Dy rrugët e Albin Kurtit: Kompromisi me LDK-në ose degradimi i mëtejshëm i Kosovës

Politika

Dy rrugët e Albin Kurtit: Kompromisi me LDK-në ose degradimi i mëtejshëm i Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 5 dhjetor 2019 Në ora: 08:33
Albin Kurti

Ndonëse, në parim Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë pajtuar t’i nisin negociatat për formimin e koalicionit qeverisës, dhe arritja e marrëveshjes duket të jetë ende mjaft larg, megjithatë ende vërehet se lidhja demokratike, ka një shije më shumë në marrjen e ministrive.

Njohësit e çështjeve politike kanë vlerësuar se, mosarritja e marrëveshjes reflekton, në mos sigurinë e brendshme për të marrë përgjegjësi institucionale më shumë se sa ndarja e pazareve politike.

Sipas tyre, Kosovës doemos i nevojitet stabilitet politik edhe për shkak të vazhdimit me zhvillimin ekonomik, social, arsimor, kulturor, njerëzor dhe fetar.

Lepaja: Gjithçka do të varet në fakt nga pragmatizmi i Kurtit dhe gatishmëria e tij për kompromise

Analisti politik Fadil Lepaja, ka thënë për “ Bota sot”, se është normale që negociatat në mes të partive me dallime aq të mëdha qoftë ideologjike, të interesave apo mendësisë, të vijnë në këso momentesh kritike sa më tepër që afrohet koha për të konstituuar parlamentin dhe për të marrë mandatin për formimin e qeverisë.

Image
Fadil Lepaja

“Është mirë që këto biseda kanë filluar menjëherë pas zgjedhjeve dhe nuk është pritur konstituimi i parlamentit. Mustafa është i njohur që koncesionet më të mëdha i nxjerr në momentet e fundit. Përvoja e tij e gjatë politike, pragmatizmi dhe mbi të gjitha zhbërja e ngjyrave ideologjike për shkak të karrierës së gjatë që nga socializmi jugosllav e deri te të gjitha transformimet nëpër të cilat ka kaluar shoqëria jonë përgjatë 3 decenieve të fundit ka bërë që ai të mos ketë në fakt ndonjë ngjyrim ideologjik, por të ketë më tepër qasjen e një teknokrati dhe menaxheri për të gjitha sistemet. Kështu mendoj se kjo ka mundësuar të kalojë mbi të gjitha konfliktet dhe të bëjë koalicione me parti dhe personalitete të cilat dukeshin të paimagjinueshme vetëm para disa vitesh”, ka thënë analisti politik Fadil Lepaja.

Sipas tij, gjithçka do të varet në fakt nga pragmatizmi i Kurti dhe gatishmëria e tij për kompromise.

“Në fakt edhe Kurti tashmë ka bërë përvojë me të dhe është hera e tretë që po negocion për bashkëqeverisje me LDK, qoftë direkt qoftë indirekt”, ka thënë analisti politik Fadil Lepaja.

Hertica: Bashkëpunimi i VV-së dhe LDK-së nuk filloi dje, e as sot, por ishte i kamotshëm

Image
Ali Hertica

Kurse, analisti politik Ali Hertica, në mosmarrëveshje nuk e sheh që mund të ketë ndonjë pikë diskutabile që do të çonte deri të pamundësimi i një koalicioni midis këtyre dy partive.

Kjo për shkak të besimit tek qytetarët që këto dy subjekte të marrin timonin e shtetit për ndryshim.

“Bashkëpunimi i VV-së dhe LDK-së nuk filloi dje, e as sot, por ishte e kamotshme për një qeverisje të përbashkët, dhe kjo do t`i pushonte në qetësi qytetarët që ju dhanë besimin dhe fare nuk sinjalizon se subjektet janë serioze tek qytetarët, më këto manipulime politikë të egoizmit”, ka thënë analisti politik Ali Hertica.

Sipas tij, mund të ketë përplasje sa i takon ndarjes së ministrive për shkak se Vetëvendosje qysh në fillim e ka bërë të qartë se nuk do t'i lejojë partnerit të koalicionit të marrë nën drejtim, Ministrinë e Brendshme, atë të Drejtësisë si dhe atë të Financave.

“Dhe tani është koha e tolerancës që shteti të ec drejt Integrimeve Evropiane dhe zhvillimin ekonomik, që qytetari të jetë mbështetës i politikave të këtij koalicioni sa ma shpej. Sepse një pritje e tillë është jo serioze dhe jo parimore nëpër ato që janë thënë nga dy subjektet politikë ku mund të humb besimin tek qytetarit kjo zvarritje e pakuptimtë politikisht”, ka thënë analisti politik Ali Hertica.

Kadriu: Kjo mund të jetë një lojë e koordinuar me qëllim të ikjes së përgjegjësisë

Image
Kushtrim Kadriu

Ndërsa, analisti politik Kushtrim Kadriu, ka pohuar se mosarritja e marrëveshjes reflekton, në mos sigurinë e brendshme për të marrë përgjegjësi institucionale më shumë se sa ndarja e pazareve politike.

Sipas tij, faktori ndërkombëtar dëshiron marrëveshje me Serbinë, VV dhe LDK janë shprehur kundër arritjes së shpejtë të kësaj marrëveshje e kjo ndikon të mos gatishmëria për të marre pushtetin.

“Kjo mundet me qenë edhe një lojë e koordinuar nga këto parti me qëllim të ikjes së përgjegjësisë. Nuk duhet harruar kryeministri i ri, duhet të merret vesh me palën serbe brenda mandatit të tij dhe do të përballet me presion ndërkombëtar a mundet Kurti ta bartë këtë detyrë mbetet të shihe”, ka thënë analisti politik Kushtrim Kadriu.

Berisha:Nëse subjektet LVV-LDK nuk arrijnë marrëveshje, do të defaktorizoheshin politikisht

Kurse, analisti politik Ejup Berisha ka thënë se qeveritarët do të ishin shumë të lumtur, që partitë fituese në zgjedhjet e fundit Parlamentare, të cilat u mbajtën pak më parë në Kosovë, të mos arrijnë kurrfarë marrëveshje me qëllim që atyre tu jepet gjasa që të formojnë shumicë të re dhe të nevojshme parlamentare.

“E gjithë kjo u bë me qëllim që pastaj ata ta marrin mandatin për formimin e Qeverisë si dhe të njëjtët të mund ti ndajnë resorët e rëndësishëm Qeveritar dhe të vazhdojnë të qeverisin më tej aty ku kanë ngelur punët rreth Qeverisjes së vendit, proces të cilin deri para pak muajsh e kanë udhëhequr qeveritarët aktual. Supozoj se njerëzit do të donin që kundërshtarët politik, të dështonin me qëllim që ata vet ta provonin fatin që të formonin Qeverinë. Në fund të fundit beteja më e madhe pas mbajtjes së zgjedhjeve është arritja e mundësisë nga ana e subjekteve të caktuara politike që të formojnë Qeverinë. Andaj, besoj se kundërshtarët politik ndjehen mirë dhe këndshëm, kur pala tjetër dështon në arritjen e qëllimeve politike Qellmi i tyre është që vet të faktorizohen politikisht, pasi që nëse subjektet e tashme fituese të zgjedhjeve parlamentare LVV-LDK nuk arrijnë marrëveshje për formimin e Qeverisë atëherë këto do të defaktorizoheshin politikisht ndërsa subjektet e tjera siç përmenda më herët të cilat llogariten si humbëse të zgjedhjeve do të mundohen që të faktorizoheshin në politikë”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Image
Ejup Berisha

Sipas tij, kjo do të ishte dhënie e mundësisë që këta të vazhdojnë ta mbajnë pushtetin me qëllim që ky të mos rrëshqet te kandidatët për pushtetar të rinj.

“Tash neve të tjerëve që nuk jemi të kyçur direkt dhe nuk jemi pjesë e atij procesi nuk na intereson shumë disponimi apo mos-deponimi i subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhje sepse kjo është çështje e cila i tangon vetëm së ata, por ne na intereson që sa më shpejtë të arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje mes subjekteve fituese në zgjedhje, mandatori që në rastin konkret në bazë të Kushtetutës është Presidenti i shtetit t’ia jep mandatin personit të kontraktuar të subjekteve politike për Kryeministër me qëllim që ky ta propozojë programin qeveritar si dhe listën e zgjidhjeve kadrovike me qëllim që Kuvendi t`i miratoj të dyja këto propozime dhe Republika e Kosovës të stabilizohet politikisht, ekonomikisht, financiarisht si dhe të mbahet llogari për stabilitetin dhe sigurinë e vendit”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Ai konsideron se këto njëherit janë obligimet apo dhe detyrimet kryesore të çdo Qeverie, ndërsa çdo ngecje apo çdo dështim në formimin e Qeverisë së re, do të ketë pasoja negative mbi të gjitha proceset e rëndësishme shtetërore, dhe shoqërore të Republikës së Kosovës.

“Konsideroj se bisedimet mes subjekteve politike duhet të vazhdojnë me intensitet më të shtuar dhe në to të mos dominojnë emocionet por racionaliteti dhe arsyeshmëria apo bindja se Republikës së Kosovës i duhet një Kuvend i konstituuar dhe një Qeveri e formuar funksionale dhe stabile me qëllim që të materializohet vullneti i qytetarëve në zgjedhje dhe të krijohen kushte që të vijojnë të gjitha proceset e rëndësishme dhe të domosdoshme politike me qëllim të realizimit të qëllimeve strategjike dhe prioriteteve të brendshme dhe të jashtme të Republikës së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur. Nuk mund të ketë proces të suksesshëm të pranimit të Republikës së Kosovës në organizata dhe institucione të rëndësishme ndërkombëtare si OKB, BE dhe në NATO dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtar pa një proces të stabilizuar politik nga i cili pritet realizimi i kritereve apo kushteve kryesore për inkuadrimin e Kosovës në ato organizata dhe institucione që u përmendën më lartë”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Sipas tij, Kosovës i nevojitet stabilitet politik edhe për shkak të vazhdimit me zhvillimin ekonomik, social, arsimor, kulturor, njerëzor dhe fetar etj etj.

“E them këtë pasi duhet doemos ti shmangen çdo mundësi që të paraqiten kriza politike rreth formimit të shumicës parlamentare e cila do ta votonte Qeverinë e re si institucion shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e punëve shumë të domosdoshme shtetërore dhe shoqërore. Mos të jemi peng apo dhe viktimë e apetiteve të subjekteve politike për poste dhe për pushtet sepse mbi të gjitha këto qëndron populli i Kosovës shumica e të cilëve kërkon ndryshime radikale politike si dhe stabilitet politik dhe ekonomik të cilat janë bazë për mbarëvajtjen e të gjitha çështjeve apo punëve të tjera shtetërore dhe shoqërore. Ndërsa mbi të gjitha këto duhet të qëndrojë përkushtimi dhe dashuria ndaj shtetit të Kosovës si shtëpi e përbashkët e të gjithë popujve të cilët jetojnë në territorin ku shtrihet sovraniteti tokësor,ujor dhe ajror i saj”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat