell Bota sot.

Mes tjerash në komunikatë thuhet se diskutimet mes dy partive do të vazhdojnë, pa ju nënshtruar presioneve publike të askujt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat