Kosova, “fabrikë” për prodhimin e analfabetëve me diploma

Politika

Kosova, “fabrikë” për prodhimin e analfabetëve me diploma

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 6 dhjetor 2019 Në ora: 14:13
Ilustrim

Kosova edhe këtë vit më se e dështuar sa i përket cilësisë së arsimit në vend.

Testi ndërkombëtar PISA Kosovën edhe këtë vit e rangoi të tretën nga fundi, në listën e 79 vendeve të botës, duke lënë pas kështu vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet. Edhe Kosova po e pranon se gjendja në arsim nuk është e mirë.

Mirëpo ku është kush është përgjegjës, për këtë gjendje e cila është krijuar në arsimin e vendit?

Paqarizi: Dështimi është rezultat i një procesi të gjatë të shkatërrimit të sistemit arsimor në Kosovë

Profesori Universitar Rrahman Paçarizi për “Bota sot” ka thënë se, dështimi është rezultat i një procesi të gjatë të shkatërrimit të sistemit arsimor në Kosovë.

Image
Rrahman Paçarizi

“Fatkeqësisht ka shumë vjet që mësimdhënësit konsiderohen si votues potenciale. Fatkeqësisht nuk ka pasur trajnime serioze ndonëse ka pasur disa herë ndryshim kurrikulash dhe fatkeqësisht mësuesit asnjëherë nuk kanë pranuar t'u nënshtrohen testimeve e vlerësimeve. Përkundrazi, ministrat asnjëherë nuk kanë dashur ta vlerësojnë realisht gjendjen në arsim, por janë mjaftuar me fabrikim rezultatesh dhe për pasojë kemi gjendjen që e kemi”, ka potencuar Paqarizi.

Sipas tij, nuk ka një fajtor por ka shumë faktorë për këtë gjendje.

Ai thotë se Qeveria e re e Kosovës duhet ta adresojë urgjentisht problematikën.

“Situata mund të ndryshohet me qasje serioze. Testet e vlerësimit të jashtëm duhet të trajtohen për të diagnostikuar problemin dhe në bazë të asaj diagnoze dhe rezultateve paraprake të përcaktohet terapia së cilës duhet t'i nënshtrohet sistemi ynë arsimor”, shprehet Paqarizi.

Mehazi: Derisa politika ka hyrë e përzihet në arsim, s'ka hajër dituria

Image
Sylejman Mehazi

Edhe profesori tjetër Universitar, Sylejman Mehazi, thotë se testi i PISA-s tregoi se në çfarë niveli gjendet arsimi në Kosovë.

Sipas tij, për këtë situatë psiko, mentale e arsimore fajtorë kryesor janë dy ministritë përkatëse, ajo e Ministrisë së Arsimit edhe ajo e Sportit, Rinisë dhe Kulturës.

“Jo vetëm kaq, po fajet e kësaj gjendje të mjerueshme arsimore janë të pafundme, aq sa nuk mund të numërohen që nga niveli më i ulët e i mesëm arsimore, e deri te dekanatet, rektoratet universitare dhe Akademia e Kosovës, të cilët pa kurrfarë kriteresh vlerësohen, si nxënësit e studentët, poashtu edhe studiuesit shkencor. Derisa politika ka hyrë e përzihet në arsim se kush e cili do kalonte e do diplomonte, kush e cili do magjistronte e doktoronte, kush e cili do gradohej me tituj shkencore pa fare vlerësimesh e kriteresh shkencore, s'ka hajër dituria”, thotë Mehazi.

Më tek thekson se, rezultati i testit PISA na tregoi se arsimi ynë është zhytur nën ujërat politike partiake e jo diturake studiuese e shkencore. Derisa Kosova do ketë arsim e shkencë partiake e politike do mbetet jo vetëm para Republikës Dominikane dhe Filipinës, po edhe e fundit. Gjersa arsimi ynë është i përlyer me mëkate mitosh e proteksionesh s'ka përparime diturish, dituria është pastërti dhe e do pastërtinë e jo mëkatet partiake shtetërore. Mëkatet arsimore, studiuese e shkencore s'na çojnë gjë kundi, përpara, por në kaos arsimor.

Qehaja: Për gjendjen e arsimit në vend, përgjegjës është MASHT-i

Image
Rinor Qehaja

Njohësi i çështjeve arsimore në vend Rinor Qehaja, është shprehur se rezultatet nga testi PISA 2018 paraqet një përmbledhje valide dhe reale të arsimit në vend. Ajo rritje që është pritur dhe proklamuar nga MASHT nuk ka ndodhur.

Sipas tij një rezultat i tillë, nuk është befasues dhe arsyetimi i keqadministrimit dhe mos përgatitjes nga PISA 2015 me nuk qëndron, pra, dështimi është ne cilësi te arsimit para universitar ne vend, dhe për këtë përgjegjës është MASHT.

“Është e pakuptimtë të priten rezultate më të mira, kur MASHT nuk ka ofruar asnjë përkrahje në zbatim të kurrikules, nuk ka ofruar tekste shkollore cilësorë, aq më pak investime në infrastrukturë. Është e pa tolerueshme që rekomandimet nga PISA 2015 as që janë shqyrtuar nga MASHT, dhe për këtë duhet të kërkohet përgjegjësi”, ka përfunduar Qehaja.

Krasniqi: Rënia e cilësisë në arsim në Kosovë, është si pasojë e politikës dhe mësimdhënësve të dobët

Image
Faik Krasniqi

Po ashtu edhe analisti Faik Krasniqi ka thënë se nuk ka qenë i papritur ky rezultat i PISA. Kush ka pritur më mirë s'ka lidhje me arsim.

Sipas tij, rënia e cilësisë në arsim në Kosovë, është si pasojë e politikës dhe mësimdhënësve të dobët, duke filluar nga cikli i ulët e deri tek arsimi i lartë. Kosova në këto dy dekada ka shërbyer si fabrikë për prodhimin e analfabetëve me diploma.

“Është tmerr kur një pjesë e madhe e nxënësve kanë probleme me shkrim dhe lexim. Ose më mirë të themi nuk dinë shkrim dhe lexim. Arsimi i lartë është edhe më keq. Po ta bënim një test të mësimdhënësve nga cikli i ulët dhe deri tek ai i lartë, shumica do të dilnin të paaftë për të ushtruar këtë profesion. Kjo rënie është edhe si pasojë e mësimdhënësve që japin mësim në disa shkolla. Tmerr i vërtetë. Vrapojnë nga një Universitet në një kolegj privat. Janë me dhjetëra mësues të shkollave fillore që ligjërojnë në kolegje private. Madje edhe orarin e bëjnë në shkolla publike, ashtu siç ju leverdis atyre. Kjo gjë duhet të ndalohet me ligj. Një profesor që jep ligjërata në Universitet publik, të mos ketë të drejtë të jap edhe në kolegje private. E aq më pak mësuesit e shkollave fillore. Rrepëtsisht duhet të ndalohen këto pisllëqe. Rënia e cilësisë është edhe si pasojë e kolegjeve private, që kanë shkatërruar arsimin në Kosovë. Kolegje që vetëm shpërndajnë diploma”, ka thënë Krasniqi.

Ai shprehet se, edhe dhjetëra Qeveri nëse ndërrohen kjo gjendje nuk mund të ndryshojë, nëse nuk e sjellin ligjin që një profesor të mos ketë të drejtë të jap mësim edhe në publik edhe në privat.

“Kam thënë gjithmonë që këto kolegje private duhet të mbyllen, sepse e kanë shkatërruar arsimin në vend. Diploma në Kosovë nuk vlen asgjë. Është thjesht një letër pa asnjë vlerë. Në asnjë shtet s'mund të punosh me këto diploma”, ka përunduar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat