Ja kur do të formohet “Qeveria Kurti” - politologu ka një parashikim interesant

Politika

Ja kur do të formohet “Qeveria Kurti” - politologu ka një parashikim interesant

Nga: N.H Më: 7 dhjetor 2019 Në ora: 18:48
Isa Mustafa, Albin Kurti dhe Vjosa Osman

Pritjet e mëdha dhe entuziazmi i “tepruar” nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për arritje të marrëveshjes mes dy partive për bashkëqeverisje, nuk doli të jetë ashtu, pasi këto dy parti nuk u morën vesh për ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv.

Për këtë çështje, për gazetën “Bota sot”, ka folur njohësi i zhvillimeve politike në vend.

Politologu, Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth bisedimeve dhe ngërçit të krijuar mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai konsideron se sikur partia e Kurtit të mos vendoste vija të kuqe partive të PAN-it, LDK-ja nuk do e kishte tepruar me kushte, dhe kështu do krijohej edhe qeveria e re.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po duket se kanë probleme në ndarjen e pushtetit. LDK në asnjë mënyrë nuk është duke e pranuar që nuk është fituese e zgjedhjeve. Kjo ka bërë që të shantazhojnë partinë fituese Lëvizjen Vetëvendosje, me kushte të tepruara. Në Kosovë më shumë po përfitojnë partitë humbëse, se sa partia fituese. Sikur Vetëvendosje të mos vendoste vija të kuqe partive të PAN-it, LDK-ja nuk do e kishte tepruar me kushte”, ka thënë Krasniqi.

Tutje, Krasniqi ka potencuar se partia e Kurtit është e vendosur që të mos heq dorë nga postet që po “kërkohen” nga LDK-ja.

Krejt në fund, përkundër këtij “ngërçi”, Krasniqi është i mendimit se më së largu në janar të vitit 2020, Kosova do ta ketë qeverinë e re.

“Posti i presidentit është kushti që LDK-ja i ka vendosur LVV-së për të bashkëqeverisur. Por, edhe Ministria e Punëve të Jashtme. Edhe LVV është e vendosur që të mos heq dorë nga këto dy poste. Nëse nuk tejkalohen dallimet për këto dy poste, zgjedhjet janë të pashmangshme. Megjithatë, besoj që më se largu në janar do të kemi qeverinë e re”, ka potencuar politologu Faik Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Ndërkaq, gjatë ditës është raportuar se takimi mes kreut të VV-së, dhe kreut të LDK-së do të ndodhë menjëherë pas kthimit të Albin Kurtit nga Berlini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat