Mashtruesit nën petkun e UÇK-së i pret ndëshkimi

Politika

Mashtruesit nën petkun e UÇK-së i pret ndëshkimi

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 7 dhjetor 2019 Në ora: 10:48
Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Buxheti i Republikës së Kosovës që nga paslufta, thuaja nga të gjitha qeveritë ka qenë i shpenzuar në mënyrë të pa-kontrolluar dhe në formë të pa-arsyeshme, me ç’rast është dëmtuar direkt qytetari i Kosovës, si taksapagues e pjesëmarrës direkt në mbushjen e thesarit të shtetit tonë.

Keqpërdorimi i parasë së qytetarëve të Kosovë ka ndodhur në shumë fusha, apo thënë më mirë në çdo fushë që iu është “lejuar”, e sidomos nëpër tenderët e autostradave ku njihen si afera të fuqishme e ku miliona të shumë janë “avulluar”, madje disa prej aferave korruptive në të cilat dyshohet se janë vjedhë shuma të mëdha milionëshe, kontratat nuk janë bërë asnjëherë publike, as sot e kësaj dite.

Në këtë kontekst, duke u kamufluar nën petkun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pretendohet se është bërë dhe po vazhdon të bëhet dëmtimi më i madh i buxhetit të Republikës së Kosovës, nga persona të pa ndërgjegjshëm, madje edhe nga grupe kriminale të cilët për interesat grupore financiare, apo edhe për interesa politike, kanë katërfishuar numrin e atyre që në ditët më të vështira i dolën në ndihmë atdheut.

Lidhje me këtë çështje, në të kaluarën janë deklaruar krerët e subjekteve politike fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, të cilët kanë qenë fuqishëm kundër numrit enorm dhe pa kurrfarë kriteri, të veteranëve të UÇK-së.

Mustafa: Organet e rendit dhe ligjit pa presion ta zgjidhin çështjen e veteranëve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, më herët pati deklaruar se gjeneza e problemit buron te lëshimi me prapavijë klienteliste apo edhe nga interesa të tjera e dëshmive nga përgjegjësit e zonave për njerëz që nuk kanë qenë pjesë aktive e luftës.

“Shteti i Kosovës duhet të gjejë rrugë për tejkalimin e deformimeve me listat e veteranëve dhe përfitimet e pamerituara të një pjese të tyre. Këtë problem e kemi diskutuar disa herë me përfaqësuesit e FMN-së sa isha Kryeministër i vendit, dhe ishim në një rrugë të gjejmë zgjidhje nga ekspertiza dhe përvoja e tyre ndërkombëtare. Si i tillë, ekzagjerimi i listave dhe numrit të veteranëve nuk duhet të jetë vetëm çështje e prokurorisë dhe gjyqësisë, edhe pse këto organe duhet të vazhdojnë pa presione ta bëjnë punën e tyre. Gjeneza, mendoj se, qëndron te lëshimi me prapavijë klienteliste apo edhe nga interesa të tjera e dëshmive nga përgjegjësit e zonave për njerëz që nuk kanë qenë pjesë aktive e luftës. Prandaj duhet të sillemi racionalist, të mos ngatërrojmë adresat, sepse as Kryeprokurori dhe as ish prokurori i lëndë nuk i kanë fryrë listat. Shfryrja e listave duhet të ndodhë nga ata që i kanë fryrë dhe me Ligj të veçantë. Ndërkaq, keqpërdoruesit duhet të përgjigjen”, kishte deklaruar kryetari Mustafa.

Kurti: Askush nuk mund ta dëshmojë se ka pasur më shumë se 20 mijë veteran të UÇK-së

Në anën tjetër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, sot kandidat për të udhëhequr me qeverinë e Republikës së Kosovës si fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit, kishte deklaruar se po i pyetët komandantët e zonave të UÇK-së, asnjëri prej tyre nuk mund të ju japë një shifër më shumë se 20 mijë, të veteranëve të UÇK-së.

“Nuk mendoj që problem janë veteranët, problem janë 60 mijë. Veterani është zgjidhja e këtij vendi sepse ai ka luftuar për çlirimin. Po e pyete cilindo komandant a luftëtarë, nuk mund ta gjesh një i cili thotë se ka më shumë se 20 mijë veteranë. Pjesëmarrës në luftë mund të ketë më shumë se 60 mijë, por ata s’janë veteranë. Veteranët janë më pak se 60 mijë. Shifra e fryrë, në njëfarë mënyre po na e deformon historinë”, kishte thënë Kurti.

Kryetari i VV-së gjithashtu e kishte kundërshtuar edhe numrin e invalidëve të UÇK-së, duke thënë se edhe ai numër është fryrë, prapë për interesa të ulëta grupore.

“I kanë fryrë edhe shifrat e invalidëve, jo vetëm të veteranëve. Këto janë dëshmi të rrejshme të cilat po e deformojnë historinë tonë. S’mund të lejojmë që brezat e ri ta mësojnë historinë e deformuar. Ne do ta bëjmë një komision të ri sepse këta njerëz kanë nevojë për punë. Mosha mesatare e dëshmorëve të UÇK-së është 22 vjeç. Ata që kanë luftu kanë qenë shumë të ri dhe a e dini çka, edhe pas 20 viteve nuk janë pleq, janë në moshë të mesme. Shumica dërmuese e tyre janë të moshës së mesme, ata mund edhe të punojnë. Po le ta kenë një ndihmë nga shteti, por jo si zëvendësim për punën”, kishte nënvizuar Albin Kurti.

Sot, kur po bëhen përpjeke të fuqishme në drejtim të formimit të një qeverie të shpresës mes LDK dhe VV, sigurisht se pritjet e qytetarëve në çdo fushë për të cilën këto dy subjekte kanë qenë kritike dhe janë shprehur do duhet të veprohet ndryshe, janë shumë të mëdha dhe mezi presin që të shohin se si do të sillen në këto situate.

Quni: Çështja e veteranëve tashmë është në duar të drejtësisë

Image
Anton Çuni

Pikërisht për fyerjen e listës së veteranëve, për “Bota sot” ka folur deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni i cili edhe vjen me petkun e ushtarakut, e që ka deklaruar se njëra ndër çështjet shumë të rëndësishme e që presin zgjidhje nga ana e qeverisë së ardhshme me urgjencë është edhe ajo e listës së veteranëve, por ka thënë se LDK në qeverisje do të respektoj pushtetet e ndara si dhe pavarësinë ligjore, duke krijuar kushte që ato të punojnë pa ndërhyrje e presione nga jashtë.

“Çështja e veteranëve tashmë është në duar të drejtësisë. LDK në qeverisje do të respektojë pushtetet e ndara dhe pavarësinë e ligjit duke krijuar kushte që ata të punojnë pa ndërhyrje e presione nga jashtë. Neve nuk na ka munguar guximi e as vullneti që tu qasemi një nga një të gjitha problemeve që presin të zgjidhen, përfshirë këtu edhe çështjen e veteranëve të UÇK-së”, ka thënë deputeti Quni.

Gecaj: VV i ka duar e lira për veteranët

Image
Hysen Gecaj

Edhe Hysen Gecaj, njëri ndër ushtarakët e rëndësishëm të luftës së UCK-së, i kontaktuar nga “Bota sot”, ka folur rreth çështjes së veteranëve të luftës duke thënë se sidomos VV, sado që do ta ketë vështirë, do ti ketë duart e lira që të veprojë për ndjekjen e veteranëve të rrejshëm, ani pse kjo do të mund të ndikonte negativisht në vota apo elektorat.

“Është e vështir të besohet se mundë të kemi një qeveri të qëndrueshme dhe e cila do të punonte në interes të popullit sepse LDK dhe VV janë dy parti të cilat kanë pikëpamje tërësisht të kundërta për normalizimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës. Deri sa VV-së i mungon përvoja e shtet ndërtimit dhe ka mungesë kuadri politik e profesional për ndërtimin e shtetit, LDK në kupolat e saja ka njerëz të cilët në rendë të parë shohin përfitimet politike e të cilat cak të fundit kanë përfitimet financiare, pastaj çka të mbetet për shtetin. Për sa i përket obligimit (sepse është çështje ligjore) të koalicionit për tu marrë me çështjen e veteranëve të rrejshëm, mendoj se në këtë aspekt VV-ja është më serioze dhe më e gatshme për tu marrë pasi që ata nuk kanë qenë të involvuar gjatë procesit të aplikimit të veteranëve dhe nuk kanë pasur ndonjë përgjegjësi në këtë aspekt. Kjo ia mundëson VV-së dhe i lë duart e lira për të ndjekur veteranët e rrejshëm dhe mendoj se do të duhej ta shfrytëzojnë këtë mundësi që tani edhe pse ndjekja e veteranëve të rrejshëm ndikon edhe në elektorat por me qenë se si qeveri e re është në fillim të mandatit të saj gjasat janë të mira që të mos dëmtohen politikisht, bile edhe do të përfitonin”, thotë Gecaj.

Ai shton se, LDK-ja e ka të vështirë ti luftoj veteranët e rrejshëm sepse kjo parti ka qenë në garë me PDK-në dhe AAK-në se cila do të përfitoj ma shumë nga veteranët e rrejshëm si në aspektin politik ashtu edhe financiarë prandaj luftimi i kësaj dukurie do të prekte edhe figura të LDK-së të involvuar në shtimin enorm të numrit të veteranëve të rrejshëm.

“Gara për të pasur sa më shumë “veteran” të cilët në fakt për ta janë vota, ka rezultuar për një balancim të atyre që e përkrahin FARK-un dhe atyre të tjerëve që përkrahin UÇK-në ndarje kjo shumë e dëmshme për vendin. Se a do të zbres numri i veteranëve në 15,000 aq sa supozohet se janë veteranët e vërtetë, është e vështirë të thuhet sepse që të gjitha hallkat e zinxhirit të funksionimit të shtetit ligjorë janë të kapura nga po ata individ të fuqishëm të cilët edhe e kanë rritë numrin e veteranëve duke futur veteran të rrejshëm në lista. VV-ja duhet së pari të krijoj infrastrukturë të mirë ligjore dhe vetëm pastaj mundë të pastrohen listat e veteranëve. Kjo punë nuk është e vështirë të bëhet nëse ka vullnet politik sepse ata që kanë dhënë para për një certifikatë të veteranit tërhiqen që në momentin kurë binden se shteti do të merret seriozisht me ta. Spastrimi i listave mundë të bëhet në rast se LDK bën një pakt të heshtur dhe kjo punë i lihet në dorë VV-së e cila ka guximin për tu ballafaquar me këtë çështje”, ka përfunduar Gecaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat